10 vite histori rikthehen në UET

UET Alumni Festival rikthen në UET të diplomuarit e brezit të parë, për të festuar mbi historinë e gjatë të bashkëpunimit të ngushtë ndër vite dhe dëshmive të suksesit të ish-studentëve

Elda Dedja

Gjithçka rikthehet në UET, eksperiencat, miqësitë, sukseset e para… Rrjeti UET Alumni është bashkuar sërish për të rijetuar momentet kur projektonin të tashmen dhe për të festuar 10-vjetorin e themelimit të kësaj bashkësie. E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e universitetit, qëndron tek ata të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e universitetit, me sukseset, sipërmarrjet dhe udhëtimin e tyre të deritanishëm në karrierë. Theksi i këtij ritakimi qëndroi te brezi i parë i të diplomuarve, të cilët falë besimit që i dhanë një universiteti të vogël e të sapokrijuar në vend, vendosën gurin e themelit për të nisur një rrugëtim të gjatë, në të cilin ambiciet e mëdha të fillimit filluan të shndërrohen në realitet.

Ata rikthehen në vendin ku kanë studiuar, për të dëshmuar ndryshimet e mëdha që pasuan largimin e tyre, por njëkohësisht për të qenë një dëshmi e themeleve të shëndosha, mbi të cilat u ngrit ky universitet. Kur një iniciativë e re merr jetë, momentet e para të krijimit nuk kanë element tjetër në favor veçse besimin. Ky fillim është ndër momentet më të vështira, ku përpjekjet janë të gjitha të përqendruara në krijimin e biografisë, të bilancit, shenjave dalluese të një institucioni në jetën publike, të projektuara në kohë ose të shpërndara në biografi.

Kështu të 105 të diplomuarit e parë të UET, të cilët zgjodhën të besojnë, janë ata të cilët kontribuuan së pari në krijimin e historisë. Brezi i parë i të diplomuarve në vitin 2009 kanë tashmë pas vetes 10 vite karrierë. Një dekadë, në të cilën janë provuar, janë zhgënjyer, janë ringritur, kanë shkuar përpara, kanë korrur suksese dhe 10 të nominuarit e Çmimit të Karrierës, që UET akordon çdo vit, janë shembulli më i mirë.

“Rrjeti Alumni ka një qëllim primar, atë të rrjetizimit. Të krijojmë një lidhje të fortë, të kemi mundësi për të shkëmbyer së bashku eksperiencat që kanë kaluar, por njëkohësisht edhe për të dhënë dhe për të marrë në vitet në vijim. Ky është një vit jubile, ku shënjohet 10-vjetori i Rrjetit Alumni ndaj ndryshe nga vitet e tjera, Çmimin e Karrierës kemi menduar ta fokusojmë te të diplomuarit e brezit të parë. Plot 105 të diplomuar, për të cilët, për hir të së vërtetës, ishte e vështirë të vendosje për 10 më të mirët. Unë dua të falënderoj jo vetëm 10 kandidaturat, por të gjithë të diplomuarit tanë, faleminderit që keni qenë e shkuara, e tashmja jonë dhe pa diskutim ambasadorët më të mirë të markës sonë edhe në të ardhmen. Jeni ju ata të cilët keni ngritur lart çdo vit, gjithnjë e më tepër, emrin e Universitetit Europian të Tiranës”, ka thënë në Presidentja e Rrjetit Alumni, Adela Danaj, në ceremoninë e akordimit të çmimit të karrierës.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, ka vlerësuar gjithashtu të gjithë kontribut-shënjuesit e brezit të parë të të diplomuarve të Universitetit Europian të Tiranës.

