UET firmos marrëveshje bashkëpunimi me RSU nr. 1, mundësi akomodimi për studentët vendas dhe ata ndërkombëtarë

Universiteti Europian i Tiranës ka zgjeruar bashkëpunimin me një nga drejtoritë më të mëdha të akomodimit të studentëve në kryeqytet, Rezidencën Studentore Universitare Nr. 1. I njohur si Qyteti Studenti, ky kampus është përjetësuar në historinë politike të Shqipërisë me lëvizjet dhe grevën studentore të 1991-shit. Për vite me radhë, ky “qytet” ka qenë shtëpia, komuniteti, shkujdesja dhe argëtimi i qindra e mijëra të rinjve, të cilët përveçse ndiqnin studimet, kristalizonin ëndrrat për të ardhmen.
Gjatë një vizite në ambientet e Rezidencës Universitare Studentore nr.1, administratori i UET, Tildi Çadri, firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me Drejtorin e Përgjithshëm Olsi Shahini, dhe folën për mundësitë e krijimit të një partneriteti afatgjatë mes dy institucioneve, në termat e akomodimit të studentëve, por edhe të rrjetëzimit përmes aktiviteteve të përbashkëta akademike e kulturore.
Duke iu referuar statistikave të fundit, Çadri theksoi se UET vijon të mbetet institucioni jopublik me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar, shumë prej të cilëve vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. “Aktualisht kemi 4500 studentë aktivë. Kështu që nevojat për akomodim të tillë na vijnë nga studentët tanë që janë zhvendosur nga qytetet e tyre.”
UET është në zbatim e sipër të një fushate për rekrutimin e studentëve ndërkombëtarë, për të cilët ofron në anglisht disa prej programeve studimore më të kërkuara në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu, këtë vit UET është lider edhe në projektet ndërkombëtare, duke u bërë i pari universitet që ka marrë njëherësh 20 skema Erasmus +. Përveç studentëve nga universitetet evropiane, UET do të jetë këtë vit akademik auditori për shumë pedagogë, akademikë dhe kërkues shkencorë, të cilët do të sjellin njohuritë e tyre dhe do të shkëmbejnë eksperiencat me kolegët shqiptarë.
“Duam që studentët tanë të bëhen pjesë e komunitetit tuaj, i cili është më integrues dhe gjithëpërfshirës. Duam që këtë oportunitet ta përfshijmë në paketat tona dhe pastaj të mbetet në mundësitë dhe dëshirat e tyre për të zgjedhur”, theksoi administratori Çadri.

Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Rezidencës Studentore Universitare Nr.1, Olsi Shahini, tha se ky kampus nuk është më një hapësirë e rezervuar vetëm për studentët e universiteteve publike. Ai është një hapësirë me kushte moderne që akomodon studentë dhe staf akademik, shqiptarë dhe të huaj nga të gjitha universitetet shqiptare.
“Është një kampus universitar për të gjithë. Këtu studentët kanë mundësi të qëndrojnë në një rezidencë me kushte bashkëkohore. Kanë infrastrukturë moderne, të përshtatur me rezidencat simotra të Bashkimit Europian”, nënvizoi Shahini, duke shprehur dëshirën dhe angazhimin për ta shtrirë më tej këtë bashkëpunim, duke qenë se RSU nr. 1 po udhëhiqet tashmë nga një frymë e re ndërveprimi me përfitim optimal për komunitetin studentor.
Nën drejtimin e politikave të reja, rezidenca vijon transformimin struktural, e mbi të gjitha atë funksional, duke ofruar ambiente të sigurta, komode, moderne, të përballueshme ekonomikisht për studentët. Në disa prej këtyre godinave, ku është përmbyllur procesi i rikonstruksionit, hapësirat dhe mundësitë e ofruara janë të ngjashme me ato të rezidencave studentore evropiane.

