Impakti i aktiviteteve përtej auditorit, te studentët e UET

Kushdo që ka studiuar apo studion në Universitetin Europian të Tiranës, e di se një nga pikat më të forta të këtij institucioni është jeta studentore që e karakterizon atë, dinamike dhe tërheqëse, me mundësi të shumta, ku të gjithë mund ta gjejnë veten më së miri.

Me fillimin e shekullit të 21, arsimi i lartë e ka ndryshuar shumë qasjen përkundrejt edukimit të të rinjve, duke pasur si një prej misioneve kryesore atë të zhvillimit të studentit në një kuptim më të gjerë, në tërësinë e tij. Në thuajse të gjitha universitetet më cilësore perëndimore, përfshirja e studentëve në aktivitete të ndryshme ekstrakurrikulare është një mjet kyç për zhvillimin personal, pasi kjo përfshirje luan një rol integral në përvojën universitare. Është një angazhim, i cili vjen i nxitur nga dëshira për t’u argëtuar, shoqëruar, për të mësuar në një mënyrë ndryshe e për të përmirësuar aftësitë personale. Një gamë e gjerë dhe e larmishme e aktiviteteve jashtëshkollore zhvillohet edhe në Universitetin Europian të Tiranës, duke përmbushur një sërë interesash studentore.

Përfitimi i dijes është objektivi primar i një studenti dhe në UET ky qëllim arrihet jo vetëm nëpërmjet leksioneve dhe seminareve. Kushdo që ka studiuar apo studion në Universitetin Europian të Tiranës, e di se një nga pikat më të forta të këtij institucioni është jeta studentore që e karakterizon atë, dinamike dhe tërheqëse, me mundësi të shumta, ku të gjithë mund ta gjejnë veten më së miri. Leksionet e hapura, aktivitetet jashtë ambienteve të universitetit, konkurset, organizimet studentore, këta janë vetëm disa nga faktorët që e pasurojnë eksperiencën të studiuarit në UET. Klubet studentore janë një nga mënyrat e preferuara për të shpenzuar kohën e lirë gjatë vitit shkollor.

Organizimi i klubeve është bërë në mënyrë të atillë që të plotësojnë të gjithë spektrin e dëshirave dhe nevojave të studentëve që nga Klubi i Librit, i Filozofisë dhe i Debatit, të cilat nxitin te çdo student aftësitë e mendimit kritik e analitik dhe aftësitë komunikuese e deri te klubet me veprimtari artistike apo sportive. Për të plotësuar kohën e lirë, por edhe pasionet e studentëve, janë krijuar edhe “Klubet e argëtimit”. Por këto aktivitete nuk limitohen vetëm brenda klubeve, por shtrihen edhe në organizime të tjera përtej auditorit, që kanë për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të dijeve akademike, por edhe argëtimit. Ato u mundësojnë atyre një hapësirë ndryshe, ku mund të përfitojnë një orientim në karrierë, si edhe fitimin apo përforcimin e aftësive ndërpersonale dhe një jetë sociale më aktive. Në filozofinë e UET, studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë, ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht që ata të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre.

Shpesh mund të jetë një sfidë për studentët që bëhen pjesë e auditorëve universitarë për herë të parë, që të krijojnë rrjetin e tyre shoqëror dhe përfshirja në aktivitete jashtë auditorëve i ndihmojnë këta studentë të takojnë njerëz të rinj, me të cilët ndajnë interesat dhe përmirësojnë aftësitë e tyre shoqërore si rezultat. Këto lidhje të reja të krijuara nëpërmjet këtyre aktiviteteve, gjithashtu ndihmojnë studentët të zgjerojnë rrjetin e tyre të kontakteve profesionale, gjë që është e dobishme për gjetjen dhe zhvillimin e mundësive të karrierës pas diplomimit.

Ky lloj angazhimi është një mjet mjaft i mirë për të ndërtuar një jetëshkrim të pasur, pasi në këtë mënyrë studenti “rrëfen” një histori rreth asaj kush është dhe çfarë interesash ka, aftësi të menaxhimit të kohës etj., duke shtuar në këtë mënyrë më shumë personalitet në një dhe duke përmirësuar cilësinë e aplikimit të përgjithshëm të punës së studentëve. Meqenëse zhvillimi i studentit në tërësinë e tij, është qëllimi kryesor i aktiviteteve jashtëshkollore në kampuset universitare, përvojat e shumta të fituara në këto aktivitete ndikojnë pozitivisht në zhvillimin emocional, intelektual, social dhe ndërpersonal të tyre. Duke punuar së bashku me individë të tjerë, studiojnë mësojnë të negociojnë, komunikojnë, menaxhojnë konfliktin dhe të udhëheqin të tjerët.

Pjesëmarrja në këto aktivitete jashtë auditorit i ndihmon studentët të kuptojnë rëndësinë e aftësive të të menduarit kritik, menaxhimit të kohës dhe kompetencës akademike dhe intelektuale, si dhe të shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë këto hapësira për ndërveprim, formim të marrëdhënieve dhe zhvillim diskutimesh. Puna jashtë auditorit, me grupe të ndryshme, u lejon studentëve të fitojnë më shumë vetëbesim, autonomi dhe vlerësim për dallimet dhe ngjashmëritë e të tjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *