Inteligjenca Artificiale/ Të shkollohesh apo të edukohesh?

 Arbi Agalliu

Të shkollohesh apo të edukohesh? Kjo është një pyetje që shpeshherë ngrihet në arenën akademike dhe jo vetëm. Ka një dallim të rëndësishëm midis shkollimit dhe edukimit. Të shkollohesh do të thotë të përmirësohesh, të përvetësosh disa dije, teknika apo njohuri, të cilat përmirësojnë aspektin profesional dhe të bëjnë në një farë mënyre të jesh më kompetitiv në tregun e punës, duke krijuar avantazhe krahasuese dhe konkurruese në raport me të tretët.

Ndërkohë edukimi është shumë më tepër se shkollimi. Ai nuk është vetëm një proces i tërë i të nxënit, i të mësuarit, por shkon më tepër se kaq. Edukimi ka të bëjë me vlerat njerëzore që merr gjatë këtij rrugëtimi, me nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm të aftësive jo vetëm profesionale, duke nxitur kështu mendimin kritik, rritjen e aftësive bindëse në diskutime apo debate akademike dhe të opinionit publik duke zhvilluar disa teknika, por edhe për të përmirësuar më tej metodologjinë për të qenë sa më rezultativ në vendimmarrje.

Me pak fjalë, edukimi nuk është thjesht vetëm dhe vetëm aspekti teknik e teorik sikurse është shkollimi, por shkon përtej kësaj pike, duke e formësuar individin në tërësinë e tij.

Po në realitetin shqiptar çfarë ndodh? Personalisht mendoj se fatkeqësisht në Shqipëri nuk kemi as shkollim dhe as edukim cilësor.

Sistemi arsimor në Shqipëri, qoftë ai universitar, parauniversitar apo dhe parashkollor, në tërësi ka një tendencë të sistemeve të vendeve lindore. Metodologjia e mësimdhënies, metodologjia mbi të cilën zhvillohet procesi mësimor është një metodologji e vjetër, e cila nuk ndihmon dhe nuk nxit zhvillimin e krijimtarisë dhe pavarësinë e nxënësit dhe studentit në mënyrën e mendimit, është një metodologji “repetative”. Nxënësi duhet të dëgjojë mësuesin dhe të nesërmen të përsërisë në mënyrë mekanike të njëjtën gjë, e nëse mendon diçka ndryshe, atëherë ai nuk është i saktë.

Ndryshe nga fryma perëndimore apo praktikat më të mira të mësimdhënies, ku shkollat duhet të nxisin gjithmonë e më tepër mendimin kritik te studenti e nxënësi, duhet t’i krijojë atij hapësira për të dhënë variante apo alternativa, të cilat nuk janë shabllon i teorisë. Studentit duhet t’i krijohet e gjithë hapësira e nevojshme që të shpalosë aftësitë e tij krijuese, duke mos i ndrydhur talentin që ka.

Nga ana tjetër, arsimi publik ka shumë problematika. Duke filluar nga infrastruktura, ku nuk ka ambiente mjaftueshëm për të zhvilluar mësim. Institucionet publike të arsimit, duke rritur ndjeshëm numrin e studentëve në klasa, ka sjellë uljen e cilësisë së procesit mësimor, ku shpeshherë nuk plotësohen as kushtet bazike të ndriçimit, ngrohjes, sidomos në zonat periferike.

Pagesat e ulëta të mësuesve është një tjetër problem që nuk lejon zhvillimin e procesit të shkollimit si duhet. Pra si mund të kërkohet cilësi dhe standard i lartë me një pagë minimaliste. Nga ana tjetër, mosbërja e reformave në këtë sektor bën që të mos ketë nxitje për të tërhequr individë të kualifikuar apo maturantë të interesuar për të studiuar në fushën e mësuesisë, çka e lë shkollimin në nivele të ulëta dhe diletante në shumë raste. Mësimdhënësi duhet të jetë një idhull për studentët dhe nxënësit, duhet të jetë një “enciklopedi”, duhet të jetë një njeri liberal që inspiron, duhet të jetë një figurë ku studenti dhe nxënësi të mbështetet për të ecur në rrugën e dijes dhe botën e suksesit.

Problematikë tjetër është edhe mënyra e përzgjedhjes së literaturës. Sot mënyra sesi përzgjidhet është shumë abuzive dhe krijon hapësira për korrupsion. Në optikën time nuk mundet që në një shkollë klasa të ndryshme të bëjnë për të njëjtën lëndë libra të ndryshëm. Ajo çka duhet është unifikimi i dijes në rang kombëtar.

Ndërkohë rruga për një edukim cilësor kalon nga shkollimi i mirë. Që të kemi një shoqëri të edukuar do të thotë që kjo shtresë të ketë marrë një shkollim cilësor, por kjo në realitetin shqiptar është shumë e vështirë. Kjo ndodh për vetë kushtet ekonomike që ka vendi, si dhe për mungesën e seriozitetit që merret nga politikëbërësit me sektorin e arsimit në Shqipëri. Ka shumë pak institucione arsimore dhe shumica e tyre janë private, të cilat bëjnë përpjekje maksimale duke krijuar nxitjen e nevojshme që aktorët dhe përgjegjësit për një shkollim dhe edukim të mirë të vihen në lëvizje. Janë këto pak institucione private të arsimit, sidomos të lartë, që krijojnë një debat për zhvillimin, marrin iniciativa për edukimin, si dhe bëhen faktorë socialë.

Si përfundim mund të them se në tërësi në realitetin shqiptar nuk ka as shkollim cilësor dhe as edukim të tillë, me përjashtim të një numri të vogël të institucioneve arsimore, kryesisht private. Kjo është një kambanë që bie për politikëbërësit për të krijuar një treg të lirë të ndershëm dhe me kushte të barabarta për edukimin mbi parimet liberale dhe ato anglosaksone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *