UET nderon me Certifikatë Mirënjohjeje ish-studentin Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike në Mal të Zi

Për kontributin në forcimin e institucioneve publike, përfaqësimin dinjitoz të komunitetit shqiptar dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e vlerave demokratike, Universiteti Europian i Tiranës nderoi sot me Certifikatë Mirënjohjeje Ministrin për Administratën Publike në Mal të Zi, z. Marash Dukaj. Ky vlerësim që jepet ndër vite për personalitete të fushave të ndryshme, të cilët i sjellin një kontribut të shtuar shoqërisë shqiptare, merr një vlerë të dyfishtë për Dukajn, si ish-student i UET.
“Dhënia e titullit të mirënjohjes është gjithmonë kënaqësi për ne, por sot jemi njëkohësisht edhe krenarë që ai i jepet studentit tonë”, tha rektorja e UET, Prof. Dr. Drita Kruja, gjatë leximit të motivacionit, duke përgëzuar Dukajn për punën e vazhdueshme gjatë rrugëtimit të tij profesional.
Pas mbylljes së studimeve master në 2013, në fushën e Psikologjisë, Dukaj u kthye për të dhënë kontributin pranë komunitetit të tij, fillimisht si mësimdhënës në komunën Tuz, e më tej me përfshirje në administratë, ku mbajti për gjashtë vite detyrën e zëvendësministrit të Arsimit në Mal të Zi. Prej vitit 2022 ushtron detyrën e Ministrit të Administratës Publike, duke udhëhequr reforma në digjitalizim, siguri kibernetike dhe modernizim të administratës.
Jo vetëm një rikthim fizik, por edhe emocional e cilësoi Marash Dukaj praninë e tij në UET, prej të cilit mori formimin dhe ruan ende netwok-un e pasur.
“Është një emocion i veçantë që rikthehem në Universitetin Europian të Tiranës, në një vend që për mua nuk është vetëm një institucion arsimor, por një pjesë e rëndësishme e formimit tim personal dhe profesional. Këtu hodha themelet e një rruge që nuk e dija ende se ku do të më çonte, por që sot më sjell prapë në mesin tuaj pas 13 vitesh, me përgjegjësi të reja natyrisht dhe me një përvojë të re që më ka ndihmuar shumë”, u shpreh Dukaj.
Ministri u bë pjesë e Forumeve UET, duke zhvilluar një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët, ku foli për integrimin e Malit të Zi, rolin e partive shqiptare në këtë proces dhe përfaqësimin e tyre në administratë. Dukaj tha se shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë qenë kaq mirë politikisht sa gjenden sot, por kjo nuk duhet të çojë në vetëkënaqësi, pasi ende ka për të bërë për të përmirësuar situatën e tyre.

“Me themelimin e Forumit Shqiptar në vitin 2013 në Tuz e këndej, përfaqësimi i shqiptarëve në Mal të Zi ka ndryshuar. Historia këtë do ta dëshmojë dhe do ta shkruajë në një mënyrë, jam shumë i sigurt, për shqiptarët në Mal të Zi. E vetmja rrugë, duke filluar nga ne te Mali i Zi, por vlen edhe për gjithë shqiptarët, është unifikimi. Është rruga e parë dhe e vetme për të realizuar aspiratat dhe kërkesat tona në të mirë të shqiptarëve dhe në të mirë të gjithëve”, theksoi më tej ministri Dukaj.
Duke nisur me Tuzin, hapat e të cilit po i ndjek edhe Ulqini, ministri tha se është arritur pikërisht një rezultat i tillë përfaqësimi, në të cilin shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më parë. Sot qeveria e Malit të Zi ka dy ministri të drejtuara nga shqiptarët, ndërsa është rritur numri i tyre në administratë dhe në pozita drejtuese. Edhe pse në numër të vogël popullsie, rreth 36 mijë, shqiptarët në Mal të Zi kanë pasur një numër të lartë partish politike, me 10 subjekte politike, faktor që sipas ministrit Dukaj ka krijuar përçarje mes shqiptarëve.
“Ne kemi një problem historik si shqiptarë, pasi secili dëshiron të jetë i pari, të jetë kryetar. Të parët nuk mund të jenë të gjithë, por me unifikim kemi vend për të gjithë. Ne i kemi vënë tre shtylla kryesore kur kemi formuar Forumin Shqiptar të drejtuar nga lideri Nik Gjeloshaj: integrimi i shqiptarëve në Malin e Zi, përfaqësimi i shqiptarëve dhe investimet”, theksoi Dukaj, duke e cilësuar ekonominë dhe investimet si mjet përbashkues mes shqiptarëve në Ballkan.
Në një shtet multietnik, ku shqiptarët përbëjnë rreth 5% të popullsisë, Dukaj tha se nuk është aspak e lehtë të bëhet politikë, por kontributi për familjen, për kombin e më tej për shtetin mbetet themeltar për të ardhmen.
“Ne jemi shqiptarë. Kësaj ne nuk i ikim. As nuk do t’i ikim kurrë, sepse me këtë fakt vetëm krenohemi. I takojmë një kombi i cili gjithmonë ka pasur të qartë vizionin se ku duam të shkojmë.”
Ministri tha më tej se shqiptarët që në krye të herës e kanë përcaktuar drejtimin e tyre proatlantik, fillimisht në vitin 2006 me anëtarësimin në NATO, e më tej duke vijuar plotësimin e kritereve për integrimin në Bashkimin Europian. Sipas tij, Mali i Zi është vendi i Ballkanit Perëndimor që ka avancuar më shumë në rrugën drejt integrimit europian, duke u shprehur optimist se në vitin 2028 do të jetë anëtar i BE-së.
“Kontributi i shqiptarëve në Mal të Zi, jo vetëm për rrugën negociuese drejt Bashkimit Europian, është fondamental, është kyç. Përmend këtu rolin e dy dikastereve, një prej të cilëve e drejton Nik Gjeloshaj si Ministër i Ekonomisë dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër, dhe dikasteri që unë drejtoj; nga 14 kapituj, ne e kemi marrë përgjegjësinë dhe kemi mbyllur pesë kapituj me shumë sukses”, theksoi Dukaj, duke shpresuar që të gjitha shtetet shqiptare të bëhen sa më shpejt pjesë e unionit.
Referuar eksperiencës, rrugëtimit të tij personal, ministri këshilloi studentët të mos ndalen në ëndrrat e tyre dhe të mos zgjedhin rrugët më të lehta apo zonën e rehatisë.
“Zgjidhni rrugën e duhur, e cila kërkon shumë energji, por do t’ju çojë atje ku duhet. Madje do t’ju çojë më tej se sa ju kishit planifikuar. Kur rikthehem në të kaluarën time në vitin 2013, as nuk do ta mendoja që do të jem zëvendësministër apo ministër. Prandaj njeriu nuk duhet të preokupohet shumë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por duhet të punojë shumë, drejt dhe pastër për të mirën e vendit.”

