Krijohet UET ALUMNI LIDERSHIP/ LRI, Kryemadhi “bekon” rrjetin e bursistëve

UET prej vitesh ka mbështetur të rinjtë aktivë që kanë treguar aftësi lidershipi dhe dëshirë për t’u përfshirë në zhvillimin e shoqërisë, me anë të Bursave të Lidershipit. Bursa të tilla, të parat për këtë vit, janë dhënë për të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, në praninë edhe të ish-studentëve pjesë të këtij rrjeti

Të rinjtë që angazhohen në politikë e në organizata të tjera kanë marrë mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës me ofrimin e bursave të Lidershipit. Që prej themelimit, qindra të rinj nga radhët e forumeve rinore të partive kryesore në vend, si dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile kanë pasur mundësinë që të përfitojnë bursa të plota ose gjysmë-bursa studimi në ciklin Bachelor ose Master.

Bursa e Lidershipit vjen si mbështetje, për të gjithë të rinjtë aktivë që angazhohen dhe dinë të angazhojnë të tjerë, që tregojnë se kanë aftësi lideri dhe që duan të përfshihen akoma më shumë në zhvillimin e shoqërisë. Kjo traditë vijon edhe këtë vit akademik, ku këtë të enjte janë dhënë Bursat e para të Lidershipit 2019 për të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë aktivitetet ishin të pranishëm edhe ish-studentë përfitues të kësaj burse, të cilët janë sot emra të spikatur në këtë strukturë politike.
Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Nevila Nika, u shpreh se këto bursa vijnë si një mbështetje për t’u siguruar këtyre të rinjve një përgatitje dhe formim cilësor. Ajo theksoi rëndësinë që ka angazhimi rinor në jetën politike të vendit dhe ndryshimet që sjell për shoqërinë ky aktivizim.

“Të rinjtë duhet të jenë pjesë e jetës poltike të vendit. Është e ardhmja e këtij vendi. Nuk mund të themi se jeni “të vegjël” dhe duhet të rriteni, në momentin që keni vendosur të jeni pjesë e një lëvizje të tillë, pavarësisht kahut politik, i jepni shpresë këtij vendi. Shqipëria ka nevojë për ju”, tha Nika.

Rektorja u shpreh se është shumë e rëndësishme që të gjithë të rinjtë të cilët duan të bëhen apo janë pjesë e jetës politike të vendit, të jenë edukuar cilësisht me dashurinë për dijen dhe librin.

“Politika është talent. Është dhunti, e cila kultivohet nëpërmjet librit, mësimit, nxënies. Edhe ata të cilët janë ‘autodidaktë’ në politikë nuk janë këtu ku janë sot, pa lexuar një libër. Universiteti nuk të jep gjithçka por të paktën ju fut në rrugën e duhur. Ne ju nxisim të ecni përpara duke nxënë.”

Ndërkohë e pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Znj. Monika Kryemadhi e cila u shpreh se Bursa e Lidershipit UET ka qenë dhe është shumë e rëndësishme për edukimin e shumë të rinjve, pjesë të kësaj strukture politike.

“Bursa e lidershipit UET, nuk është mundësi, është një jetë. Sepse do të thotë t’i japësh një të riu sot një shkollë, e sidomos në kushtet ekonomike që ka Shqipëria ku një universitet privat kushton më lirë se një universitet shtetëror. Është dhimbje sepse shqiptarët shquhen mësimdashës, përshkak të mungesës që kemi pasur, të infrastrukturës shkollore, përshkak të etjes, përshkak edhe të kulturës, sepse Kroacia përshembull universitetin e parë e ka hapur në vitin 1600 ndërsa ne akoma nuk jemi me 100 vjet universitet. Etja për arsim e shqiptarëve është shumë e madhe, mjafton të shohësh studentët shqiptarë që janë në universitete ndërkombëtare dhe kanë rezultate shumë të mira. E kupton rëndëisinë që i japin familjet shqiptare, edhe sepse nuk kursehen në ato që paguajnë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Jo të gjithë e kanë mundësinë, dhe nëpërmjet kësaj burse të UET i janë krijuar mundësi shumë djemve dhe vajzave.”

Edhe ish-studentët, tashmë pjesë të rrjetit Alumni, përfitues të kësaj burse, kanë dhënë mesazhet e tyre studentëve të rinj.

Sekretarja organizative e LSI, Erisa Bixha, ndau eksperiencën e saj: “Në UET unë vendosa të bëja një Master të dytë, pasi kisha mbyllur një cikël plotë studimesh në Universitetin e Tiranës, dhe jam shumë e kënaqur për eksperiencën time këtu. Duke besuar se dhe ju do të ndjeheni shume mirë këtu, do doja të ndaja ccfarë më ka pëlqyer më së shumti në UET. Së pari është shumëllojshmëria e dëgëve që ofrohen, për shembull dega që unë zgjodha ishte e Drejtë Publike dhe Ndërkombëtare, të cilën nuk e gjeta në universtete të tjera. Së dyti pedagogë të rinj, që japin një shembull motivues dhe frymëzues, dhe së treti vullnetarizmi, të cilin edhe ne si forum rinor e kemi përkrahur shumë. Së fundmi edhe Këshilli Studentor i cili tregon një funksionim të mirë të demokracisë së brendshme që është këtu në universitet.” 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *