Studentët e Arteve mbrojnë diplomën në skenën e Teatrit Kombëtar me shfaqjen ‘Ylli pa emër’

Drama “Ylli pa emër”, vendosur në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e së martës, më 10 qershor, zbuloi yjet e rinj të teatrit shqiptar. Studentët e Arteve të Universitetit Europian të Tiranës përcollën emocione të shumëfishta për publikun, i cili ndoqi me kërshëri, për gati dy orë, interpretimin e të rejave dhe të rinjve premtues.
E shkruar në 1942-shin nga dramaturgu rumun Mihail Sebastian, kjo vepër u përzgjedh nga studentët për finalizimin e studimeve Master. Drama rrëfen historinë e një Mësonjësi në një qytet të zbehtë provincial, i cili e ndan jetën mes librave dhe yjeve. E ndërsa është në kërkimin e yllit të radhës, ai bie në kontakt me “Të panjohurën”, e cila udhëton pa biletë treni dhe dëshiron të eksplorojë dimensione të reja të jetës së saj. Midis tyre shpaloset një histori dashurie që trondit rendin e atij qyteti të vogël, të fjetur e të plogësht.
Për sjelljen e “Ylli pa emër” në frymën e teatrit bashkëkohor u angazhua Klubi i Arteve dhe Departamenti i Arteve të Aplikuara, me pedagogët: Dritan Boriçi si regjisor, Blegina Bezo- skenografe dhe Kristi Bello, krijues i muzikës.
Dy rolet kryesore u luajtën nga studenti Redjan Shkëmbi (Mësonjësi) dhe Selma Bakalli (E panjohura apo Mona). Studentët e tjerë aktorë në shfaqje ishin: Erdi Mara- shefi i stacionit; Lirije Cani- Matmazel Kuku; Elvi Qorri- Grigu; Nikita Tafani- Udria; Grejsi Xhani- nxënësja; Elised Brahimllari- Ikimi; Migena Gjyla- fshatarja; Elgis Peti- Konduktori; Emiliano Mehmetaj- Pasku; Megi Sula- violiniste.
Shfaqja nuk do të ishte e plotë pa kontributin e Sejda Hoxha, autore e tekstit të këngëve; Migena Gjyla, asistent regji dhe Tauland Merkaj, teknika. Po ashtu, ndihmuan në realizimin e skenografisë studentët: Jon Kasaruho, Emil Nuka, Olivia Doraci, Melisa Ismailanji dhe Ada Stefa.
Pedagogu udhëheqës, njëkohësisht regjisor i shfaqjes “Ylli pa emër”, Dritan Boriçi, u shpreh i lumtur që studentët i dhuruan një mbrëmje magjike ‘familjes UET’, duke vlerësuar kontributin që dha secili prej tyre për të nxjerrë një produkt që rrallë del nga auditorët shqiptarë.
“I bindur te teknikat bashkëkohore të aktrimit që aplikohen vetëm në UET dhe tek pasioni pafund i studentëve, vendosëm që të ngjiteshim, si rrallë universitet tjetër, në skenën më të madhe dhe më domethënëse shqiptare. UET është i vetmi universitet në Shqipëri që u bashkon kurikulave të veta aktrimin, teatrin si një mision europianizues për rininë shqiptare. Teatri më shumë se çdo gjë është kulturë europiane. Jemi një degë e UET-it të madh, me pak vite në CV, po që kemi arritur shumë në pak kohë. ‘Ylli pa emër’ dëshmoi që kur bëhen bashkë Artet për realizimin e një vepre artistike…magjia ndodh.”
Shfaqja vjen në kuadër të edicionit të dytë Ditët e Teatrit Universitar, një ngjarje që bashkon studentë e aktorë të rinj, me synimin e krijimit të një komuniteti artistësh që bashkëpunojnë, sjellin vepra të reja dhe ndajnë eksperiencat më të mira.
Më 5 qershor studentët e Arteve në UET vendosën në skenën e Teatrit Zonja e Bujtinës komedinë “Emigrantët” me autor Slawomir Mrozek, nën regjinë e Driada Dervishit. Po ashtu, do të rivendoset në skenë komedia “Tri mendje në ankand” nga regjisori Armand Bora. E shkruar nga dramaturgu Ferdinand Hysi, kjo ka qenë vepra e parë me të cilën Bora ka nisur karrierën e tij si regjisor në 1994-ën, por ai e risolli me studentët, duke pasur sërish të njëjtin pëlqim dhe vlerësim nga audienca.