Avni Shehu: Ja cili është elementi më i dëmshëm për gjyqësorin

Universiteti Europian i Tiranës ka rinisur ciklin e tij të Forumeve UET, ku i ftuar ka qenë avokati i njohur dhe ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Avni Shehu, në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë për çështje të ndryshme të drejtësisë dhe sistemit gjyqësor në vend.

Ka rinisur tradita e Forumeve UET, ku personalitete të njohura nga fusha të ndryshme profesionale, vijnë për të zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e UET. Në këtë takim të moderuar nga Dekania e Fakultetet të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati, i ftuar ka qenë z. Avni Shehu, një nga avokatët më të njohur në Shqipëri, ish-anëtar dhe ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, si dhe pedagog i së drejtës civile, i cili ka trajtuar disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me drejtësinë në vend. Ai ka ndarë me studentët eksperiencën e tij të pasur profesionale ndër vite, si dhe këndvështrimin e tij mbi problematika të ndryshme që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Në një moment ku në realitetin shqiptar, për vite me radhë e drejta për të studiuar drejtësi është fituar nga shumë studentë dhe tregu i punës është i mbushur me të diplomuar për jurisprudencë, jo pak herë lind dilema nëse një i ri duhet të bëhet pjesë e kësaj bote apo jo. Kësaj dileme, z. Shehu i është përgjigjur duke i inkurajuar studentët të ndjekin dëshirat e tyre, ndonëse konkurrenca në këtë fushë është mjaft e madhe.

“Numri i madh i juristëve sot në treg në asnjë mënyrë nuk mund të shuajë shpresën e atyre njerëzve që duan të vazhdojnë për jurisprudencë. Përkundrazi sa më shumë zhvillohet shoqëria, sa më shumë zhvillohet kapitalizmi, sa më shumë ecën përpara ekonomia, aq më shumë shtohen konfliktet. Të jesh profesionist në këtë fushë nuk do të thotë thjesht të jesh specialist i ligjit, të merresh me anën teknike, por kjo presupozon të jesh një njeri i formuar në shumë pjesë të tjera të domosdoshme të funksionimit të profesionit të juristit. Duhet të jesh i aftë, të kesh një logjikë të fortë argumentuese, të njohësh mirë jetën shoqërore dhe të kesh shumë aspekte të tjera të njohjes së fenomeneve të shoqërisë”, ka thënë z. Shehu, i cili ka shtuar se veçanërisht në këtë moment, juristët e rinj janë të domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë.

“Historia kudo në botë ka treguar se në pjesën më të madhe politike, ekonomike, juristët kanë qenë pjesë e transformimit të shoqërisë. Unë ju inkurajoj. Jeni në një moshë ku veçanërisht Shqipëria sot, për shkak të ndryshimeve që po ndodhin, brezi juaj ka fatin të marrë stafetën që të jetë me të vërtetë një pjesë e transformimit të jetës juridike, politike dhe ekonomike të vendit.”


Z. Shehu ka ndarë me studentët edhe një fakt mjaft interesant, atë se si u bë pjesë e botës së drejtësisë. Tregon se pasioni i tij i hershëm në të vërtetë kanë qenë shkencat ekzakte dhe se synimi i tij kanë qenë pikërisht degët që kishin të bënin me këto shkenca, mirëpo e drejta e studimit i doli për Jurisprudencë. Ndonëse pa shumë informacione në këtë fushë, mori vendimin t’i vijonte këto studime.

“Në vitin e parë të studimeve, duke qenë se kisha prirje në shkencat ekzakte, juridiku dhe çështja e jurisprudencës më dukej pak e vështirë. Me kalimet e viteve pashë se matematika dhe shkencat ekzakte ku kërkohej një logjikë, e bashkuar dhe me juridikun, çuditërisht jepte një rezultat pozitiv. Më vonë, edhe përse në fillim nuk e kisha dëshirë Juridikun, u bë pjesë e jetës sime, dhe sot e kam të vështirë të shkëputem dhe të merrem me gjëra të tjera përveçse me jurisprudencë dhe me çështje të karakterit juridik”, rrëfen ai.

Z. Avni Shehu ka qenë një pjesë e rëndësishme e proceseve transformuese të vendit, në kalimin nga një shoqëri që vinte nga komunizmi, në një shoqëri ku do të kishte ndarje të pushteteve, dhe ku duhej të krijohej një sistem gjyqësor të pavarur dhe të pandikuar nga politika. Ndër vite një nga aspektet më të vështira në këtë drejtim, ka qenë ndikimi administrativ mbi gjykatat.

“Nëse do u qëndrojmë ndarjes së pushteteve, ku secili pushtet duhet të ketë funksionin, qoftë funksionin kryesor të dhënies së drejtësisë, të ekzekutimit, ose të ligjbërjes duhet ta ketë në funksionin e tij kryesor dhe të gjitha funksionet e tjera do të jenë të organizuara brenda sistemit përkatës, pra kjo nënkuptonte që gjykatat të kishin organizimin administrativ brenda sistemit të tyre”, shprehet z. Shehu, i cili shpjegon se në këtë drejtim janë tri elementet kryesore që ndikojnë: procesi i emërimit të punonjësve të administratës, procesi i emërimit të gjyqtarëve dhe procesi i disiplinimit të gjyqtarëve. “Nëse këta tri faktorë nuk e kanë mekanizmin e funksionimit të tyre dhe kontrollit brenda gjyqësorit, gjyqësori në çdo kohë është i rrezikuar”, thotë ai, duke shpjeguar disa nga elementet që ndikojnë në pavarësinë e gjyqësorit.

Mandatet e gjyqtarëve janë një nga pikat që ai preku, duke shprehur mendimin se përkundrejt mendimit të përgjithshëm, kufizimi i mandateve kërcënon pavarësinë e gjyqësorit.

“E ardhmja e një gjyqësori të pavarur, të paktën nga eksperiencat që kam kaluar vetë, do të jetë e suksesshme vetëm atëherë kur gjyqtarët të jenë të patundshëm. Pra gjyqtarët, nga momenti që kalojnë filtrin për të qenë gjyqtaë, që janë kontrolluar nga të gjitha aspektet, profesionalë, moralë, etikë etj. dhe e kalojnë këtë gjë, atëherë këta duhet të jenë gjyqtarë të përjetshëm.”

Gjithashtu, ai u shpreh në lidhje me procesin e emërimit dhe disiplinimit.

“Unë në aspektin personal, kam menduar që procesi i emërimit është i domosdoshëm të ndahet nga procesi i disiplinimit. Nëse këto të dyja do t’i mbajmë gjithmonë në një institucion, ky institucion do të jetë gjithmonë i kërcënuar dhe i sulmuar, qoftë nga politika, qoftë nga opinioni publik. Nëse këto të dyja, do të ndahen si procese më vete atëherë dhe mundësia e korporatizmit në aspektin psikologjik që është krijuar tek opinioni i gjerë shoqëror do të bjerë. Por kjo është e lidhur me një faktor tjetër, nëse gjyqtarët në procesin e emërimit i caktojnë me mandat, ose i caktojnë kritere disiplinimi të tilla që sa herë ata janë të kërcënuar, kjo pastaj mbetet pa vlerë.”

Ndërkohë që është shprehur se në këtë moment, është e nevojshme për rishikimin e Kodit Civil.
“Ka ardhur koha për të bërë një Kod të ri Civil, sepse realiteti i viteve ’94 me realitetin e sotëm është krejt i ndryshëm. Zhvillimi i kapitalizmit, i tregut dhe i pronës natyrisht si koncepte mund të qëndrojnë afërsisht, sepse Kodi Civil nuk është se ndryshon shumë, por duke pasur parasysh dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë në fushën e tregtisë, e tregut, të kenë një pasqyrim më të saktë në Kodin Civil”, tha ai.
Z. Avni Shehu u shpreh gjithashtu se ligjet duhet të hartohen në mënyrë që të kuptohen nga të gjithë qytetarët.
“Nëse ligjbërjen dhe drejtësinë nuk e bëjmë të thjeshtë për t’u kuptuar nga qytetarët përherë do të jemi në konflikt mes drejtësisë që jepet dhe drejtësisë që kuptohet. Nëse ne nuk kemi një përputhje mes drejtësisë që jepet në ligj, nga gjykatat dhe drejtësisë që kuptohet nga qytetarët gjithmonë do të jemi një shoqëri në konflikt dhe një shoqëri që do të thotë ‘nuk kemi besim te drejtësia’.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *