Festivali letrar i Razmës, një akt rigjallërimi për krijimtarinë letrare

Edicioni i pestë i Ditëve Letrare të Razmës

 

Janë zhvilluar Ditët Letrare të Razmës kushtuar letërsisë shqipe, organizuar nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET. Përgjatë këtyre tri ditëve u organizua edhe konferenca shkencore me temë “Gjuha, letërsia dhe identiteteti” si dhe njëkohësisht u shpall fituesi i çmimit letrar “Kadare”.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale Prof. Asoc. Dr. Belina Budini thekson se Ditët Letrare të Razmës kanë krijuar tashmë një historik të marrëdhënieve të Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit në UET me shkrimtarët, studiuesit e letërsisë, linguistikës dhe shkencave të komunikimit, si edhe publicistë e njerëz të letrave e intelektit si edhe përkthyes e gazetarë të kulturës në vend. “Edicionet e shkuara si edhe ky edicion i këtij viti kanë tanimë aktet e tyre për sa i përket kontributeve në refleksione, me anë të kumtesave e referimeve si edhe librat e autorët e promovuar. Programet e reja të studimit në Letërsi si edhe në Linguistikë e Gjuhë të Huaja, krijojnë më shumë mundësi për kontakte dhe ndërveprim në këto fusha. Kështu, për shembull, viteve të fundit këtij eventi të përvitshëm i janë bashkuar edhe mësues letërsie në shkollat e mesme si edhe gjimnazistë e të rinj të interesuar për letërsinë dhe artet nga gjimnazet kryesore. Pjesëmarrja e tyre i ka dhënë Ditëve Letrare të Razmës më shumë frymëmarrje dhe ritëm. Ata përfshihen në mënyrë aktive në diskutimet dhe forumet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve, duke i bërë ato më dinamike, kritike si edhe të vlefshme për veten e tyre dhe të pranishmit.

Çdo edicion i këtij festivali letrar ngjan me një akt rigjallërimi për letërsinë shqipe, duke qenë se marrin pjesë në garën për cmimin letrar Kadare dhjetëra autorë me dorëshkrimet e tyre, një formulë kjo mjaft e vecantë për të inkurajuar dhe mbështetur krijimtarinë e re të autorëve shqiptarë në letërsi”, shprehet dekania Budini.

 

Diskutimi mbi gjuhën, letërsinë dhe identitetin

Nuk i mungojnë këtij aktiviteti as forumet e hapura me personalitete të ftuara nga fusha e letrave dhe e mediave, që u përgjigjen pyetjeve të gjimnazistëve dhe të pranishmëve të tjerë. Krahas përfaqësuesve të Fakultetit dhe Departamentit në UET, referues gjatë këtyre ditëve ishin edhe anëtarët e jurisë, si Mehmet Kraja, Diana Kastrati e Bashkim Hoxha, ashtu si edhe kolegë nga Kosova si Rexhep Hoti, Arlind Farizi, Valdet Hyseni, Emin Emini etj.

Në këtë qëndrim treditor krahas ekspertëve të fushës, të pranishëm ishin edhe maturantë dhe studentë, të pasionuar pas letërsisë, të cilët kontribuuan me mendimet e tyre në këtë tryezë diskutimi. Ditët Letrare këtë vit kishin në fokus konferencën me titull “Gjuha, letërsia, identiteti”, organizuar nga Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës në bashkëpunim me Institutin Europian “Pashko”. Që prej vitit të kaluar, ofertës akademike të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, i janë bashkëngjitur edhe degë të tilla si Letërsia apo Gjuhësia. Studiues dhe profesorë nga hapësirat shqiptare, si Kosova dhe Maqedonia, u bënë bashkë për të kuptuar mbi mënyrën sesi çështje të identitetit janë trajtuar në letërsinë tonë. Identiteti kulturor është shumë i rëndësishëm dhe, në këtë aspekt, studiues të ndryshëm u ndalën në mënyrën se si letrat, apo letërsia shqipe e kanë shtjelluar çështjen e identitetit dhe përse kjo e fundit është më dominante dhe më e pranishme në krahasim me letërsinë botërore, në pothuajse të gjitha veprat e shkrimtarëve shqiptarë. Gjuha si medium letrar dhe identitar, komunikimi ndërkulturor përmes gjuhës dhe letërsisë, identiteti etnik dhe kulturor në letërsi, identitetet sociale në letërsi, tjetri në letërsinë shqipe, identitetet gjinore në letërsi, retorika publike dhe paradigmat narrative, politikat e identitetit dhe ligjërimi publik etj., ishin këto disa nga temat që u trajtuan nga ligjëruesit në këtë konferencë.

Çmimi “Kadare” 2019

Shpallja e Çmimit letrar “Kadare” është pa diskutim ngjarja kryesore e këtij “festivali” që zgjati tri ditë, shoqëruar edhe me një konferencë shkencore të mirëfilltë, ku tema e këtij viti ishte “Gjuha, letërsia dhe identitetet”. Anëtarët e jurisë për dhënien e çmimit janë referues të konferencës, por po kështu marrin pjesë edhe studiues e pedagogë të gjuhësisë, letërsisë, komunikimit dhe gazetarisë nga Shqipëria, Rajoni, si edhe të huaj.

Krahas konferencës shkencore, përgjatë tri Ditëve Letrare të Razmës, u shpall edhe fituesi i çmimit “Kadare”. Ky konkurs është një nga më të rëndësishmit në vend dhe ka për qëllim të mbështesë shkrimin e letërsisë shqipe, si dhe të inkurajojë autorët e letrave shqipe në krijimtarinë e tyre. Ndryshe nga organizimet e tjera, ky konkurs ka në fokus dorëshkrimin, pra kriter është që vepra letrare me të cilën autorët konkurrojnë, të mos jetë e botuar më parë. Ky çmim jepet nga Instituti Europian “Pashko”, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës dhe këtë vit numri i dorëshkrimeve që garuan për vendin e parë, ishte rreth 50. Juria e çmimit “Kadare”, kryesuar nga Bashkim Hoxha, në përbërje të së cilës ishin shkrimtarët: Mehmet Kraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati, nga pesë finalistët e shpallur, pas një procesi të gjatë diskutimi, kanë përzgjedhur autorin që fitoi çmimin e madh “Kadare”. Pesë finalistët e këtij çmimi ishin: Fate Velaj, Ylljet Aliçka, Mimoza Hysa, Loer Kume dhe Roland Gjoza dhe çmimi shkoi për Loer Kumen, një shkrimtar që përfaqëson një gjeneratë të re, ndërsa vepra e tij është një përmbledhje interesante me tregime. Juria e ka marrë këtë vendim mbi motivacionin: “Si përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercialitetit dhe të zakonshmes në letërsi”.

Diskutimet e shumta të zhvilluara përgjatë Ditëve Letrare të Razmës, si dhe rezultatet që ato prodhuan, do të vijnë të përmbledhura së shpejti në një libër, përmbledhje ekstraktesh shkencore, që do t’u shërbejë të gjithë atyre që merren me kërkimin e identitetit dhe kulturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *