Nga dietat, tek trajtimet alternative të sëmundjeve, një udhëzues i dobishëm për të gjithë

Në vijim të traditës së krijuar, Department’s Book Review solli këtë të premte, në ambientet e UET dhe nën respektimin rigoroz të masave anti- Covid, promovimin e librit më të ri në fushën e mjekësisë, “Trajtimi standard dhe alternativ i sëmundjeve” me autorë dy mjekët babë e bijë, Dr. Laver Stroka dhe Dr. Afërdita Stroka.

Nën organizmin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike dhe nën moderimin e dekanit të këtij fakulteti, Prof. Dr. Pirro Prifti, në ambientet e universitetit me të pranishëm studentë dhe pedagogë, u zhvillua një bashkëbisedim me dy autorët, të cilët shpjeguan përmbajtjen e këtij libri voluminoz, i cili përfshin tërë problemet e urgjencës dhe të sëmundjeve të brendshme, duke sjellë një bagazh të mirë profesional, mjekësor nga eksperienca e tyre. Nën një trashëgimi të vyer familjare, përcjellë prej 4 brezash, në libër vjen pasioni dhe puna kërkimore për mjekësinë bimore dhe trajtimin alternativ të sëmundjeve të brendshme. Po ashtu autorët, pas një pune kërkimore pothuajse 16 vjeçare, sjellin në librin e tyre dy dieta, “Dieta Universale Familjare” dhe “Dieta e Diabetikut”.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësorë Teknike në UET, Prof. Dr. Pirro Prifti, theksoi se ky libër mjaft mirë mund të rekomandohet dhe të përfshihet në tekstet mësimore, pasi është mjaft i vlefshëm për mjekët dhe personelin shëndetësor, po aq edhe për studentët që studiojnë në këtë fushë.

“Unë mendoj që ky është një libër shumë i mirë, jo vetëm për mjekët, por edhe për personelin mjekësor, infermierët, ndoshta edhe për fizioterapinë dhe imazherinë dhe ne mund ta përfshijmë në të ardhme si libër të rekomanduar për t’u lexuar në mënyrë që t’i pasurojmë studentët tanë me njohuri të reja. Ju falenderojmë që erdhët dhe na shpjeguat edhe për përvojën tuaj në mjekësinë standarde, por edhe në atë alternative, sepse janë shumë sëmundje në kohën e sotme që me gjithë përparimin e shkencës mjekësore, ka komplikacione, ka vdekshmëri të lartë, sidomos melanoma, për të cilën janë bërë plot zbulime, mbetet një nga kancerat që shkakton vdekshmëri të lartë, në rreth 90% të rasteve. Shpresoj që puna juaj të përhapet dhe të merret si përvojë edhe te mjekët, edhe te personeli shëndetësor, për të mjekuar pacientët dhe për t’i këshilluar ata, sidomos tek dietat”, tha Prifti.

Drejtoresha e botimeve UET Press, Suela Mino e quajti librin një lloj guidë për njerëzit e thjeshtë, që duhet të jetë në shtëpinë e gjithsecilit, jo për të zëvendësuar mjekun, por për të marrë prej tij disa pika orientimi në përditshmërinë tonë kur hasim problematika që mund të menaxhohen vetë dhe nëpërmjet përdorimit të bimëve medicinale apo dietave të rekomanduara prej doktorëve.

“Në shtesë të gjithë asaj që bëtë sesi mund t’i vlejë personelit mjekësor ky libër, unë do të desha të shtoj një element tjetër nga përvoja ime personale. Duke qene një njeri jashtë fushës së mjekësisë, unë besoj se libri ka një vlerë të shtuar për publikun e gjerë, që nuk është thjesht personeli mjekësor, por për atë njeriun e thjeshtë që shpesh panikohet në kushtet të problemeve me shëndetin, apo të përplasjes mes trajtimeve të ndryshme mjekësore. Për këtë arsye e shoh si një guidë që nuk zëvendëson mjekun padyshim dhe nuk është ky qëllimi i librit, jam e sigurt, por si një guidë që është shumë mirë të jetë në shtëpi. Jo vetëm ekspertët e fushës, por edhe publiku i gjerë do të gjejë aty disa pika orientimi që na vlejnë dhe na duhen, sepse në përditshmërinë tonë kaotike dhe shpesh ka mungesë informacioni, sidomos në drejtimin e ushqyerjes, prandaj besoj se është një vlerë e shtuar e librit. Pjesa tjetër mbetet pastaj që e vlerësoni dhe ‘konsumoni’ ju në nivel të personelit mjekësor dhe të specialistëve të fushës, por unë jam e lumtur që ky libër i vjen publikut shqiptar përmes UET Press-it, nën logon e tij, dhe më lejoni ta shënjoj si një nga botimet që është pjesë e krenarisë sonë”, u shpreh Mino.

