Kryeministri Edi Rama, shpalosi në UET spontanitetin e tij, duke mos pranuar të lexojë fjalimin e përgatitur, por duke thënë fjalë zemre, nderimi dhe vlerësimi për “një qenie të rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë”, siç e cilësoi ai Petrit Rukën.

Kryeministri u shpreh se kjo ishte hera e parë që pranonte të ishte i pranishëm në një ceremoni të tillë, (marrja e çmimit Honoris Causa nga Petrit Ruka) teksa shkëputi disa vargje nga poezia e tij, “Poetët”.

Poetët-njerëz të ligj, shtetet gjithmonë i shajnë,

Sillen me ta si me gratë, zihen dhe i ndajnë,

Pastaj prapë u bëjnë këngë, për ta zënë dhe qajnë.

Rama u shpreh se Ruka nuk është i famshëm dhe se është autori më i gabuar për t’u bërë i famshëm, por mbetet nga ata autorë që do të jenë aty për gjenerata e gjenerata.

“Unë nuk jam këtu i dashur Petrit për të të ndarë nga askush dhe për të të marrë për vete, ashtu si më vjen mirë që të paktën deri më sot nuk më ka qëlluar që të shaj apo të grindem me ndonjë poet. Kjo nuk ndodh sepse jetojmë në një vend ku nderi i emri poet, shkrimtar, artist, personalitet, është një nder që bëhet rëndom dhe kryesisht mendimi im është se kush e bën këtë nder, përpiqet të lartësoje veten e vet referuar adresës ku bën nderin.

Unë jam këtu, sepse Petrit Ruka është patjetër një poet, patjetër shkrimtar dhe patjetër skenarist, por është një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar, të vet-krijuar. Petriti nuk është i famshëm. Është një autor që nëse hapësirën ku gëlon produkti bashkëkohor i artit dhe kulturës sonë do ta konsideronin si pazar, nuk e gjen në pazar, duhet ti shkosh në shtëpi.

Duhet ti shkosh në shtëpi dhe duhet të presësh me durim që mes shumë orendive krejt të zakonshme, siç është dhe shtëpia, t’i gjesh librat dhe ka shumë orendi krejt të zakonshme në gjithë këtë pazar dhe lagjen e artistëve dhe të krijuesve të të gjitha llojeve, të cilat ekspozohen në të gjitha format dhe e bën edhe më të vështirë që të takosh krijimtarinë e Petrit Ruka. Për hir të vërtetës, nëse më pyesni mua personalisht që sa tituj mund të shtoj në krijimtarinë e tij, me siguri do rreshtoja shumë më pak se shumëkush që pa kursim do t’ia jepte të gjitha lëvdatat.

Ajo që është e jashtëzakonshme është se vargjet, sidomos vargjet, por edhe të tjera krijime të Petrit Rukës i gjen duke qëmtuar dhe duke t’u shfaqur para syve papritur, pasi ke qëmtuar dhe duke kaluar në këto me dëshirën që të rikthehesh përsëri.

Është autori më i gabuar për t’u bërë i famshëm, por jam i bindur që është një ndër ata autorë që do të jenë aty për gjenerata e gjenerata e kur të famshmëve do u jetë harruar emri, do u jenë harruar veprat e patjetër që do u jetë tretur dhe fama.

I tërhequr, i mirë ulur në gurin e tij dhe i dhënë në një mënyrë që ndihet në çdo varg të tij, në çdo vepër të tij, pa kushte tek krijimtaria e tij duke të lënë të ndjesh se bëhet fjalë për një autor që me veten merret shumë pak, me emrin e tij mbase dhe më pak.

Nëse më pyesni mua personalisht, sesa tituj mund të rreshtoj nga krijimtaria e tij, me siguri do të rreshtoja shumë më pak sesa shumëkush. Vargjet por edhe të tjera krijime të Rukës, i gjen duke qëmtuar, jo duke u shfaqur pa arsye, papritur, i gjen vetëm duke kaluar në to, me dëshirën që t’iu rikthehesh përsëri. Është një nga ata autorë, që do të jetë aty, për gjenerata e gjenerata që do vijnë. Titulli është i merituar, por mua më duket se është aq i merituar, sa nuk është një vlerë e shtuar për të, duke parë sesa shumë tituj që jepen.

Ka një tipologji shumë të veçante, jo se është i vetmi apo i pari që përpiqet të shtrihet në të gjitha fushat ku krijuesi shtrihet me fjalë, por se ka një kapacitet transformues të jashtëzakonshëm në qenien e tij, duke kaluar nga një zhanër në tjetrin e duke i dhënë çdo zhanri diçka që është vërtet origjinale e për t’u admiruar”, u shpreh Kryeministri.