Studenti i UET, Alvi Skita, udhëheq ekipin e Shqipërisë në European Cybersecurity Challenge

Për të dytin vit radhazi, Shqipëria bëhet pjesë e European Cybersecurity Challenge, eventi që bashkon talentet e reja të sigurisë kibernetike nga e gjithë Evropa. Këtë vit, drejtimi i ekipit kombëtar i është besuar Alvi Skitës, studentit të Inxhinierisë Informatike në Universitetit Europian të Tiranës.
Alvi Skita nuk është emër i panjohur. Për komunitetin e IT dhe sigurisë kibernetike ai është një personazh i spikatur. Pjesë e disa kompeticioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, fitues i disa çmimeve, Alvi ka dëshmuar pasionin dhe vulosur talentin në fushën e Cybersecurity. Edhe pse 18-vjeç, ai ka marrë përsipër drejtimin e Ekipit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në European Cybersecurity Challenge 2025. Eventi do të mbahet në Poloni në datat 5-10 tetor.
Ky është edicioni i dhjetë i këtij konkursi prestigjioz të organizuar nga ENISA- Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike. Çdo vit ai mbahet në shtetet të ndryshme, ku përballen skuadrat kombëtare të përbëra nga 10 të rinj të moshës 14-25 vjeç. Pas njohjes dhe rrjetëzimit, konkurrentët sfidohen në zgjidhjen e detyrave të lidhura me sigurinë në fusha të tilla si siguria e web-it, siguria mobile, kripto, dhe gjatë këtij procesi mbledhin pikë për zgjidhjen e tyre, të cilat pastaj përcaktojnë renditjen në listën finale të fituesve.
Për Shqipërinë është viti i dytë radhazi që bëhet pjesë e sfidës që bashkon talentet më të mira evropiane. E po ashtu, e dyta herë është edhe për Alvi Skitën në përfaqësimin e Shqipërisë. Ai ishte pjesë e ekipit kombëtar të vitit të kaluar ECSC 2024, i cili u zhvillua në Turin, Itali. Këtë vit studenti i vitit të parë bachelor në programin Inxhinieri Informatike, në Universitetit Europian të Tiranës, do të drejtojë ekipin e Shqipërisë me nxënës, studentë apo të rinj nga institucione të ndryshme shqiptare.
Alvi e ka zbuluar herët pasionin e tij për sigurinë kibernetike, të cilin përtej pasionit, sot e ushtron si profesion në një kompani shqiptaro-franceze ku është punësuar. Ndër vite ai është bërë pjesë e disa kompeticioneve kombëtare, në të cilat është vlerësuar me çmime të para. Është shpallur fitues në konferencën vjetore për sigurinë kibernetike, BSides Tirana 2024, e cila përveçse bashkon komunitetin, diskuton çështjet e sigurisë, zhvillon edhe sfida për të rinjtë që shpërblehen me çmime dhe vlerësime të ndryshme. Fitues u shpall edhe në BSides Prishtina, zhvilluar në Universitetin e Prishtinës, si dhe i CyberFrontiers Hackathon të zhvilluar nga Raiffeisen Bank dhe Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Në qershor të 2025, Alvi mori çmimin Cyber Drill në eventin kryesor për inovacionin dhe teknologjinë në vendin tonë, i cili organizohet nga Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI) dhe bën bashkë gjigantët e teknologjisë nga rajoni e bota, politikë bërësit, investitorët, startup-et dhe ekspertët e sigurisë kibernetike. Ai zgjidhi me sukses një seri skenarësh të ndërlikuar në një garë që mblodhi mbi 20 profesionistë dhe entuziastë të sigurisë kibernetike nga i gjithë vendi.
Arritjet e Alvit janë dëshmi të talentit të tij, por edhe të rëndësisë dhe pranisë në rritje të Shqipërisë në arenën e sigurisë kibernetike. Në kohën e revolucionit digjital dhe shtimin e sulmeve kibernetike, të rinj të tillë janë garanci për lundrimin në një botë të sigurt digjitale.