“Është një privilegj i madh për mua që në emër të UET, t’ju falënderoj për prezencën tuaj. T’ju uroj mirëseardhjen në fakt, në shtëpinë tuaj! Kur kthehesh pas 10 vitesh atje ku ke qenë, sigurisht që të gjithë e shohin ndryshimin. Ne shohim ndryshim te ju dhe besoj se edhe ju do ta shihni ndryshimin në universitet, nga momenti që e keni lënë përpara 10 vitesh. Sot ju vini atje ku ndoshta keni kaluar tre apo pesë vitet e jetës suaj, mbi të cilën më pas keni ndërtuar karrierën tuaj, suksesin tuaj, dhe universiteti është shumë krenar për atë që keni arritur ju në shoqëri. Shoqëria ka plot sfida dhe shumë prej jush ndodhen në drejtim të shoqërisë, të ekonomisë e bizneseve dhe në karrierën tuaj besojmë dhe urojmë shumë që universiteti të ketë qenë një nga shtyllat që ju ka pajisur juve me të gjitha kualitetet për t’u bërë të suksesshëm në jetë”, ka thënë Xhepa.

Ai ka shtuar se është pikërisht ky rrjet, i cili është pjesë jo vetëm e së shkuarës, por edhe e së ardhmes së universitetit.

“Ne besojmë shumë se suksesi i së ardhmes së universitetit në vitet që do të vijnë, do të bazohet jashtëzakonisht shumë në kontributet tuaja, sepse mendojmë që nëpërmjet ‘UET Alumni’ të kemi kontributin dhe mbështetjen tuaj që të ndajmë suksesin së bashku, ashtu sikurse universiteti do të jetë një mbështetje e mëtejshme për ju, për të avancuar në karrierën tuaj.”

Ndërkohë që çmimi i Karrierës 2019, i është akorduar ish-studentes së UET, znj. Ira Elbasani, me motivacionin për arritjet më të larta të karrierës profesionale gjatë vitit 2019.

Ajo ka falënderuar universitetin për këtë vlerësim, duke u shprehur se ndihet krenare, e lumtur dhe e privilegjuar, në këtë ritakim me kolegët e saj të brezit të parë të të diplomuarve, në rikthimin e saj në universitetin ku nisi gjithçka.

UET është sot polivalent, është shumëfunksional dhe ka thuajse çdo program studimi dhe çdo politikë mbështetëse që “strehon” të gjithë ata të cilët kanë dëshirën të investojnë potencialin e tyre në përfitimin e një dijeje cilësore. Në UET-in e dekadës së dytë gjen programe studimi që nga cikli i diplomave profesionale, Bachelor, Master Profesional, Master i Shkencave, Doktoraturë dhe së shpejti edhe Master Ekzekutiv.

Ndryshe nga fillimi, sot gjen 5 fakultete, të cilat në ofertën e tyre akademike përfshijnë shumëçka, nga shkencat ekonomike, biznesi, te shkencat juridike, politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, për të vazhduar te humanitetet, artet, edukimi, sportet, gamën e plotë të degëve sokratike, për të vijuar me inxhinieritë, arkitekturën, informatikën dhe për të përfunduar me shkencat mjekësore teknike.

Në këtë moment të ri të UET, rrjeti Alumni merr një rëndësi edhe më të madhe për vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e mëtejshëm në krijimin e një historie që do të shkruhet gjatë.

Ira Elbasani, fituesja e Çmimit të Karrierës 2019 (box)

“Ndihem shumë krenare, shumë e privilegjuar dhe shumë e lumtur që jam sot këtu, pas 10 vitesh nga diplomimi dhe që takoj kolegët e mi, brezin tim, por gjithashtu edhe pedagogët e mi. Aseti më i çmuar i këtij universiteti është pikërisht stafi pedagogjik, i cili bën diferencën në një ambient të mirëfilltë pedagogjik. Kështu që këshilloj me shumë dashamirësi të gjithë studentët që të përfitojnë maksimumin nga stafi akademik, prej të cilit unë vetë personalisht kam përfituar shumë, u jam drejtuar për këshilla, të cilat nuk m’i kanë kursyer dhe më kanë rezultuar shumë të vlefshme”, kështu është shprehur fituesja e Çmimit të Karrierës 2019, gjatë marrjes së këtij çmimi.

Ira Elbasani është diplomuar në vitin 2009 pranë Universitetit Europian të Tiranës në Degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo njihet si bashkëthemeluese e “We Translate Albania” dhe gjithashtu është përfshirë dhe në eksperienca të tjera profesionale, ku numëron disa bashkëpunime me kompani të tilla si “Albania Leasing”, “Credins Bank” etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *