UET nis bashkëpunimin me klinikën gjermane DRK Kliniken Berlin, trajnime dhe punësim për studentët e infermierisë

Firmosja e memorandumit të bashkëpunimit mes UET dhe DRK Kliniken Berlin është një mundësi e re për studentët e programeve të mjekësisë, për formimin, specializimin dhe punësimin e tyre në një nga institucionet më profesionale në Gjermani.
Ofrimi i inteshipeve, kurseve dhe lëndëve specifike nga doktorë gjermanë, vizitat studimore dhe më tej punësimi në Gjermani, ishin në qendër të diskutimit në takimin e zhvilluar mes drejtuesve të Universitetit Europian të Tiranës dhe përfaqësuesve të klinikë së njohur DRK Kliniken Berlin. Me një histori mbi 150 vjeçare, pjesë e Kryqit të Kuq Gjerman, Kinika DRK Berlin është një strukturë moderne shëndetësore e përbërë nga tre spitale akademike, me më shumë se 3,900 punonjës, e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh në fushën e mjekësisë dhe infermierisë.
Përfaqësia e klinikës, me në krye Doreen Fuhr- CEO, drejtorin mjekësor, Prof. Dr. Matthias Pross, Drejtuesen e Infermierisë, Astrid Weber, asistenten e saj, Kerstin Schoening njëkohësisht menaxhere e integrimit në punë, si dhe Sandër Lleshaj, konsulent për migrimin dhe integrimin në punë, zhvilluan një tur në ambientet e universitet dhe më tej firmonës një memorandum bashkëpunimi, që shtron rrugën e bashkëpunimit dypalësh për specializimin dhe rritjen profesionale të profesionistëve të mjekësisë.
Ata u pritën nga administratori i UET, Tildi Çadri, dekania e Fakultetit të shkencave Mjekësore të Aplikuara, Dr. Elvana Rista dhe Dr. Jonila Gabrani, drejtuese e Qendrës Kërkimore në Shëndet Publik pranë universitet, të cilët bënë një prezantim të historisë tashmë 20-vjeçare të universitetit, rritjes së tij ndër vite, në terma sasiorë dhe cilësorë, duke u bërë universiteti i parë në Shqipëri i akredituar nga agjencia britanike The Quality Assurance Agency for Higher Education.
Prej vitit 2018, UET i ka shtuar organigramës së vet fakultetin e pestë, Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Aplikuara, i cili ndër vite është shndërruar në histori suksesi dhe sot diplomon një numër të lartë studentësh, në tre programet e studimit, bachelor dhe master: Infermieri, Imazheri dhe Fizioterapi. Me rritjen e kërkesave nga studentët e huaj dhe në kuadër të ndërkombëtarizimit, në vitin e ri akademik 2025-2026, UET ofron programin bachelor Infermieri në gjuhën angleze.
“Këto programe janë shumë të kërkuara, e madje ne vetëm këtë vit kemi 200 kuota dhe pothuajse 300 kërkesa. Pra, është një nga fakultetet më të mëdha në universitetin tonë dhe ne kujdesemi për ta në mënyrë që ata të jenë plotësisht të rritur dhe plotësisht profesionistë ndërsa diplomohen”, u shpreh administratori i UET, Tildi Çadri.
Ai më tej se bashkëpunimi me kompani dhe spitale gjemane është i hershëm dhe tashmë është e njhour në Shqipëri kërkesa që Gjermania ka prej vitesh për profesionistë të fushës së mjekësisë. Për këtë arsye, UET është përpjekur që të japë një formim ë plotë për studentët e tij, duke ofruar dy vitet e fundit edhe kurse falas në gjuhën gjermane.
“Po e shqyrtojmë faktin që ta përfshijmë gjuhën gjermane si pjesë të lëndëve me zgjedhje, në mënyrë që të jetë më e qëndrueshme. Kjo do të ishte gjithashtu pjesë e bashkëpunimit tonë në të ardhmen për ta ofruar për studentët e bachelorit”, shtoi më tej Çadri.
Pas njohjes me kapacitetet e UET, delegacioni i kompanisë gjermane u tregua i gatshëm për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të përmirësimit të kurrikulave, ofrimit të stazhit dhe punësimit të studentëve në Gjermani.
Si një shoqatë jofitimprurëse, aksionari i vetëm i së cilës është Kryqi i Kuq Gjerman (DRK-Schwesternschaft Berlin eV), DRK Kliniken Berlin ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore dhe infermierore për më shumë se 200,000 pacientë çdo vit. Ekipet me përvojë dhe ekspertët e njohur u ofrojnë pacientëve dhe banorëve ekspertizën e tyre maksimale me spitalet, azilin e pleqve dhe shërbime të shumta ambulatore që plotësojnë strukturën e kujdesit.