Prof. Asoc Dr. Ermela Kripa – Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit –

Ermela Kripa ka marrë titullin Profesor i Asociuar në dhjetor të vitit 2015, pranë Universitetit Bujqësor, të Tiranës si dhe gradën Doktor i Shkencave në Financë, në Universitetitin e Tiranës, pranë Fakultetit Ekonomik.

Ka përfunduar Masterin Shkencor në Universitetin  “Roma Tre” në Itali, si dhe ciklin e studimeve Bachelor në fushën e Financës po në Universitetin “Roma Tre”.

Znj. Kripa ka publikuar shumë artikuj shkencor në revista të njohura shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Gjatë vitit 2023, ajo ka mbyllur me sukses Visiting Researcher pranë Universitetit “Aldo Moro” në Bari, Itali. Ajo ka një eksperiencë 16-vjeccare në mësimdhënie. Fusha e saj e ekspertizës është Kontabiliteti dhe Analiza e Pasqyrave Financiare. Aktualisht, mban pozicionin e dekanes pranë Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Gjatë periudhës mars 2022 – dhjetor 2023, ka mbajtur pozicionin e përgjegjëses së departamentit në Departamentin e Shkencave Ekonomike dhe Sipërmarrjeve pranë fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Sociale të Universitetit Katolik “Zoja e Këshilit të mirë”. Prej nëntorit 2019 deri në dhjetor 2023,  ka qenë pedagoge pranë Shkencave Ekonomike dhe Sociale të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të mirë”.  

Dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare – Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe

Nga viti 2021, Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe, mban pozicionin e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe, është diplomuar në Drejtësi në vitin 2005 në Universitetin e Maceratës në Itali, ku ka përfunduar edhe studimet Master “Bashkëpunim dhe Zhvillimin në Euro-Mesdhe” pranë Fakultetit të Shkencave Politike. Në vitin 2010 ka përfunduar studimet doktorale me rezultate të shkëlqyera në fushën e të drejtës familjare në Universitetin e Maceratës në Itali. Nga viti 2015 është “Profesor i Asociuar”.

Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka një përvojë të gjatë akademike dhe ka kryer trajnime të shumta profesionale. Ajo ka marrë pjesë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare si dhe ka publikuar një sërë artikujsh në revista shkencore prestigjoze brenda dhe jashtë vendit. Në periudhën 2010-2018, Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka mbajtur pozicione të rëndësishme akademike pranë Universitetit Europian të Tiranës si: Anëtare e Senatit Akademik, Përgjegjëse e Departamentit “E Drejtë Private”, Drejtuese Profili në Shkollën Doktorale etj.

Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka një eksperiencë mbi 15 vjeçare si juriste, duke bashkëpunuar me zyra ligjore, institucione dhe organizata vendase dhe të huaja. Nga viti 2013 është liçensuar si avokate nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Shqipëri. Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka bashkëpunuar gjithashtu si eksperte ligjore në projekte të rëndësishme në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në periudhën 2018-2021, ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Njësisë së Zbatimit të Projektit ProSEED (GIZ)  pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Fushat e saj të interesit janë të lidhura me: të drejtat e njeriut, mosdiskriminimin dhe barazinë gjinore, të drejtën familjare, mbrojtjen e të miturve, migracionin, politikat e punësimit, mbrojtjen e grupeve vulnerabël etj.

Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale – Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës ku aktualisht është Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale si dhe drejton Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit. Më parë, ka mbajtur funksionin e drejtueses së departamentit të Komunikimit dhe të Marrëdhënieve Publike, në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2018. Ka kryer studimet Master në Universitetin e Londrës, Goldsmiths College dhe ato doktorale në Universitetin e Tiranës, për komunikim dhe media. Mban gradën Prof. As. Dr dhe është autore e librave “Tri kohë të Shqipërisë në TIME, 1923-2013”, publikuar në vitin 2014 dhe “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, publikuar në vitin 2009. Është autore e shumë artikujve dhe analizave të publikuara në media. Ka organizuar, drejtuar dhe marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ka sjellë në shqip disa tekste ndërkombëtare të fushës së komunikimit, duke bashkëpunuar me shtëpi botuese prestigjioze si Mc.Graw Hill Education, Macmillan Education, Sage, etj.

Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës –  Prof. Asoc.  Dr. Teuta Xhindi

Prof.As.Dr.Teuta Xhindi ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Matematikë si dhe në Universitetin e Shkodrës dega Administrim Biznes.Në vitin 2014 ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në vitin 2021 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.

Prof.As.Dr.Teuta Xhindi ka eksperiencë të gjatë në mësimdhënie në lëndët e matematikës, statistikës dhe ekonometrisë. Gjithashtu, është e angazhuar në një sërë projektesh dhe studimesh në rolin e ekspertes në mbledhjen dhe analizën e të dhënave.

Prof.As.Dr.Teuta Xhindi është pjesë e Rrjetit të Grave në STEM, të krijuar nga SCiDEV, që synon të kontribuojë në fuqizimin social dhe ekonomik të grave duke rritur përfaqësimin e tyre në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), si në akademi ashtu edhe në industri.
Aktualisht është profesore me kohë të plotë pranë Departamentit Informatikë dhe Teknologji, UET si dhe Dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës pranë këtij universiteti.

Dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike – Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama

Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama është Doktore e Shkencave në Mjekësi nga Universiteti i Hamburgut, Gjermani. E specializuar dhe diplomuar me titull “Psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë“ nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta i ka kryer në Mjekësi, në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer disa specializime jashtë vendit nga Qëndra Universitare Charite-Berlin, Qëndra Universitare e Hamburgut, Universiteti i Amsterdam-it, King’s College London, Qëndra Spitalore Universitare e Vienës dhe Universiteti i Salzburgut. Me eksperiencë klinike dhe e liçensuar në fushën e shëndetit mendor të fëmijëve dhe Adoleshentëve që nga viti 2008. Autore e disa botimeve brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2013 punon si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, si edhe në funksionin e Drejtueses së Departamentit në vitet 2018-2021. Fokusi i saj kërkimor është në Psikopatologjinë e fëmijërisë dhe adoleshencës. Në vitet 2004-2009 ka punuar në zyrën e marrëdhënieve me jashtë të Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës si koordinatore e projektit amerikano- austriak «Open Medical Institute» për edukimin e mjekëve në vazhdimësi.