Autorët sqaruan, se 14 kapitujt e librit vijnë si pasojë e punës së vazhdueshme hulumtuese e kërkuese në vite, por paraqitet edhe përvoja e më shumë se 4 dekadave punë të doktor Laverit, në spitale dhe në qendra të ndryshme shëndetësore. Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, Dr. Laver Stroka u kthye në vendlindjen e tij në Gjirokastër, ku fillimisht punoi si shef shëndetësie në Ushtri dhe më pas në vitin 1989 në patologji, në spitalin “Omer Nishani”, ku u specializua në sëmundjet e brendshme dhe të lëkurës, duke mbuluar deri në vitin 1992 shërbimin e nefrologjisë. Më pas, filloi shërbimin e urgjencës, duke kontribuuar për vite të tëra, teksa nuk la pas dore aktivitetin studimor dhe sidomos studimin e bimëve medicinale dhe mjekësisë alternative, një praktikë e trashëguar ndër breza prej gjyshit të tij. Por nga ana tjetër, pasioni i tij për gjuhët e huaja, e shtyu drejt përvetësimit të disa prej tyre në mënyrë autodidakte, që në moshë të hershme, të cilat i krijuan aksesin e përditësimit me informacione dhe kërkime shkencore në fushën e mjekësisë, disa prej të cilave vijnë të ristrukturuara në libër.

Vajza e tij, Dr. Afërdita Stroka, e diplomuar si mjeke e përgjithshme, ka ecur krahas të atit, tashmë edhe si kolege, pasi prej 7 vitesh punojnë në klinikën e tyre. Ajo e cilësoi librin një lloj udhëzuesi për çdo sëmundje, që paraqet zgjidhjet praktike primare që mund të bëjë pacienti. Po ashtu, në libër sqarohen se çfarë ekzaminimesh bëhen në mjekësinë standarde dhe nga cilat ekzaminime duhet të fillojë pacienti, për të mos shkuar tek të shtrenjtat që në fillim, apo çfarë terapie duhet të fillojë pacienti, duke iu referuar protokolleve mjekësorë.

Intervista

Dr. Laver Stroka: Metoda vrastare po përdoren për ekzaminim dhe kurimin e Covid-19

 Në librin “Trajtimi standard dhe alternativ i sëmundjeve” kemi lexuar edhe për një dietë ushqimore të familjes Stroka. Çfarë ka të veçantë kjo dietë dhe ku konsiston ajo?

Dr. Laver Stroka: Për këtë dietë unë kam punuar mbi 12 vjet, sepse atëherë nuk kishte kompjuter që të bëja ato përllogaritjet e mikro-elementëve dhe elementëve, që të mos kishte diskordanca dhe dalje mbi elementët që kërkohen nga organizmi. Në fletë të mëdha unë shkruaja elementët dhe bëja kryqëzime për kombinimin e tyre dhe në fakt punova 12 vjet në mënyrë intensive, ndërsa e mbarova plotësisht pas 16 vjetësh. Kjo dietë tregon se çfarë duhet të hajë njeriu për të mos krijuar asnjë deficit në organizëm. Dhe duke mos krijuar asnjë deficit në organizëm, krijon shmangien e të gjitha llojeve të sëmundjeve, duke filluar që nga kanceri i lëkurës. Këtë dietë ia rekomandojmë çdo pacienti që vjen në klinikën tonë dhe me këtë rast ia dhurojmë falas edhe lexuesit të librit, e cila do t’i ndihmojë jashtë mase. Është përdorur në shumë raste dhe deri tani nuk ka asnjë kritikë kundër saj, që të ketë ndonjë diskordancë. Teksa shikoj botimet më të fundit ndërkombëtare, vlerësimet për elementët dhe vërej se ato përputhen me dietën tonë.

Ju keni shkruar në libër diçka për kanabisin, për hashashin. Sigurisht që kjo lloj bime është përdorur si drogë në përgjithësi nga njerëzit dhe ju e keni kritikuar shumë në libër. Megjithatë, në disa shtete të Amerikës, ndoshta edhe në disa shtete evropiane, si Holanda, e kanë përdorur për qëllime rekreative, ose për qëllime mjekësore, p.sh. një pjesë e vajit të kanabisit për të mjekuar ose lehtësuar dhimbjet e vuajtjet e të sëmurëve. Çfarë mund të thoni më tepër, për faktin që ju e jeni kundër përdorimit të tij?

Dr. Laver Stroka: Ai është një narkotik. Në një gjendje të pashpresë, ku do të duhet një qetësues i fuqishëm i dhembjes, mund të përdoret. Megjithatë, në traditën time të mjekimit, gjatë kësaj periudhe 44 vjeçare që kam trajtuar, edhe te pacientët me kancer unë nuk kam dhënë kurrë narkotik, por kam dhënë medikamente të tjera mjekësore, plus produkte bimore. Pse? Sepse kam parë që narkotiku e përkeqëson njeriun, e kthen në një egërsirë, e tjetërson. Madje edhe në shtëpi ai nuk do të jetë një anëtar i familjes, pasi nuk ka ndjenja, nuk ka dashuri. Duke parë se çfarë ndodhte tek njerëzit që ishin trajtuar më parë, mendoj se me trajtimin me narkotik, bën një krim mjekësia. Narkotiku e shkëput njeriun nga ndjenjat njerëzore, atëherë ai i vdekur është. Atëherë ne pse ta vdesim për së gjalli? Ta lëmë të vdesë kur t’i vijë vdekja. Prandaj, unë kam qenë dhe mbetem një ‘armik i betuar’ i kanabisit dhe gjithë preparateve narkotike të tjera. Sot aktualisht, mbi 10% e njerëzve në Amerikë janë përdorues të rregullt të kanabisit, ndërsa rreth 40% janë përdorues jo të rregullt. Është parë se krimet më të shëmtuara i bën ky kontingjent, nuk i bëjnë të sëmurët psikikë. Psikozat e njerëzve përdorues të kanabisit, janë psikozat më të rënda, më të vështira dhe më të rrezikshme për shoqërinë.

Çfarë dallimi shihni mes mjekësisë standarde që përdorim ne dhe mjekësisë alternative që përdorni ju. Ku është e mira dhe e keqja?

Dr. Afërdita Stroka: Ne në fakt përdorim një kombinacion, nuk mund të themi që ne i përkasim mjekësisë alternative. Ne kemi një armë të fortë, që është mjekësia alternative. Nuk mund të shkëpusim asnjëherë mjekësinë standarde, nuk e përjashtojmë asnjëherë atë, sepse që për diagnostikimin e pacientit, që për ndjekjen dhe ecurinë, ne ju referohemi protokolleve dhe literaturës bashkëkohore. Ndërkohë edhe mjekësia alternative që ne ushtrojmë, që ne praktikojmë, është një mjekësi alternative e studiuar, pra çdo gjë që ne aplikojmë është mbi baza shkencore. Por kemi një pasion për aplikimin e këtyre bimëve dhe tretësirave bimore në mjekimin e këtyre sëmundjeve. Kështu që ne nuk mund të themi që jemi kundër, ne absolutisht jemi pjesë e mjekësisë standarde.

Në këtë libër ju keni shumë referenca. Mes atyre autorëve që keni marrë pjesë nga përvoja e tyre, kemi edhe profesor Threskën dhe Kokobobo, kolegët e mi. Ju keni punuar edhe në nefrologji me profesor Nestorin, sot në pension, anëtar i Akademisë së Shkencave, por ka qenë shef i Nekrologjisë. Çfarë mund të na thoni për trajtimet standarde dhe alternative që ju keni bërë ju në sëmundjet renale?

Dr. Laver Stroka: Ajo që kemi shfrytëzuar nga profesorët tanë, vjen nga një përvojë shumë e vyer. Aplikimet e ndryshme që kemi bërë ne me dieta dhe mjekësinë alternative, ka bërë disa herë mrekulli. Kemi pasur një vajzë, që sot është mjeke ajo dhe po specializohet për mjekësi në Angli. Që në moshën 7 vjeçe asaj i mbusheshin veshkat plot me gurë. Ishte trajtuar në Athinë, pasi atje kishin shkuar si emigrantë atje dhe ishte e pamundur që të zgjidhej. Pasi pashë grafinë, ishte e mbushur me gurë në të dyja anët dhe kuptova se kishte një çrregullim metabolik. Dhe unë duhet ta zgjidhja atë, jo me ilaçe por me një lloj diete. Kështu që i tregova disa përbërës bimore, që duhet t’i pinte çdo ditë dhe brenda një muaji iu pastruan të dyja veshkat. Mjekët në Athinë kur e panë rezultatin, thanë çfarë mrekullie kisha bërë, por në fakt thjesht i rregullova elektrolitet për t’i krijuar një bilanc të ri në organizëm. Që prej atëherë, ajo nuk ka pasur më probleme dhe nuk i janë krijuar gurë në veshka. Po ashtu, edhe në trajtimin e djegieve, me një krem që bëj vetë, duke bërë të mundur shërimin e plagëve të djegies në 1/3 deri në 1/2 e kohës të mjekimeve moderne. Kjo është trajtuar edhe klinika të specializuara dhe rezultati ka qenë befasues.

Pra, ne kemi bërë një kombinim të alternatives me modernen, nuk e kemi përjashtuar modernen, por duke influencuar në përdorimin e alternatives për raste më të thjeshta. Nëse një person më vjen me kollë, rrjedhe hundësh, atëherë pse t’i jap antibiotik, por mund t’i jap ujë me kripë të përgatitur 0.5 kg ujë, 1 lugë kripë për fytin dhe ngrohje të kurrizit. Ngrohje jo me raki siç e kanë deformuar traditën tonë popullore, por me vaj ulliri që të zbutet lëkura, sidomos tek foshnjat e vogla.

Meqë jemi në një periudhë të vështirë pandemie, ju çfarë rekomandoni shtesë, përveç masave që ka vendosur qeveria për parandalimin e virusit?

Dr. Laver Stroka: Ne kemi në libër një kapitull, ku përfshihen gjithë studimet më të rëndësishme botërore që janë bërë, të cilat i kam publikuar vazhdimisht edhe në rrjetet sociale që të informohen të gjithë njerëzit, mjekë apo miqtë e mi. Po ashtu, në libër kemi dhënë edhe përvojën tonë të trajtimit, duke e nisur të kombinuar, alternative dhe më pas shkencore, standarde. Kemi rekomanduar çfarë të bëjnë njerëzit, sepse menjëherë njerëzit shkojnë tek skaneri. Një skaner është një bombardim i vogël atomik. Në nuk duhet t’i vrasim njerëzit, duhet t’i shpëtojmë ata. Por po të bëhet skaneri për gjëra të tilla, të kota, ne pothuajse i vrasim ata. Nuk do t’i vrasë Covidi, por do t’i vrasim ne duke iu shkaktuar sëmundje të tjera të mëvonshme. Po ashtu kemi përmendur që ne e kemi trajtuar me dietë. Çfarë shkakton Covid? Mpiksje të gjakut. Prandaj duhen përdorur ushqime që kundërshtojnë mpiksjen e gjakut. Po ashtu, te njerëzit vihet re edhe mania për të bërë injeksione. Por ato janë metoda barbare, sepse ne s’kemi pse e traumatizojmë dhe s’kemi pse japim ilaçe, kur mund të trajtohet me preparate shumë të thjeshta.

Dr. Afërdita Stroka: Megjithatë, Covid është një sëmundje shumë komplekse. Në flasim më shumë për eksperiencën tonë. Ajo është një sëmundje shumë e vonët, një vjeçare, dhe nuk janë rritur akoma njohuritë e plota për të, pasi ditë pas dite dalin gjëra të reja, që befasojnë këdo. Megjithatë ne kemi sjellë eksperiencën tonë dhe çfarë mund ta ndihmonte për ta kaluar diçka më lehtë. Pastaj sipas stadit, sëmundja sigurisht që do të trajtohet edhe me mënyra të tjera.

Ju keni në libër edhe një dietë për diabetikët. Dihet që në Shqipëri ka një numër të madh personash të prekur me diabet të tipit të dytë. Si e keni parë ju këtë trajtimin nëpërmjet dietës?

Dr. Laver Stroka: Me këtë ne kemi bërë që shumë njerëz të lënë insulinën dhe ta mbajnë plotësisht nën kontroll diabetin. Kjo është përllogaritur në bazë të sasisë se elementëve që duhet të merren dhe të shpërndahen gjatë ditës. Nuk po them heqje e menjëhershme e insulinës, por me trajtim dhe ulje graduale e insulinës dhe pastaj kur sheqeri arrin nivelin në 120- 130, ne s’mund ta lëmë me insulinë atë. Ai largohet komplet nga insulina. Insulina do të përdoret te të gjithë ata persona me ndërlikime, njerëz që nuk arrijnë të kontrollojnë dot dietën e tyre dhe ata persona që kanë një vuajtje për një kohë shumë të gjatë dhe kur ka arritur të konsumohet totalisht pankreasi, nuk ka më kapacitet prodhuese të insulinës. Atëherë insulina është e domosdoshme.