UET, streha e profesorëve senjor të shkencës shqiptare
Fakultetet e reja dhe emrat me peshë në fushën e shkencës tashmë në UET. Synimi për të qenë më të mirët që në nisje të rrugëtimit të gjatë. Flasin profesorët e njohur Isuf Kalo, Arben Bushi, Flamur Tartari, Nevila Nika dhe Shkëlqim Zeqo.
Universiteti Europian i Tiranës nuk ka menduar vetëm për hapjen e degëve të reja, por afrimin e profesorëve dhe shkencëtarëve të njohur që tashmë do jenë pjesë e një udhëtimi të ri të UET me dy fakultetet e reja. Secili prej profesorëve që tashmë janë pjesë e UET janë emra të njohur në vend, duke merituar të quhen senjorë të shkencës shqiptare. Inxhinierë, arkitektë dhe mjekë të njohur kanë shënjuar emrin me germa të arta në fushat e tyre, por sfidat nuk kanë përfunduar për ta. Profesori i mirënjohur dhe një nga mjekët më me emër në vend Isuf Kalo do të jetë dekani themelues i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës. Pesha e emrit dhe shkencës vijon edhe me profesorë të njohur të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Në “ditëlindjen” e parë të fakulteteve të reja drejtuesit premtuan të përmbushnin misionin për të qenë më të mirët.
Isuf Kalo-Dekani Themelues-Shkenca Mjekësore Teknike
Mirënjohje për të gjithë të pranishmit të cilët na urojnë lindjen e një fakulteti të ri, mirënjohje të veçantë për Henri Çilin, pas ishte ideatori për hapjen e një fushe të re në UET, mirënjohje për të gjithë kolegët, pasi kjo ide u përpunua dhe u mbështet nga një sërë kolegësh me kapacitet të lartë shkencor dhe me eksperienca. Dua të them që ky fakultet lindi nga nevoja që ka sot Shqipëria edhe bota të cilat ne i kemi më të pakëta në numër se vendet e Europës dhe Ballkanit. Unë dua të them se ky fakultet është me fat, sepse po lind në një universitet i cili ka 10 vite eksperiencë suksesi por edhe sepse ka disa fakultete të cilat në mënyrë të pandashme ndërlidhen sot me shëndetësinë, siç janë Shkencat Ekonomike, Shoqërore, të Komunikimit, të Informatikës pa të cilët nuk mund të ketë sot një mjekësi të re. Iu jam mirënjohës të gjitha fakulteteve të tjera të cilat ne i shikojmë me admirim, për punën që kanë bërë dhe nuk i shikojmë si rivalë, por si ata që do mësojmë prej tyre. Ju japim fjalën që ne duam të bëjmë diferencën, duam të bëjmë një fakultet të ri me standarde europiane.
Arben Bushi- Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës
Ndihem shumë i nderuar të flas përpara kësaj audience të respektuar në emër të fakultetit të ri të Inxhinierisë- Informatikës dhe Arkitekturës. Versioni minimalist i misionit të nisur është totalisht i përjashtuar. Kemi vetëm një mision me versionin maksimalist për të qenë më të mirët, më modernët në tregun arsimor të universiteteve shqiptare. Shpresoj t’ia dalim.
Nevila Nika-Shkenca Humane
Kam qenë anëtare në bordin e parë kur u themelua Universiteti. Rrugëtimin e këtij universiteti e ndoqa për pak kohë pasi për shkak të detyrave të tjera nuk mund ta ndiqja, por u riktheva sërish si pjesë e universitetit. Dua të them për profesorët e shkencave ekzakte siç është Kimia, Mjekësia, të cilët përdorin fjalën solucioni i ngopur dhe solucioni i tejngopur. UET është një solucion që nuk ngopet asnjëherë me njerëz me përvojë dhe me dije. Në këtë drejtim është krejtësisht i veçantë për shkak të prurjes së mjaft njerëzve që kanë një përvojë të jashtëzakonshme. I ftoj të rinjtë brenda UET që janë pedagogë por edhe studentë që të përfitojnë në rastin më të mirë për t’u bërë dikushi në jetë.
Shkëlqim Zeqo –Inxhinieria Mekanike
E quaj për nder që UET do të hapë degën e Inxhinierisë sepse mendoj që do të thyej atë inercinë që kemi akoma nga vitet ‘90 në universitetin shtetëror. Ky duhet të jetë objektivi kryesor, për të përgatitur inxhinierë që t’iu përgjigjen të gjitha kërkesave të kohës, jo vetëm për të marrë një diplomë, por të jenë bashkëkohorë.
Flamur Tartari-Mjekësi
Ç’është e vërteta më mirë vonë se kurrë pasi ka 10 vite që z. Çili e ka përmendur formimin e fakultetit të Mjekësisë. Më e rëndësishmja është që Fakulteti i Mjekësisë, Fizioterapia dhe Infermieria po formohet në një shtëpi me baza dhe rrënjë të forta. Këto janë principet kryesore. Kemi besim pasi kemi një staf të mirë, një vend të mirë dhe më e mira është se është i vetmi universitet privat që ka një lidhje me Spitalin Amerikan që është iminenca e spitaleve private në Shqipëri, Të gjithë studentët tanë do të shkojnë me porosi ta mësojnë mjekësinë te koka e të sëmurit.