Numri i ri i Economicus/ Jo të gjitha punët mund të kryhen në distancë
Pasojat e pandemisë në tregun e punës dhe vendin e punës është fokusi i numrit 21 të revistës Economicus. Botuar nga Fakulteti i Ekonomisë së Universitetit Europian. Autorët kontributorë të këtij numri të ri, promovuar vetëm pak ditë më parë. Ketu vihet theksi tek e ardhmja dhe nevoja për kërkime e studime më të gjera jo vetëm për të kuptuar pasojat që la për botën e biznesit dhe të punonjësve. Ne te njejten kohe edhe në gjetjen e zgjidhjeve novatore. Por duket se jo të gjitha punët mund të kalojnë regjimin e të punuarit në distancë
Jeta është si të ngasësh një biçikletë, thoshte dikur gjeniu i fizikës Albert Ajnshtajn. Për të ruajtur ekuilibrin, duhet të vijosh të lëvizësh. Kështu, pandemia Covid -19, megjithëse u duk sikur e izoloi njerëzimin dhe i ndali orët për një kohë, solli lëvizje të reja në tregun e punës. Pandemia ndryshoi vendin e punës përgjithnjë.
Smart working dhe puna në distancë u bë kryefjala e viteve të fundit, ku kushtet e reja treguan se ishte e mundur të operohej edhe larg mjediseve të punës dhe orareve klasike në zyrë.
Por si do të jetë e ardhmja e punës në distancë përtej pandemisë? Kjo është pyetja që ngre numri i ri i revistës shkencore “Economicus”, i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, promovuar pak ditë më parë.
“Një realitet i tillë zbuloi një sërë punësh, profesionesh dhe veprimtarish që mund të formatohen lehtësisht në të, si edhe shumë detyra që rezultuan vetëm pjesërisht të përshtatshme, ose të paafta për t’u kryer nga shtëpitë”, shkruan në editorialin e këtij numri, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, në UET, Elvin Meka.
Sipas ekonomistit, e vërteta e thjeshtë është se jo të gjitha punët mund të kalojnë në regjimin e të punuarit në distancë.
Ashtu si edhe përvoja globale e tregon, vetëm një pakicë punësh mund të kryhen nga shtëpia. Por, pavarësisht kësaj, shton Meka, pyetja që shtrojnë të gjithë është nëse kjo rritje e punës në distancë a do të jetë e përkohshme apo do të vijojë edhe në të ardhmen.
Përgjigja në terma afatgjatë, thotë profesori i Ekonomisë, do të varet nga ekuilibri final mes pro-ve dhe kundrave të punës në distancë, si për punonjësit ashtu edhe për bizneset.
Sepse, siç e shtron ai puna në distancë paraqet sfidat më komplekse për shoqatat e biznesit, departamentet e tyre të burimeve njerëzore dhe strategjitë e tyre të biznesit në të ardhmen.
Periudha pas Covid-19 dhe ndryshimi i papritur drejt realitetit të punës nga shtëpia, profesionistët dhe punonjësit e zyrave, në veçanti, u përballën me sfida të befta në punën e tyre, që variojnë nga mungesa e pajisjeve teknike dhe aftësive, tek përshtatja me normalen e re, mes çështjeve të shëndetit.
“Bota post-pandemike, bashkë me Revolucionin e Katërt përfaqëson puzzle-in më të ndërlikuar në botën e biznesit, tregjeve të punës dhe punonjësve dhe zgjidhja më e mirë do të kërkojë në mënyrë të pashmangshme studime dhe punë kërkimore të zgjeruar, që do të eksplorojë dhe shpalosë çështje dhe sfida të reja, si edhe do të prodhojë ide dhe zgjidhje novatore për të rritur produktivitetin e punës dhe përmirësuar sfidat e lidershipit, mjedisin e biznesit, organizimin e punë, praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe mbi të gjitha, ekuilibrin social, shkruan kryeredaktori i revistës shkencore “Economicus”. Përballë kësaj sfide, bizneseve dhe punonjësve u duhet të vazhdojnë të punojnë, drejtojnë, bashkëpunojnë dhe të jenë novatorë.
Por jo vetëm puna në distancë. Dy pedagogë të UET, Anjeza Xhaferaj dhe Kreshnik Bello sjelli në këtë numër të revistës Politikat Publike gjatë kohës së pandemisë. Ky artikull jo vetëm që sjell një ekspoze të problematikës, por edhe jep sugjerime dhe konkluzione sesi politikat në teleworking të shihen si një mjet për të arritur rishpërndarjen territoriale të burimeve njerëzore dhe për të ngushtuar shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë dhe zhvillimit.
Sipas këtij punimi duhet ndërmarrë një politike publike për adresimin e migracionit të brendshëm, shpërndarjes së pabarabartë të ekspertizës së kualifikuar dhe pabarazitë në shpërndarjen e pasurisë.
Sipas këtij artikulli, puna në distancë hedh një qasje interesante tek rizbulimi i periferisë, zhvendosja e burimeve dhe kontribuon në zhvillimin e zëshëm të vendit. Investimi në digjitalizim, lidhje të mirë interneti, ndërtimi i kapaciteteve, duhet të bëhet përparësi e qeverisë, sugjerojnë dy autorët e këtij artikulli.
Gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 u vu re gjithashtu një rritje në kryerjen e procedurave bankare online. Pedagogët Ismet Voka dhe Filipos Ruxho, trajtojnë përdorimin e teknologjisë financiare në Shqipëri. Dy pedagogë, Irini Goga dhe Mikel Qafa sjellin disa koncepte teorike në qasjet e sjelljes mbi mirëqenien financiare, si pasojë e pandemisë.
Një tjetër artikull, nga Enida Koni dhe Joana Shima është ai i analizës mbi implementimin e teknologjisë të reja si pjesë e procesit të sinjalizimit në sipërmarrjet shqiptare dhe problemet e sfidat që ai sjell. Artikuj të tjerë të lidhur me financat dhe sistemin bankar në këtë numër të 21-të të revistës shkencore janë ai mbi Financën e Sjelljes dhe impakti që ka sjellja financiare në vendimmarrjet ekonomike të individëve në Shqipëri nga Aurora Molishti dhe Sokol Ndoka, si edhe mbi cilësinë e shërbimit në sistemin bankar, që vjen si një punim i tre kërkuesve shkencorë Ketrina Çabiri, Xhorxhina Salaj dhe pedagogut Hysen Muceku. Në faqet e revistës vjen e trajtuar marrëdhënie mes arsimit dhe rritjes ekonomike nga Emirgena Nikolli dhe Elona Shehu, Neoliberalizmi dhe kriza financiare e 2008-s nga Xhesi Shkreta dhe Kriselda Kaçani.
Nga fusha e turizmit vjen një analizë e gjerë mbi ofertën turistike në Qarkun e Vlorës, me këndvështrimin e grupeve të interesit në këtë fushë.
Ky artikull mban autorësinë e katër kërkueseve shkencore dhe pedagogeve, si bashkëpunim mes Universitetit Europian të Tiranës dhe Universitetit të Durrësit, si Ermira Qosja, Brunilda Liçaj, Aurela Braholli dhe Ani Mbrica.
Ndërsa nga fusha e bujqësisë vjen një artikull mbi ndryshimet strukturore në agrikulturë në qarkun e Korçës, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm, i cili mban autorësinë e Adrian Mahos dhe Ferdinant Mahos.