UET, pjesë e nismës “Sfido urrejtjen”/ Si të luftojmë diskriminimin në median dhe shoqërinë shqiptare
Departamenti i Komunikimit në UET, në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive, organizoi një forum mbi menaxhimin e gjuhës së urrejtjes në media, në formën e denigrimit apo stigmatizmit
Në epokën dixhitalizimit, fjala mbërrin më shpejt se era dhe bashkë me shumë të mira që ka ky proces, merr me vete edhe elementë negativë, siç është gjuha e urrjetjes. Në fakt, diskriminimi nuk është fenomen i ri apo i kohërave që jetojmë, por në kushtet aktuale bëhet më i dukshëm dhe ka më shumë impakt. Në këtë kuadër, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive kanë ndërmarrë një fushatë për të sfiduar urrjtjen dhe për t’i thënë jo diskriminimit, për të ndërgjegjësuar sa më shumë aktorë apo elementë të shoqërisë shqiptare.
Në një forum të zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës, me studentë të medias dhe komunikimit, nën moderimin e Dekanes Belina Budini, u fol më gjerë për këtë fenomen, sesi shfaqet në realitetin dhe përditshmërinë shqiptare, apo më gjerë, se cilët janë grupet më të diskriminuara, sesi është luftuar ky fenomen deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të qenë më i frytshëm më tej.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda tha se në fushatën “Sfido urrejtjen”, janë zgjedhur për ndërgjegjësim universitetet për arsye se të rinjtë janë më afër këtij komunikimi, por edhe për faktin se do të jenë profesionistët e së nesërmes.
“E para, duam shumë që puna që bëjmë në përditshëmrinë tonë ta adresojmë tek të rinjtë. Kjo për shkak edhe të lehtësisë në komunikim. E kemi më të vështirë të flasim me brezin e tretë, sepse janë konsoliduar në një gjë dhe kërkojnë më shumë kohë për të përditësuar disa aspekte. Te të rinjtë mund të ndikojë, jo sepse e themi ne, por jemi munduar të arsyetojmë dhe argumentojmë të gjithë aspektin negativ dhe impaktin që shkakton përdorimi i gjuhës së urrjetjes, jo vetëm nga mediat tradicionale, që janë më të pakta në përdorim, por duke pasur parasysh dimensionin e mediave online dhe rrjeteve sociale. Arsyeja e dytë lidhet me profesionin. Të rinjtë janë profesionistët e së ardhmes dhe ku më mirë ne mund të ndikojmë në çfarëdolloj profesioni, në të kuptuarit e diskriminimit në vetvete, cenimin që i shkakton qenies njerëzore. Sa më shumë ne informojmë dhe ndikojmë në këtë aspekt aq më mirë shoqëria jonë do ta pranojë të ndryshmen, do ta shikojë të ndryshmen si vlerë dhe jo si aspekt inferior e negativ”, u shpreh Gajda.
Më tej ai shpjegoi, se nga eksperienca dhe vendimarrja që ka pasur Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në shoqërinë shqiptare janë kryesisht 4 grupe më të diskriminuara, në forma të ndryshme: Komuniteti rom dhe egjiptian, personat me aftësi të kufizuar, komuniteti LGBTI dhe gratë.
Diskriminimi i shqiptarëve
Diskriminimi nuk është një fenomen shqiptar, apo që qëndron brenda kontureve të një shoqërie të caktuar. Është një fenomen i gjerë, që haset gjithandej dhe ku pre e tij janë bërë kryesisht komunitetet më të vogla etnike, kulturore, apo me specifika të tjera identifikuese. Pjesë e diskutimit ishte edhe diskriminimi i shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës, por që ky fenomen është formësuar kryesisht nëpërmjet medias.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. assoc. Belina Budini u përqendrua kryesisht në mediat amerikane dhe angleze, të cilat janë marrë prej saj si objekt studimi, teksa theksoi se sterotipizimet janë të ndikuara edhe nga mënya sesi është vendosur diaspora shqiptare.
“Nga kërkimi im i deritanishëm rezulton se gjuha e medias është e mbushur me steriotipizime dhe kjo ndodh edhe në mediat serioze. Janë paragjykuese jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe të gjithë komuniteteve nga rajoni i Ballkanit. Kur intervistova një nga editorët e “The economist”, që është marrë me Ballkanin, që pse ndodh kjo për Shqipërinë apo vende të tjera rreth saj, tha se ka mungesë zërash që lobojnë apo denoncojnë diskriminimin”, nënvizoi Budini.
