Formësohet i plotë Fakulteti i Shkencave Mjeksore Teknike në UET

Themelohet Qendra e Kërkimit Shkencor për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike UET, një strukturë e përbërë nga 7 pedagogë dhe kërkues shkencorë, personalitete të shquara të akademisë dhe mjekësisë në vend.

Për thuajse një dekadë, Universiteti Europian i Tiranës ka dalluar për cilësinë dhe standardet e larta në fusha të tilla si shkencat sociale, ekonomike dhe ato juridike. Tashmë në dekadën e dytë UET vjen gjithëpërfshirës, duke ofruar edhe degë të tjera të tilla inxhinieritë, artet, humanitetet dhe mjekësia.
Kjo e fundit përbën një nga ambiciet dhe projektet më të mëdha të universitetit, i cili tashmë mund të konsiderohet i një karakteri universal, pasi krahas degëve të shumëllojshme që ofron, sjell për studentët edhe mundësi të shumta për akomodim falë bursave, financimit të studimeve dhe jetës dinamike studentore që karakterizohet në auditor dhe përtej tij.

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike lindi prej nevojës së shoqërisë shqiptare për të pasur profesionistë cilësorë nga fusha e mjekësisë dhe ka privilegjin të krijohet në një universitet prestigjioz me një eksperiencë të afirmuar thuajse 15 vjeçare në mësimdhënie. Ky fakultet pasuron ofertën akademike të UET në të dyja ciklet: Bachelor dhe Master, në degët Fizioterapi, Infermieri dhe Imazheri. Në themelimin e tij kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dita-ditës disa nga emrat më në zë të mjekësisë shqiptare, me kompetencat, eksperiencën dhe dijet e tyre.

Studentët e shkencave Mjekësore Teknike në UET kanë avantazhin e të studiuarit një ambient kulturor ku kultivohet etika, ambient liberal ku shkëmbehen ide, promovohen dhe botohen libra. Studentët që do të përfundojnë në këtë fakultet, nuk do të kenë vetëm një diplomë, por do të jenë të formuar dhe si njerëz me kulturë qytetare. Duke qenë pjesë e një universiteti të madh të ndërtuar nga studentë dhe pedagogë të karaktereve dhe ekspertizave nga më të ndryshmet, falë edhe themeleve të shëndosha.

Këtë vit akademik ky Fakultet është konsoliduar tashmë në të gjithë programet e studimit, duke shënuar rreth 500 studentë të regjistruar deri më tani si dhe duke themeluar Qendrën e Kërkimit Shkencor. Kjo strukturë është e përbërë nga 7 pedagogë dhe kërkues shkencorë, personalitete të shquara të akademisë dhe mjekësisë në vend si ish-dekanë, ish-rektorë e drejtues. Qendra do të hartojë planin e punës dy vjeçar, duke kombinuar brezat dhe përvojat, për të dhënë kontributin e vetë në politikat e shëndetit publik dhe politikat e kualifikimit për personelin e  mjekësisë në vend. Mjekët dhe pedagogët e shquar si Isuf Kalo, Fedhon Meksi, Nestor Thereska, Zef Delia, Aleksandër Dhima si dhe kërkuesit e rinj shkencor Odeta Cacaj dhe Dritan Idrizi, janë pjesë e ekipit të punës.
Drejtuesi i Qendrës së Kërkimit Shkencor të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike UET, Prof. Dr. Isuf Kalo, shprehet se kjo strukturë vjen në funksion të formësimit të plotë të Fakultetit.
“Qendra kërkimore plotëson misionet e universitetit, ku përveç nxënies së dijes përmes leksioneve i jep prioritet edhe krijimit të një kulture për të kërkuar të rejat shkencore. Është një strukturë e përberë nga profesorë të shquar Emeritus, me eksperiencë të madhe në mjekësi, të cilët do të ofrojnë jo vetëm përvojën por edhe vizionin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit tonë shëndetësor në fusha të ndryshme, njëkohësisht duke evidentuar cilat duhet të jenë prioritet e shëndetësisë tonë, duke propozuar edhe platforma për përmirësim.”

Sot flitet gjithnjë e më shumë për kërkimin shkencor në universitetet, duke e vendosur këtë kriter dhe një nga kriteret kyç në rankimin e universiteteve më të mira sot në botë. Në arsimin e lartë shqiptar kërkimi shkencor është në një pikë sfide me vetveten për të konkurruar në një terren ndërkombëtar. Për këtë arsye, Universiteti Europian i Tiranës ndër vite i ka i dhënë përparësi kërkimit shkencornë zhvillimin e konferencave shkencore, revistave shkencore, kërkimeve, workshop-eve etj.

Krahas përpjekjeve të vazhdueshme për cilësi të lartë në mësimdhënie dhe shërbime shumë të mira të studentëve, UET fokusohet në mënyrë të veçantë në zhvillimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin, si edhe në projektet për ndërtimin e kapaciteteve në arsim. Këto dimensione shërbejnë jo vetëm për të ushqyer e përmirësuar mësimdhënien dhe shërbimet studentore, por gjithashtu mund të impaktojnë edhe komunitetin, politikëbërjen dhe shoqërinë shqiptare në tërësi, ndaj UET strategjikisht synon të lidhë fort kërkimin shkencor me zhvillimin e vendit. Kërkimi shkencor në UET është gjithashtu në funksion të rritjes cilësore të mësimdhënies e mësim-nxënies nëpërmjet ngritjes së kualifikimit dhe ekspertizës së stafit akademik, transferimit të arritjeve bashkëkohore në fushën e shkencës tek studentët si dhe përfshirjes së këtyre të fundit në veprimtari kërkimore.

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike zhvillon që prej vitit të kaluar edhe një konferencë shkencore dedikuar diskutimit të problematikave të ndryshme në fushën e shëndetësisë. “Forumi i Shëndetit Publik 2018” u zhvillua vjet në dhjetor të vitit të kaluar për herë të parë dhe bëri bashkë, mjekë, pedagogë, kërkues shkencorë, e maturantë nga e gjithë Shqipëria të cilët morën pjesë në diskutime të shumta mbi sektorin e shëndetësisë në vend. Maturantët, së bashku me mësues të tyre por edhe studentë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike u njohën me disa nga problematikat që shoqërojnë mjekësinë sot si dhe mënyrat se si mund të zgjidhen ato. Në atë që mund të konsiderohet një ‘takim brezash’ veçanërisht të rinjtë përfituan nga eksperienca e rrëfyer, e shumë prej mjekëve më në zë shqiptarë që ishin të ftuar në këtë aktivitetet edhe si lektorë. Pedagogët e nderuar prezantuan në një sallë ku gjendeshin jo vetëm ata të cilët aspirojnë të bëhen e ardhmja e mjekësisë në vend por edhe profesionistë të konsoliduar tashmë, që kanë qenë studentët e tyre në vite. Kjo konferencë shkencore është një nga 5 aktivitetet rinore që UET organizon përgjatë gjithë vitit në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko, për secilin prej Fakulteteve të tij.

Në kuadër të kërkimit shkencor UET boton prej vitesh revistat e tij shkencore. Që prej vitit të kaluar edhe Fakulteti e Shkencave Mjekësore Teknike ka revistën e tij “Medicus”, e cila mbart edhe filozofinë që do të ketë kjo hapësirë e re për mjekësinë në Shqipëri. Revista Medicus është përgatitur nga një grup profesionistësh, të udhëhequr nga dekani themelues i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, Isuf Kalo. Është një revistë, e cila reflekton ambicien e këtij universiteti për ta parë mjekësinë sa më bashkëkohore. Së shpejti ‘Medicus’ do të dalë në numrin e saj të tretë, botim në gjuhën shqipe dhe atë anglisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *