Fjala e Presidentit

UET, NË DEKADËN E DYTË

PROF. DR. ADRIAN CIVICI / PRESIDENT I UET

Ky vit akademik përkon me fillimin e dekadës së dytë të jetës së Universitetit Europian të Tiranës.

Nga themelimi në 2006, UET nuk ka rreshtur përpjekjet për reformimin, strukturimin dhe kompletimin e tij, proceseve dhe iniciativave të cilat sigurojnë diplomimin me cilësi sa më të lartë të studentëve tanë. UET është aktiv në hapësirën shoqërore mbarëshqiptare dhe atë ndërkombëtare, në  botën e ideve, nismave inovatore dhe zhvilluese, botimeve akademike dhe shkencore, projekteve dhe lidhjeve të ngushta me aktorët kryesorë të tregut të punës. Kjo plotëson profilin e një  universiteti tërësisht në shërbim të misionit të tij publik – përgatitjes së studentit, qytetarit,  specialistit, demokracisë dhe shoqërisë.

Tashmë, ne gjykojmë se ka ardhur momenti për të kaluar në një fazë tjetër, në dekadën e dytë të UET, si një universitet më universal në ofertën e tij akademike e shkencore. Eksperienca dhe rezultatet inkurajuese të dhjetë viteve të para, konsolidimi i treguesve të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, vlerësimet pozitive të akreditimit për të tre ciklet e studimit dhe sidomos vlerësimi maksimal i akreditimit britanik, na shtyjnë të ndërtojmë një strategji e objektiva të reja të konkretizuara në hapjen e mjaft programeve të reja në fushën e mjekësisë, inxhinierisë, arkitekturës, arteve dhe sportit, informatikës dhe teknologjive moderne, agrobiznesit dhe zhvillimit rural, burimet natyrore, etj. E gjithë kjo do mbështetet nga një staf akademik cilësor dhe mbi të gjitha nga ndërtimi i një kampusi të ri modern, i pajisur dhe kompletuar më së miri në funksion të realizimit të këtij objektivi.

Ju uroj suksese dhe ju mirëpresim në UET.
Të ecim së bashku në rrugën e dijes dhe profesionit.