10 talentet e reja: Ja fituesit e bursës së plotë të studimit në Arte Pamore në UET

Por cilët janë 10 të rinjtë e talentuar të cilët kanë fituar një bursë të plotë studimi në degën Arte Pamore në Universitetin Europian të Tiranës?

Armir Asllani: Kolonia e Artit, një mundësi më tepër për formimin tim
Armir Asllani është nxënës në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës, për degën Skulpturë. Ai tregon se sapo mësoi për mundësinë e pjesëmarrjes në Koloninë e Artit 2018, vendosi të aplikojë pasi thotë se arti është pasioni i tij. Eksperienca në tre ditë për të ka qenë shumë e veçantë.  “Sapo mësova mbi këtë mundësi aplikova pasi arti është pasioni im, në çdo fushë të tij mundohem të jem aktiv. Këtë e pashë si mundësi për veten time, si diçka plus në formimin tim. Dhe nuk u zhgënjeva. Këto tre ditë kanë qenë një eksperiencë shumë e bukur. Fakti që njoha njerëz të rinj, krijova shoqëri të re e bënë qëndrimin tim këtu shumë të veçantë”.
Ai tregon se një nga elementet e preferuara të tij ka qenë natyra në të cilën pati mundësinë të realizonte pikturën e tij. “Natyra këtu ishte shumë e bukur. Shpeshherë humbisja në mendime teksa pikturoja. Kjo ka qenë ndoshta pjesa ime e preferuar në këtë eksperiencë”, thotë Armiri.
Ai tregon se nuk e priste të ishte një ndër fituesit e bursave, pasi si natyrë është i prirur të ketë një farë skepticizmi përkundrejt punëve të tij: “Për mua ishte një surprizë. Nuk e prisja të thirrej emri im por jam i lumtur që fitova”.

Keida Kasa: Jemi ndjerë shumë të vlerësuar edhe si artistë
Keida Kasa është maturante në gjimnazin e përgjithshëm “Qemal Stafa” në Tiranë, dhe piktura është një ndër talentet e saj të cilin e ka shfaqur më së miri përgjatë Kolonisë së Artit 2018.
“Piktura është një ndër talentet e mia dhe mundësinë për të qenë pjesë e Kolonisë së Artit e mësova nga miqtë e mi të cilët ndajnë të njëjtët interesa dhe pasione si unë. Ishte një eksperiencë fantastike. Besoj se flas në emër të të gjithëve kur them se jemi ndjerë shumë të respektuar, shumë të vlerësuar si nxënës, por edhe si artistë. Ajo çfarë më pëlqeu më tepër në këtë organizim ishte marrëdhënia që krijuam me njëri-tjetrin, fillimisht ne si pjesëmarrës, pasi përveç mësimeve nga mjeshtrat, mësuam shumë edhe nga njëri-tjetri. E gjitha ishte shumë frytdhënëse si eksperiencë. Ndihem shumë e nderuar dhe e lumtur, për fitoren, veçanërisht për faktin se këtë vendim e morën ekspertë dhe profesionistë të fushës”, shprehet Keida.

 

Kristi Rajta: Eksperienca e fituar më lumturon më tepër
Kristi Rajta vjen nga liceu artistik i Durrësit, “Jan Kukuzeli”. Për të është viti i katërt i studimeve në këtë shkollë, në degën pikturë. Ai tregon se pikturën e peizazhit e praktikon shpesh, megjithatë për të kjo eksperiencë ishte një ndër më të veçantat. “Për mua kjo nuk ishte eksperienca e parë në pikturën e peizazhit por më vjen mirë që përgjatë kësaj eksperience mësova më shumë. Tre mjeshtrat e pikturës të cilët ishin mentorët tanë përgjatë këtyre tre ditëve, më mësuan më shumë dhe ndanë me ne edhe disa ‘sekrete’ të pikturës së peizazhit. Kjo ndoshta më lumturon më tepër, eksperienca e fituar”, shprehet ai me buzëqeshje në fytyrë pas marrjes së lajmit të mirë se është fitues i bursës “Kadare”. Për Kristin fitorja është një surprizë shumë e bukur. “Të them të drejtën nuk e prisja fitoren pasi e dija se dhe pjesëmarrësit e tjerë ishin mjaft të përgatitur dhe të talentuar. Por jam shumë i lumtur dhe shumë i motivuar për këtë fakt”, rrëfen Kristi.

 

Fabio Kacmoli: Konkursi, mundësi për të provuar një sfidë të re
Fabio Kacmoli është nxënës në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës. Ai tregon se pjesëmarrja në Koloninë e Artit, për të ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe shumë frytdhënëse. “Ky konkurs ishte për mua një eksperiencë e veçantë. Pata mundësinë të mësoja gjëra të reja mbi artet pamore, të provoja veten në një sfidë të re. Punët e ndryshme në atelie, pikturat që realizuam në natyrë, këshillat e mendorëve, të gjitha kanë ndikuar shumë pozitivisht në formimin tim”, shprehet Fabio. Emocionet e fitores janë të dukshme tek Fabio, i cili pret me padurim vitin tjetër. “Për mua është një emocion i madh të jem një ndër 10 fituesit e këtij organizimi. Ndihem shumë i vlerësuar dhe kam dëshirë të jap maksimumin tim edhe në të ardhmen”, thotë ai.

 

 

Albjon Lushi: Ndihem i vlerësuar dhe i motivuar për të ardhmen
Albjon Lushi, shprehet se Kolonia e Artit 2018 ishte për të një eksperiencë shumë e bukur dhe shumë e vlefshme për formimin e tij. Prej disa vitesh ai ndjek studimet në liceun artistik dhe rrëfen se për të ky organizim ishte një mënyrë e mirë për të provuar veten dhe aftësitë e tij edhe në raport me të tjerët. “Më vjen mirë që organizohen të tilla aktivitete pasi i konsideroj si një mundësi shumë të mirë për të provuar veten jo vetëm në raport me të tjerët por edhe për të përmirësuar aftësitë e mia. Vlerësimi që mora gjatë qëndrimit tim këtu, nga mentorët por edhe nga shokët më motivon dhe më bën të ndihem krenar”, thotë Albjoni. Ai tregon se ndonëse ka besim në aftësitë e tij, fitorja qe sidoqoftë një surprizë e këndshme edhe për të. “Zakonisht i besoj vetes dhe pasionit tim. Megjithatë gara nuk ishte e thjeshtë, të gjithë ishin shumë të talentuar. Fitorja ishte surprizë për mua dhe një lajm vërtet i bukur”, rrëfen Albjoni.

 

Kristi Ferro: Të ishim pjesë e Kolonisë së Artit 2018, fat për të gjithë ne
Kristi Ferro vjen nga gjimnazi i përgjithshëm “Irfan Ngjeqari”, në qytetin e Beratit. Ajo tregon se për të eksperienca në Koloninë e Artit ishte shumë e bukur dhe frytdhënëse. “Kjo eksperiencë treditore që Kolonia e Artit mundësoi, ishte shumë e bukur dhe frytdhënëse për të gjithë ne, pavarsisht nëse ishin fitues apo jo të bursës. Shkëmbyem shumë përvoja të vlefshme me njëri-tjetrin të cilat besoj janë shumë të rëndësishme në ndjekjen e pasioneve tona”, shprehet Kristi. Pasioni për pikturën ka qenë i hershëm te Kristi e cila thotë se e ka zhvilluar atë më tej me anë të kurseve të ndryshme. Për Kristin, fitimi i bursës është një mundësi shumë e mirë për të ardhmen e saj. “Ndihem shumë mirë që kam fituar bursën “Kadare” sepse në konkurse të tilla ti mund të tregosh çfarë di të bësh si dhe të japin mundësi për më lart. Është një fat i madh për të gjithë ne që u bëmë pjesë e këtij organizimi”, shprehet ajo.

 

Sindi Dauti: Bursa “Kadare”, një mundësi për të ardhmen
Sindi Dauti vjen nga gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë. Ajo tregon se për të kjo ishte një ndër eksperiencat më të bukura që ka patur. “Për mua kjo ishte një ndër eksperiencat më të bukura që kam patur në lidhje me artin. Ajo çfarë më pëlqeu më tepër nga i gjithë organizimi ishte puna në natyrë, por më pëlqeu po aq edhe pjesa e punës në atelie. Në tërësi i gjithë organizimi i Kolonisë së Artit ishte shumë interesant dhe frytdhënës”, shprehet Sindi. Ajo tregon se është mjaft e lumtur për faktin se është një ndër 10 maturantët që përfituan një bursë të plotë studimi, për degën Arte Pamore, në Universitetin Europian të Tiranës. “Kjo bursë është një mundësi shumë e mirë për të ardhmen, dhe për këtë jam shumë e lumtur. Është një vlerësim për mua dhe kënaqësi të jem një ndër 10 fituesit e këtij e konkursi”, rrëfen Sindi.

 

 

Daniela Tafani: Jam e lumtur që fitova bursë studimi në UET
Daniela Tafani vjen nga Shkolla e Mesme e Bashkuar, Kllojkë. Ajo tregon se fillimisht aplikoi për të qenë pjesë e Kolonisë së Artit, nisur nga dëshira për të mësuar më tepër mbi artin pamor, që është pasioni i saj më i madh. Për Danielën e gjithë eksperienca rezultoi mjaft e bukur dhe e vlefshme, shoqëruar nga një fitore krejtësisht të papritur. “E kam shijuar tej mase pjesëmarrjen time në Koloninë e Artit. Fitorja për mua ishte krejtësisht e papritur sepse fillimisht kam aplikuar e shtyrë nga dëshira për të provuar një eksperiencë ndryshe për shkak se piktura është pasioni im. E kam dashur gjithnjë që fëmijë, por nuk e kam zhvilluar atë më tej nëpërmjet kurseve, është thjesht talent. Mendova të provoj shansin dhe jam shumë e lumtur që ia dola të fitoj këtë bursë studimi në UET”, shprehet Daniela e emocionuar pasi mori lajmin e bukur se është një nga fituesit e bursës.

 

Anastasia Mema: Një eksperiencë që do ta mbaj mend gjatë
Anastasia Mema është një ndër të rinjtë e talentuar të cilët përfituan bursën e studimit “Kadare”, në Koloninë e Artit 2018. Ajo është maturante në gjimnazin e përgjithshëm “Dhaskal Todri” në Elbasan. Anastasia tregon se sapo mori vesh për mundësinë që ofrohej për të qenë pjesë e Kolonisë së Artit, nuk hezitoi të aplikonte. “Një nga mësueset e mia, duke e ditur pasionin dhe talentin tim në pikturë, më tregoi për këtë mundësi. M’u duk një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar më tej veten në këtë drejtim, dhe aplikova për të qenë pjesë e Kolonisë së Artit. Për mua kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur. Nuk e prisja që të ishte e organizuar kaq mirë por jam shumë e kënaqur dhe jam e bindur se do ta mbaj mend gjatë. Ajo çfarë më pëlqeu më shumë ishte dita e dytë e organizimit, kur pikturuam në natyrë. Prania e mjeshtrave ishte një aspekt shumë pozitiv, një aspekt shumë motivues. Një motivim i mirë për t’u përkushtuar edhe më tej ndaj pasionit tim. Jam shumë e lumtur që kjo eksperiencë u përmbyll me një fitore të tillë, si bursa ‘Kadare’”.

Klea Nezo: Puna në natyrë, një eksperiencë shumë e bukur
Klea Nezo vjen nga gjimnazi “Fuat Babani”, Bilisht. Ajo tregon se në të gjithë këtë eksperiencë, ajo çka i pëlqeu më tepër ishte puna që realizuan në natyrë. “Jam kënaqur vërtetë shumë në qëndrimin tim këtu. Ajo çfarë më ka pëlqyer më shumë ishte puna që realizuam të gjithë si grup në natyrë. Për mua ishte hera e parë që provoja një eksperiencë të tillë dhe prania e pedagogëve, këshillat e tyre, udhëzimet përgjatë procesit të punës më kanë ndihmuar shumë në zgjerimin e njohurive dhe përmirësimin e aftësive të mia. Edhe pse ishte një kohë relativisht e shkurtër pune unë jam përkushtuar shumë dhe kam dëgjuar me shumë interes çdo këshillë. Ndërsa për sa i përket bursës që kam fituar, emocioni është i papërshkrueshëm. E vlerësoj si një mundësi të artë për të ardhmen time”, tregon Klea. Ajo rrëfen se për të është një vlerësim dhe një motivim për të ndjekur pasionin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *