Zhvillohet edicioni i shtatë i UET Talent’s Voice, një mini koncert me më të mirët në piano dhe kanto

Të studiosh dhe zhvillosh pasionet! Ku më mirë sesa duke qenë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës dhe e klubeve studentore, hapësirat që jo vetëm krijojnë rrjetëzim, shpërndajnë eksperienca, përmirësojnë aftësi dhe të përfshijnë në ngjarje të mëdha.
Klubi i Muzikës është pikërisht një platformë e tillë, që bën bashkë studentë nga të gjitha programet e studimit të universitetit, qofshin inxhinieri, ekonomi, drejtësi, mjekësi apo arte, të cilët pëlqejnë muzikën, kanë zë dhe duan të shfaqin talentin e tyre në këngë dhe instrumente, piano apo kitarë. Herë pas here, ata gjejnë pak kohë jashtë angazhimeve të shkollës dhe të jetës, për t’iu përkushtuar aktiviteteve të këtij klubi, i cili sjell aktivitete të ndryshme.
Nën organizmin e pedagogut Kristi Bello, studentët e këtij klubi u bënë pjesë e Talent’s Voice, një traditë e bukur e Universitetit Europian të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Humane, të Edukimit dhe Arteve Liberale, i cili zhvillohet për të shtatin vit radhazi duke vlerësuar të rinjtë më të talentuar.
E teksa studentët shfaqin talentet e tyre në muzikë apo instrumente, ata vlerësohen nga syri i emrave profesionistë. Juria e këtij edicioni kryesohej nga pianistja e njohur Anita Tartari dhe kishte anëtarë pedagogët e nderuar të UET: Edith Mihali, Shqipe Zani, Ramazan Peku, Kristi Bello dhe Xhon Jeksu.
Studentët e programeve Bachelor dhuruan një minikoncert për të gjithë të pranishmit, duke shkaktuar emocione, përfshirje nga salla dhe duartrokitje të gjata.
Me një repertor të zgjedhr në piano dhe kanto, performuan 13 vajza dhe djem: Gjergj Cumraku (piano); Tea Jahja (kanto); Jera Sako (kanto); Kejla Zotaj (kanto); Paolina Pajollari (kanto); Helena Isufaj (kitare); Grejsi Xhani (kanto); Keris Babliku (kanto); Kleodor Hysenaj (piano); Kejla Grejsi Jera (kanto); Selma Balliu (kanto); Anjeza Sejdia (kanto); Luisida Male (kanto).
Mentori i Klubit Muzika, Kristi Bello, falënderoi në fund të gjithë studentët pjesëmarrës, por veçanërisht ata të vitit të tretë, që janë në vitin e fundit të studimeve të tyre. “Faleminderit për tre vitet bashkëpunim. Unë jam shumë i lumtur që jam mes jush dhe që iu kam pashur krah meje në çdo event e në çdo koncert.”
Universiteti Europian i Tiranës është universiteti i parë privat në Shqipëri që ka themeluar Departamentin e Arteve të Aplikuara, i cili ofron programe studimi dhe një larmishëmri profilesh në të treja ciklet e studimit, Bachelor Master dhe Doktoraturë. Kontributi prej pioneri në këtë fushë i UET qëndron edhe në faktin se ofron mbështetje për më të talentuarit që spikaten nëpërmjet kompeticioneve që zhvillon ky universitet.