Vijon të zgjerohet ‘harta’ e bashkëpunimit të Universitetit Europian të Tiranës me universitetet e tjera publike dhe jopublike në Shqipëri. Ditën e mërkurë, UET ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës, zyrtarizuar nga dy rektorët përkatës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.

Marrëveshja zhvillohet në kuadër të rritjes së cilësisë̈ akademike dhe kërkimit shkencor, në fushat dhe programet e ofruara nga të dy institucionet e arsimit të lartë publik dhe jo publik,  bashkëpunimit për projekte të përbashkëta ndërkombëtare dhe rajonale, mbështetjes për promovimin e gradave dhe titujve akademikë. Gjithashtu, institucionet angazhohen në organizmin e aktiviteteve të përbashkëta, debate, konferenca, simpoziume, workshope, në fushat që ofrohen prej secilit.

Ky bashkëpunim mes dy institucioneve synon gjithashtu edhe bashkëpunimin për zhvillimin e praktikave profesionale në dy ciklet e studimit që ofrohen prej tyre, shkëmbimin dhe përdorimin e literaturës shkencore dhe platformave online, si dhe shkëmbimin e stafit akademik/ administrativ dhe studentëve, si një mundësi për të përfituar prej praktikave më të mira të secilit, me qëllimin primar, që është edhe thelbi i misionit të arsimit të lartë, atë të përgatitjes së specialistëve, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit.

Marrëveshja me UBT është në fakt e katërta marrëveshje që UET ka finalizuar me institucionet publike të arsimit të lartë, pas nevojës së lindur nga rrethanat, jo vetëm për shkak të pandemisë së Covid-19, por edhe zhvillimeve të vazhdueshme ndërkombëtare në lëmin e arsimit të lartë, që kanë diktuar kështu një frymë të re institucionale, që i hap rrugën bashkëpunimit me fokus maksimizimin e cilësisë, kërkimit shkencor dhe përgatitjes së specialistëve të fushave të ndryshme.

E para marrëveshje është nënshkruar më 22 dhjetor mes UET dhe Universitetit të Tiranës, për të vijuar pastaj në muajt e parë të 2021 me Universitetin e Sporteve të Tiranës dhe Universitetin e Mjekësisë së Tiranës. Të vetëdijshëm për vlerat që ofrohen prej secilit, drejtuesit e këtyre institucioneve kanë pranuar njëzëri domosdoshmërinë e inicimit të këtij bashkëpunimi, si një praktikë tashmë e njohur ndërkombëtarisht, por që më në fund po bëhet realitet edhe në vendin tonë.

Po ashtu, ata kanë pranuar të ndajnë eksperiencat shumëvjeçare, si institucione me një përvojë të gjatë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri, duke kapërcyer ndasitë e kontekstit të themelimit apo organizimit dhe të bëhen bashkë në emër të standardeve të cilësisë, si një e mirë publike.

Gjithashtu, ata e kanë parë këtë bashkëpunim si konkurrencën më të mirë mes institucioneve të arsimit të lartë, pasi objektivat dhe pikësynimet janë të njëjta, por edhe për faktin se të dy sektorët rregullohen me të njëjtin ligj. Dhe në fund, e vetmja gjë që do i diferencojë, do të jetë tregu, ‘fushëbeteja’ mes profesionistëve.