Një qeveri studentore post-pandemike për studentin e rikthyer në auditor
Qeveria Studentore është një nga organizmat kryesorë të angazhimit të jetës studentore në Universitetin Europian të Tiranës, e cila merr një rol të veçantë jo vetëm në përfaqësimin e tyre në senatin akademik, por edhe në aktivizimin e studentëve në shumë procese akademike. Në muajn Janar universiteti, duke marr shkasë edhe nga shkëputja nga auditori prej pandemisë, zhvilloi zgjedhjet e Qeverisë Studentore UET 2022.
Këtë vit iu dha një rëndësi e veçantë pasi ishin zgjedhjet e para pas pandemisë, e cila “zhvendosi” studentët online edhe i riktheu këtë vit akademik në auditore.
Për Universitetin Europian të Tiranës, Qeveria Studentore është një lloj detyrimi ndaj pjesës tjetër. Qëllimi i Qeverisë Studentore në UET është të përfshijë sa më shumë studentët në lidhje me vendimet që merren mbi universitetin e tyre, një përfaqësi kjo e cila garanton transparencën dhe dëgjimin e vullnetit të studentëve.
Për këtë arsye u zhvilluan zgjedhjet në fund të muajt Janar për përfaqësinë e studentëve.
Orjana Cekrezi, senator e grupit të vitit të dytë Menaxhim Biznesi, u përzgjodh Presidente e Qeverisë Studentore UET 2022 me një diferencë shumë të vogël ndaj Ambra Perhati,senatore e grupit të degës së Imazherisë së vitit të dytë, që bëhet automatikisht Zëvëndës Presidente e Qeverisë Studentore UET. Studentja Suada Brahimi, senatore e degës së Financës viti i parë, u përzgjodh në rolin e Sekretares së qeverisë.
Një kryesi, me gjini femërore, e zgjedhur nga vetë senatorët e të gjitha grupeve, në mënyrë demokratike, në ciklin Bachelor në UET, premtuan rikthimin më aktiv të jetës studentore si një ndër pikat më të forta të zgjedhjes së Universitetit Europian të Tiranës, për këtë etapë të rëndësishme të jetës së çdokujt.
Të treja studentet do të jenë në qendër të studentëve dhe iniciatore në ndërrmarrjen e aktiviteteve, projekteve, nismave dhe kauzave, të cilat ndihmojnë dhe kontriubojnë në mbarëvajtjen e jetës studentore. Studentet, drejtuese të qeverisë studentore, kanë si qëllim angazhimin dhe motivimin e studentëve, të cilët duke i nxjerrë pak nga rutina e tyre akademike nëpërmjet angazhimit në aktivitet extrakurrikulare, do t’ua bëjnë akoma dhe më tërheqëse jetën studentore.
Universiteti Europian i Tiranës i kushton një rëndësi të madhe lidershipit si një mënyrë tepër e mirë për të stimuluar, nxitur studentin që ai të përparoj në fusha të ndryshme të jetës duke e bërë atë një individ të pavarur, ambicioz dhe me vetbesim të lartë.
Qeveria Studentore e Universitetit Europian të Tiranës, si një strukturë e pavarur dhe e drejtuar nga vetë studentët, në bashkëpunim me zyrën e Dekanit të Studentit, rëndësia e saj qëndron në faktin se zëri i studentëve ka mundësinë të dëgjohet më fuqishëm, interesat e tyre të merren më tepër parasysh dhe problemet që mund të ekzistojnë të gjejnë zgjidhje.