Brenda opozitës ka krizë, shoqëria peng i politikës

Elda Dedja

Sezoni i parë në Top Channel, emisionet që ngjallën më shumë debat dhe një dekriptim i aktualitetit politik,  në nisje të sezonit të dytë të “Open”. E ftuar në Forumet UET, gazetarja flet për gjuhën e kryeministrit ndaj mediave, shkarkimin e presidentit, ngritjen  e Erion Veliajt dhe krizën brenda opozitës mes Bashës dhe Kryemadhit

Në ciklin e përjavshëm të Forumeve UET, këtë të martë ishte e ftuar  gazetarja e mirënjohur Eni Vasili. Në një bashkëbisedim me studentë të Komunikimit dhe Shkencave Politike si dhe pedagogë të UET, ajo ndau  eksperiencën e suksesit të emisionit “Open”, i cili prej së hënës  ka nisur  sezonin e dytë. Krahas  diskutimeve mbi sezonin e parë, i pasur në debate dhe ngjarje politike që kanë ngacmuar opinionin publik, Eni Vasili iu përgjigj edhe  pyetjeve lidhur me  aktualitetin në vend si dhe sfidave të profesionit. Gazetarja ndau  me të pranishmit  përjetimet e saj mbi librin “Unë kam vrarë”, botuar nga UET Press, një libër me intervistat e 10 grave  të dënuara për vrasje, rrëfenjat njerëzore të së cilave flasin për një anë të errët të realitetit shqiptar.

Në 2020 bëhen  30 vite të tranzicionit shqiptar, që nga dhjetori i vitit 1990. Sipas mendimit tuaj, kush ka kontribuar më shumë në proceset demokratike, gazetarët e medias në përgjithësi apo politikanët? Apo përballja mes këtyre dy aktorëve?

Pyetje e vështirë për t’ju përgjigjur në kaq minuta, por një përgjigje e kam. Sigurisht të dyja palët kanë kontribuar në një mënyrë apo një tjetër, mendoj që deri dikur, nuk ka qenë një përballje e lehtë, sepse ka pasur një kohë kur edhe pesha specifike e një gazetari të thjeshtë ka qenë shumë më ndryshe se sa sot. Sot kur gjithkush mund të jetë një gazetar, ku bota e internetit i ka kthyer të gjithë në reporterë, pesha specifike e një gazetari të mirëfilltë dhe të thjeshtë ka qenë ndryshe. A kanë ndikuar politikanët? Të thuash jo është e vështirë po të kujtojmë se kush ishim. A mund ta kishim bërë më mirë? Kjo nuk diskutohet. Sa kanë ndikuar gazetarët dhe a mund të kishin ndikuar më shumë? Këtu do të isha shumë e matur të flisja. Unë di që kolegët e mi, shumë prej tyre, kanë bërë më të mirën dhe shpesh edhe me sakrifica. Ka mes tyre edhe nga ata që kanë bërë “pakt me djallin” në profesionin e tyre, kanë tradhtuar misionin e gazetarisë, kanë bërë pakt me pushtetin dhe janë bërë palë me të, edhe kjo sigurisht nuk është kontribut në demokratizimin e një shoqërie, kushdo qoftë ajo. Por nuk mund ta ndaj kush ka bërë më mirë dhe kush më keq. Jemi të gjithë pjellë e një shoqërie, politikanë, gazetarë, mjekë, gjithsecili me përgjegjësitë dhe “mëkatet” tona.

Dy vitet e fundit vihet re një lloj gjuhe e politikanëve, nga të dyja krahët, “kazan”, “kadri”, “oligarkë”, e shumë etiketime të tjera. Disa herë është përmendur edhe emri juaj apo i kolegëve tuaj, si të paguar nga ana e lobeve greke apo të vendeve të tjera të huaja. Si ndihen gazetarët nën këtë presion, qoftë të politikës, qoftë të rretheve të tjera të shoqërisë?

Një gazetar profesionist duhet të jetë i përgatitur për këtë gjë. Unë mendoj që gazetarët në Shqipëri me gjuhën e kryeministrit tashmë janë mësuar. Që prej vitit 2000, Rama është i pranishëm në jetën publike shqiptare dhe sigurisht nuk e ka nisur duke i thënë medias “kazan”, përkundrazi është munduar të jetë miqësor me të. Me kalimin e viteve ka pasur gjithnjë një qasje ndryshe nga të tjerët dhe vitet e fundit –  i referohem viteve pas 2013-ës,  kur ai mori postin e kryeministrit-, përballja ka qenë gjithnjë e më intensive dhe e vështirë. Nuk janë të thjeshta përballjet me të, edhe intervistat. Një herë që unë e ftova në studio, i thashë: “Mirëserdhët në “kazan”!”. Për sa kohë ai na konsideron “kazan”, pranon të vijë edhe në “kazanin” tonë, e vlen ta mirëpresim dhe ai tha “Mirësejugjeta, ju bëj të fala nga ‘kazani’ im”.

A duhet ta marrim seriozisht kryeministrin në mënyrën se si i drejtohet medias? Unë mendoj patjetër që po, pasi është një mënyrë e tij për relativizimin e rolit të medias në Shqipëri dhe kryesisht mediave e gazetarëve kritikë. Sa më shumë ai përsërit termin “kazan” aq më shumë shkon kjo në memorien e një njeriu të thjeshtë që nuk ka kohë të mendojë e të reflektojë, por thjesht të marrë mendime të gatshme. Unë e gjej shumë shpesh tani këtë term, të përdorur nga njerëz të thjeshtë në rrugë, apo komentues në rrjete sociale. Unë nuk mendoj që Rama e thotë këtë gjë kot, e ka të mirëmenduar këtë veprim dhe arsyeja e tij kryesore është pikërisht kjo:  relativizimi i rolit të medias dhe kryesisht asaj kritike.

A është kjo e thjeshtë? Në fund fare, kryeministri ka detyrat dhe qëllimet e tij. Në këtë është edhe i suksesshëm, siç thashë, ka ndikuar në opinionin e përgjithshëm për media apo gazetarë të caktuar. Por media ka një detyrë krejt tjetër, të merret me gabimet e tij, të bëjë opozicionin e qeverisjes, të thotë disa të vërteta dhe për këtë nuk ka përse e pengon kryeministri. Nuk e shikoj të vështirë, kush dëshiron të bëjë punën e tij, e ka të mundur këtë gjë. Kush do të merret me kryeministrin gjithashtu ka mundësi ta bëjë, është në të drejtën e tij ta bëjë edhe këtë.

Gjatë këtyre ditëve të fundit kanë qarkulluar shumë lajme rreth lëvizjeve të ndryshme në televizione, një prej tyre është edhe lajmi i kolegut tuaj, Sokol Ballës në News24, media me të cilën ju keni bashkëpunuar për disa vite,  si dhe është folur se emisioni i tij do të zhvillohet katër herë në javë. Ndërkohë i ftuar herën e kaluar në Forumet UET, ishte Blendi Fevziu, në kuadrin e bashkëpunimit 10 vjeçar me shtëpinë botuese UET Press, i cili deklaroi se emisioni i tij “Opinion” edhe këtë sezon do të vazhdojë formatin e tij tradicional, katër herë në javë. Ju znj. Vasili, ndonëse jeni në një televizion shumë popullor, a e konsideroni këtë një konkurrencë shumë të fortë që mund t’ju cenojë në audiencën, meqenëse jeni vetëm dy  herë në javë në transmetim?

Jo,  nuk e shoh kështu. Mendoj se Shqipëria nuk prodhon realisht aq debat politik, sa mund të mbajë një televizion gjeneralist, katër herë në javë. Ju e thatë, Top Channel është një televizion popullor, por gjeneralist, që do të thotë që përveç politikës është edhe dimensioni i argëtimit, spektakleve, etj. Mendoj se është detyrë e Top Channel t’i ofrojë publikut edhe këto dhe mendoj se ka mjaft emisione politike në vend, ndoshta më shumë se ç’duhet e nuk ka përse t’i shtohet edhe “Open” katër  herë në javë. Mjafton që “Open” është në ditët e veta dhe mjafton të jetë mirë në ato ditë. Përndryshe  do të binim në përsëritje,  pasi personazhet janë ato që janë, partitë tkurren gjithnjë e më tepër brenda “oborreve” të tyre për të mos iu qasur opinionit publik dhe kjo,  e bën gjithnjë e më të madh riskun për të rënë në përsëritje. Përkundrazi, mendoj se qëndrimi në këto dy ditë është një zgjedhje e mirë për të qenë edhe në cilësi,  edhe në sasi të qartë dhe të saktë.

Çështja e këtyre dy ditëve të fundit, është Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. A mendoni se ky komision mund t’i arrijë objektivin për të vërtetuar akuzat për shkeljen e kushtetutës nga presidenti?

Sigurisht që jo, edhe juristë në studion time e thanë disi këtë, edhe qëllimi i tij do të vijë duke u zbehur. Më shumë se çfarë do të arrijë ky komision, vetë krijimi i tij ishte lajm. Fakti që një maxhorancë për herë të parë krijon një komision hetimor për presidentin, që e thërret atë e që presidenti shkon të paraqitet në një komision hetimor të tillë, unë mendoj që lajmi më i madh që mund të prodhonte ky emision është ky. Nuk do të ketë ndoshta një lajm tjetër përpos tij,  sepse edhe raporti që besoj do të dalë përpara datës 8 tetor nuk do të ketë shumë surpriza,  por edhe rruga për të shkuar drejt shkarkimit të presidentit është shumë e gjatë. E vështirë të parashikohet se ç’do të ndodhë deri atëherë,  por nga pikëpamja juridike është thuajse e pamundur.

U bënë më shumë se 6 muaj që opozita bojkotoi të gjitha institucionet duke djegur mandatet e saj, ndërkohë që maxhoranca vijon e pa shqetësuar, duke zhvilluar edhe zgjedhjet lokale më 30 qershor. A ju duket sikur opozita dhe kreu i saj Z. Basha janë në një krizë identiteti apo përfaqësimi?

Që ka një krizë brenda vetë opozitës, ndoshta e mira është që kjo të thuhet. Që mes Kryemadhit dhe Bashkës, herë pas here nuk ka ujëra të qeta,  edhe ky është fakt. Që në 15 vjetorin e LSI-së, Lulzim Basha nuk ishte prezent dhe kishte dërguar atje vetëm Z. Spaho dhe Znj. Vokshi edhe ky është një fakt tjetër, i cili u interpretua si një tjetër ftohje mes dy krerëve të dy partive kryesore të opozitës. Sigurisht kriza nuk është vetëm brenda opozitës. Fakti që opozita nuk është në parlament është një mangësi e madhe e jetës demokratike të vendit. I kujt është faji për këtë, ky është një debat i madh, por unë mendoj se djegia e mandateve dhe largimi nga sistemi nuk është një akt që vlen të përshëndetet. Sigurisht është në të drejtën e opozitës të marrë vendimet e saj, por unë mendoj që është një vendim që nuk i ka sjellë ndonjë të mirë vendit. Maxhoranca deri më tani edhe për shkak të mungesës së opozitës ka marrë avantazhet e veta dhe e kam fjalën këtu për të gjitha bashkitë, që drejton sot. A është e mirë kjo për vendin?  Do të  thosha padyshim jo, por unë mendoj që “topin” e ka opozita në këtë moment, në mënyrën se si do t’i qaset publikut. Një ndjesi përjashtuese për vetveten opozita vazhdon ta ketë akoma, i referohem këtu idesë së bojkotit të mediave, e cila më duket një gafë e madhe nga ana e opozitës. Një opozitë që nuk është në parlament e në media vështirë të kuptohet se ku do ta bëjë opozicionin realisht. Këto vendimmarrje vetë-përjashtuese, duke djegur mandatet, e duke bojkotuar mediat gjithnjë nëse do ta bëjë pasi nuk ka ende një vendim zyrtar, por paralajmërime të tilla ka, mendoj që i bëjnë dëm gjithë shoqërisë e demokratizimit të saj, por mbi të gjitha vetë opozitës.

Në kupolën e maxhorancës kanë ndodhur shumë ndryshime, përveçse kreut të lartë. Ish-ministri Tahiri nuk është më pjesë e strukturave të PS për shkak të problemeve me drejtësinë, Z. Bushati, ish-Ministër i jashtëm i cili nuk ka një funksion politik pranë kësaj partie, si dhe lëvizje të tjera. A mos është kjo një “hapje rruge” për Z. Veliaj që të ngjitet në krye të Partisë Socialiste?

Kush do t’ia kishte bërë këtë dhuratë? Unë e mendoj politikën ndryshe, ku gjërat nuk dhurohen por fitohen dhe askush nuk është në mënyrë të rastësishme atje ku është. Mendoj që Z. Veliaj është një politikan ambicioz që i ka ngjitur shumë shpejt shkallët e karrierës, por mendoj që gjithsesi i ka fituar. Lëvizjet në kabinetin qeveritar mendoj se nuk kanë asnjë lidhje me Z. Veliaj dhe se lëvizjet që Z. Rama ka bërë,  janë thellësisht të motivuara nga kënaqësia apo pakënaqësia në raport me punën e ministrave të tij. Sipas informacioneve që ne kemi në media, ishin lëvizje të parapërgatitura, pavarësisht se u bënë në një moment  të caktuar,  për të përligjur luftën me opozitën e kështu nuk mendoj se ato lëvizje kanë pasur si pikësynim Erion Veliajn.

A e favorizojnë këto “konsumime” të kolegëve të tij atë?  pse jo, por nuk mendoj se dikush ka dalë atje për t’i dhuruar postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Përkundrazi, pavarësisht se Rama thotë se do ta ketë një jetë të dytë pas politikës, unë nuk mendoj se do të jetë kaq e shpejtë.

Mbi librin tuaj “Unë kam vrarë”, si jeni ndjerë ju në intervistat e kryera me gratë e burgosura, të dënuara për vrasje, duke marrë parasysh faktin që keni qenë përballë këtyre personazheve që rrëfenin historinë e jetës së tyre?

Sa më shumë i largohem në kohë realizimit të librit, aq më shumë e pyes veten se si kam arritur ta përballoj dhe si e përfundova, sepse dilemat nëse duhet ta çoja deri në fund ose jo, kanë qenë të shumta. Është një eksperiencë që, kur u futa në të, nuk e kuptova ku po futesha, por di të them që kontakti me ato gra është ndër eksperiencat më të forta humane që kam përjetuar. Ato përfaqësojnë disa lloj historish, të cilat nuk mund të të lënë indiferente jo vetëm si gazetare, por edhe si qytetare, si grua. Ndjesia e parë që ke është se do të bësh diçka dhe unë kam kaluar shumë kohë në burg,  për t’i marrë ato intervista. U përfshiva me disa prej historive, por çfarë t’ju them?! Janë gra që kanë nevoja minimale, të cilat kanë kryer një krim, një vrasje në familje, por që kanë braktisur familjet dhe kur u vjen dita për të dalë nga burgu, nuk kanë një njeri që t’u marrë një certifikatë,  në mënyrë që dy vitet e fundit të dënimit t’i bëjnë nga shtëpia. Nuk kanë askënd dhe rrinë në burg deri në ditët e fundit. Dramat që konsumohen në ato pak metra katrorë të burgut të grave, janë të tmerrshme. Vetë jeta e tyre është e tillë. Tema e librit është shumë delikate pasi në fund të fundit ke të bësh me një vrasje, dikush është vrarë. Janë dy palë, ato të cilat janë vrasëse për ligjin janë edhe personazhet e tyre të cilët po të lexosh intervistat, nuk arrin të kuptosh mirë se kush janë vrasësit e vërtetë; viktimat apo ato vetë.

Një vit Open në Top Channel

 Bëhet fiks një vit nga nisja e bashkëpunimit për emisionin tuaj “Open”, me një nga televizionet më të mëdha në vend siç është Top Channel  dhe shënon po ashtu një vit ku ishit prezentë në forumet UET, periudhë që përkon me fillimin e emisionit. Si e konsideroni eksperiencën e një viti me “Open”, atë të sezonit të parë, ku keni trajtuar temat më të nxehta të aktualitetit politik, ku ndër to mund të përmendim edhe çështjen “Xhisiela” shumë e debatuar atë kohë në media?

