Isuf Kalo

Prof. Dr. Isuf Kalo

Prof. Dr. Isuf Kalo lindi në Tepelenë në vitin 1942. Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 1964, u specializua në endokrinologji dhe diabetologji. Është ndër themeluesit dhe novatorët e këtij specialiteti në Shqipëri. Disa vjet ka drejtuar Katedrën dhe Shërbimin e Sëmundjeve Endokrine në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Universitar të Tiranës. Është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor dhe i laureuar me titullin: “Punonjës i Shquar i Shkencës Shqiptare”. Si dhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Është mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kopenhagen si drejtues i programit evropian për diabetin dhe i departamentit të cilësisë të Sistemeve Shëndetësore në Evropë.

Prof. Kalo është themelues i Qendrës tonë Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, ku ka iniciuar vizione, ide dhe metoda të reja bashkëkohore për sistemin tonë shëndetësor. Ka qenë konsulent i Bankës Botërore në projekte shëndetësore, konsulent i pesë  ministrave të shëndetësisë, lektor në Universitetin e Dubrovnikut, ekspert i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë për programin e diabetit. Prof. Dr. Isuf Kalo ka themeluar shoqatat mjeksore “Hypokrati” dhe atë “Jetë dhe Shëndet”. Është autor i shumë veprave në shtypin mjekësor vendas dhe të huaj, dhe anëtar nderi në shoqata mjekësore ndërkombëtare si dhe të vendeve të veçanta të Evropës.