Të ftuarit qëndruan në të njëjtën linjë mendimi, duke treguar edhe raste personale të diskriminimit, gjatë kohës që për arsye pune apo studimi, kanë qëndruar në vende të ndryshme evropiane.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi tha se për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve nuk mjaftojnë vetëm personazhet e njohur, por duhet edhe bashkëpunimi i mediave shqiptare.
“Ne jemi një komb i vogël dhe imazhi që u krijua në vitet e para pas rënies së komunizmit është e vështirë ta ndryshojmë. Por unë besoj fort, se janë mediat shqiptare ato që duhet të përballen me këtë gjë. Personazhet e njohur janë sporadikë dhe nuk mund ta ndryshojnë vetëm ata mendimin e krijuar. Duhet të punojmë si media. Duhet të bashkëpunojnë duke marrë shembujt më të mirë të komuniteteve shqiptare”, u shpreh Krasniqi.
Gjuha e urrejtjes në media
Kuadri ligjor shqiptar kryesisht kontrollon dhe funksionon vetëm për mediat audiovizive, ndërsa për mediat online ende nuk ka një ligj specifik. Kryetarja e AMA-s tha se institucioni që ajo drejton e ka të vështirë t’iu qaset mediave online, pavarësisht se ankesat për to janë të shumta.
“Të gjithë e njohin si një realitet që ekziston. Janë bërë përpjekje, por sot nuk ka një ligj për rregulimin e tyre. Na vijnë pafund ankesa kundrejt medias online dhe atyre sociale. AMA e ka të vështirë të qaset ndaj tyre, qoftë edhe në rastet e një bullizimi të fortë”, tha Krasniqi, duke shtuar se ligji nuk është gjithçka, pasi vetë gazetarët duhet të sensibilizohen dhe të tregohen më të kujdesshëm në gjuhën e tyre. Më tej, Krasniqi tha se qasja e AMA-s nuk është ndëshkuese apo penalizuese, por kryesisht ndërgjegjësuese. Ajo lajmëroi studentët mbi dy projektet e ardhshme të AMA-s: E para që ka të bëjë me hapjen e një biblioteke brenda institucionit, dhe së dyti me hapjen e një kompeticioni mbi punimet e diplomave të studentëve, që përqendrohen mbi rolin e këtij institucioni.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda tha se mediat jo vetëm duhet të informojë, por edhe të edukojë dhe tejçojnë modele.
“Duhet të promovojë çdo gjë që shoqëria ka, por duhet të ketë edhe një fokus të veçantë për ato që rezultojnë si grupet më të diskriminuara në shoqërinë tonë. Media duke informur edhe edukon, duke përçuar modele”, u shpreh ai.
Gjuha e urrejtjes në Parlament
Parlamenti në vendin tonë shndërrohet shpesh në arenë debati dhe gjuhe urrejtjeje. Deputetët, të ndërgjegjshëm që fjala e tyre dëgjohet nga një masë e gjerë dhe bëhet pjesë e lajmeve në portale, nuk kursejnë gjuhën e urrejtjes. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi tha se kanë gjobitur një deputet për shkak të gjuhës, teksa theksoi se deputetët e kanë të vështirë të kërkojnë falje, gjë që nuk ndodh me personazhet e medias.
“Kemi pasur raste konkrete me një deputet. E kemi gjobitur. Në të vërtetë, ne kemi kërkuar nga Kuvendi që të aktivizojë mekanizmat e tij. Ka miratuar një vendim që është Kodi i Sjelljes, që dispozitat më të forta i ka me gjuhën e urrjetjes, diskriminimin, etj. Ka edhe një Këshill Etike që ka mbikëqyrje, por parashikon sanksione për deputetët, si p.sh. përjashtimi nga Kuvendi. Ne kemi kërkuar dhe kemi nisur disa procedura që Kuvendi t’i aktivizjë këto mekanizma. Është absurde që të përdoret gjuha e urrejtjes në Kuvend, sepse deputetët janë përfaqësues të popullit. Kemi vënë re që deputetët nuk kërkojnë ndjesë. Një nga gjërat që synohet është që të kuptojnë gabimin dhe efektin që shkaktojnë dhe më pas të kërkojnë ndjesë, gjë që e kanë shumë të vështirë. Gazetarët dhe personazhet nga bota e show bizi-t e kanë më të lehtë”, tha Robert Gajda.