[:en]UET prezanton emrat: Bordi i ri i besimit, ja 5 ‘dekanët e nderit’[:]
[:en]
UET prezanton emrat: Bordi i ri i besimit, ja 5 ‘dekanët e nderit’
Bordet e Besimit janë një traditë e universiteteve anglosaksone dhe Universiteti Europian i Tiranës, duke marrë shkas nga këto praktika të mira, e ka pasur këtë strukturë pjesë të tij që prej viteve të para të themelimit. Bordi i ri i Besimit të UET, këtë herë vjen në një kontekst të ri dhe në përmbyllje të reformave gjithëpërfshirëse që e kanë shndërruar UET në një universitet “polivalent”, si dhe në përputhje të statutit të ri dhe legjislacionit të ri për arsimin e lartë në Shqipëri.
Ky bord përbëhet nga pesë anëtarë dhe ka si objektiv të tij të qenët një strukturë aktive, me një rol mbikëqyrës, ku secili prej anëtarëve të tij do të jetë një “Dekan” nderi për fakultetin përkatës. Emrat e rinj të këtij bordi janë: Arjana Fullani, Arben Biçoku, Mustafa Nano, Isuf Kalo dhe Selami Xhepa, i cili është njëkohësisht Presidenti i ri i Universitetit Europian të Tiranës.
Të pestë anëtarët e Bordit të Besimit janë figura shumë të rëndësishme të jetës publike, që kanë kontribuuar qoftë në vitet e para të themelimit të universitetit, qoftë në vitet në vijim. Këto personazhe kanë arritje të spikatura në fushat përkatëse të formimit, ndaj edhe kontributi i tyre në vijim do të jetë mjaft i vlefshëm. Duke marrë parasysh faktin që shoqëria e sotme është një shoqëri rrjetesh, falë profesionalitetit dhe eksperiencave që ata kanë në fushat përkatëse, anëtarët e rinj të Bordit të Besimit do të jenë një vlerë e shtuar në rrjetin e madh të UET. Ky universitet ka kaluar në një proces të gjerë ristrukturimi, i cili ka nisur vitin e kaluar, ku Arbi Agalliu është vënë në krye të administrimit, konform kërkesave të ligjit të Arsimit të Lartë dhe UET ka përzgjedhur ekipin e tij drejtues, si dhe ka përfunduar licencimet në të gjitha degët e reja. Ky ristrukturim i UET, që tashmë përbëhet nga pesë fakultete, të cilat ofrojnë në total 75 degë, me 125 profile, ofron një ofertë akademike gjithëpërfshirëse dhe të veçantë për tregun e arsimit të lartë në Shqipëri sot për sot.
Cilët janë anëtarët e Bordit të Besimit UET
Arjana Fullani është një juriste e njohur dhe me emër në botën profesionale të jurisprudencës shqiptare. Fullani ka qenë anëtare e Gjykatës së Lartë dhe është njëkohësisht një njohëse dhe aktiviste e fortë e shoqërisë civile. Arben Biçoku është një nga zërat publikë të çështjeve të arkitekturës në jetën publike shqiptare. Ai është një ndër profesionistët më në zë të fushës, dhe ka qenë kontribuues në shumë evente, aktivitete dhe projekte të UET. Mjeku dhe pedagogu i nderuar, Isuf Kalo, i cili është njëkohësisht edhe Dekani themelues i Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore në UET, ka kontribuuar në ngritjen e këtij fakulteti me një punë të filluar rreth dy vite më parë, si dhe ka qenë dekani funksional i këtij fakulteti deri në mars, duke vënë gurin e themelit në një fakultet ambicioz nesër të Shkencave Mjekësore. Isuf Kalo do të jetë edhe koordinator i Bordit të Besimit, si dhe pjesë e ekipeve akademike, në kategorinë e profesorëve Emeritus, duke dhënë kontributin e tij të shquar. Mustafa Nano, publicist dhe gazetar i njohur, ka qenë i afërt me universitetin prej vitesh, duke botuar disa libra dhe duke u bërë pjesë e projekteve të ndryshme. Ai është një zë publik, i cili mbështet në mënyrë aktive humanitetet si një mënyrë për ndërtimin e shoqërisë.
Anëtari i pestë i Bordit të Besimit është Presidenti i UET, profesor Selami Xhepa. Ai është një figurë e njohur dhe profesor i shkencës së ekonomisë dhe vjen në këtë pozicion të ri për të vijuar një traditë të shkëlqyer në funksionimin që i jep roli i Presidentit, si pjesë e imazhit dhe e komunikimit publik të universitetit me shoqërinë dhe aktorët e tjerë vendimmarrës.
[:]