Jam kaq e qetë, për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje  tani, sepse kam qenë e shqetësuar gjithë vitin.  E them këtë sepse në fakt kalimi në Top Channel, për mua ishte sfidë,  në një kuptim. Edhe përse kam 15 vite në tregun e emisioneve televizive me markën time, kalimi nga një televizion që kishte karakter thellësisht informativ e  ku politika ishte e përditshme, në një televizion gjeneralist, ku emisionet politike kanë vendin e tyre por jo të barabartë sa në një televizion informativ, ishte një sfidë. Kam  qenë e shqetësuar në kuptimin e përballimit të kësaj sfide por mund të them pa drojë, një vit më pas,  që e kam kaluar me sukses. E kemi kaluar me sukses si staf dhe jam shumë e kënaqur për një sukses të gjithëpranuar nga televizioni ku punoj, nga kolegët, gazetarët, konkurrenca.

Ka qenë një vit jo vetëm mes sfidash,  por fatmirësisht edhe mes ngjarjesh politike. Ka pasur mjaftueshëm debat politik, ngjarje politike, të cilat ne gazetarët më pas arrijmë t’i përkthejmë edhe në përballje opinionesh. E konsideroj një sezon të parë të suksesshëm si në shifrat e audiencës, ashtu edhe në vëmendjen e audiencës në rrjete sociale, YouTube, etj.

Kur ndalemi në elementet apo ngjarjet e caktuara që përshkuan vitin e kaluar, çështja e Xhisiela Malokut ka qenë ndër ato çështje që ka marrë vëmendje shumë të madhe. Ka qenë një rast shumë interesant, ku e vërteta e asaj ngjarjeje – nëse e kujtoni apo dëshironi ta dini-, është se unë realizova një intervistë. Ishte ditë e diel dhe  Xhisielën, personazhi më i kërkuar i momentit, nuk e gjente dot kush. Arrita të bëj me të një intervistë në një bar të rastësishëm të Durrësit, thuajse e paparashikuar, por gjithsesi ishte lajm dhe pavarësisht të gjithave nuk mund të lihej pa bërë. Të nesërmen ne transmetojmë spotin, ka qenë ndër emisionet e para në Top Channel  dhe që nga ai moment vetë Xhisiela Maloku, disa orë më vonë,  kërkoi  tërheqjen e intervistës. Ajo çfarë kishte ndodhur me pak fjalë, ishte që Xhisiela kishte bërë një pakt me konkurrencën për të dalë dhe atje. Ka qenë ndër emisionet që ka marrë vëmendjen më të madhe. Ka qenë edhe intervista me “Babalen”, edhe ai një personazh që më është dashur ta kërkoj. E gjetëm në kampin e azilimit në Kosovë. Ishte  një emision që po ashtu ngjalli mjaft debate, polemika e pikëpyetje.

Si mbërritëm tek ai? Rëndësi ka që mbërritëm dhe treguam një anë të së vërtetës së asaj ngjarjeje për publikun, se askush nuk i ka të gjitha. Ngjarje politike të rëndësishme ka pasur shumë më pas, por fundi i sezonit kulmoi me një tjetër ngjarje që karakterizoi në mënyrë të veçantë atë muaj kur ishin zgjedhjet.  Ishte  ngjarje që nuk e kërkuam,  por ndodhi. U sulmuam sikur ishim autorë të saj, por e vërteta nuk është kështu. Flas për momentin kur Z. Bardh Spahia, ish-deputeti i Partisë Demokratike, u arrestua drejtpërdrejt në transmetim. Ishte një ngjarje të cilën absolutisht nuk e kërkuam, madje u gjendëm të papërgatitur teknikisht dhe jo vetëm. Edhe Z. Spahiu vetë nuk e parashikoi,  por ishte një moment kulminant nga pikëpamja mediatike dhe e audiencës. Një moment shumë i përfolur, shumë i debatuar edhe ai

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *