Me anë të vendimit Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka akredituar maksimalisht me gjashtë vite programin e studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Shkenca Politike-Integrimi dhe Qeverisja” (POSIG).

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë vendosi me vendim nr. 54, datë 27.11.2020 akreditim maksimal për periudhën 6 vjeçare programin e studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Shkenca Politike-Integrimi dhe Qeverisja” (POSIG), të Universitetit Europian të Tiranës. Gjatë procesit të akreditimit Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë konstatoi se, procedura dhe procesi i vlerësimit janë kryer në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore dhe afatet e përcaktuara në këto akte. Vlerësimi në përmbajtje është i mbështetur në Dokumentacionin e Vetëvlerësimit, Vlerësimit të Jashtëm dhe gjetjet e verifikimet gjatë vizitës në institucion. Raporti është hartuar në përputhje me kërkesat dhe i mbështetur me fakte, të dhëna e dokumentacion plotësues. Rezultatet e vlerësimit janë nxjerrë në përputhje me gjetjet, pikat e forta e afirmimet dhe pikat e dobëta, të identifikuara e verifikuara përmes dokumentacionit dhe vizitës në institucion. Rezultati i vlerësimit në lidhje me shkallën e plotësimit të “Standardeve për Sigurimin e Cilësisë për programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” dhe “Master i Arteve” dhe cilësinë e ofertës akademike të programit të studimit i ka përpmbushur plotësisht standardet e kërkuara për akreditimin maksimal 6 vjeçar.

Cfarë është Masteri i përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (#PoSIG)

Masteri i përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (#PoSIG), është një program 2 vjeçar pasuniversitar sipas standardeve europiane. Nisur nga zhvillimet sociale, ekonomike, politike e kulturore në Ballkanin Perëndimor, qëllimi i PoSIG nuk është të ofrojë thjesht një tjetër diplomë master në shkenca politike, por të ofrojë për studentët dhe profesionistët e rinj një mundësi për tu arsimuar në dy nga prioritet e rajonit, pra në atë të integrimit dhe të mirëqeverisjes. PoSIG ofron 120 kredite dhe pesë fusha të ndryshme specializimi nga të cilat studentët mund të zgjedhin dy. Fushat e specializimit që mund të zgjedhin studentët janë:  Teori Politike, Politika të Krahasuara, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Integrimi Europian, Administrimi dhe Politikat Publike.

Si mund të përfitojnë studentët shqiptarë nga ky program?  Çfarë avantazhesh ka kjo diplomë?

PoSIG ofron mundësinë studentëve shqiptarë që t’i japin një vlerë të shtuar studimeve të tyre me një master të standardeve europiane, i cili i përgatit për sfidat e ardhshme të tregut të punës dhe të europianizimit të vendit. Të gjithë të interesuarit për të thelluar studimet e tyre me një master që fokusohet jo thjesht në shkenca politike, por edhe në proceset e integrimit dhe mirëqeverisjes që janë thelbësore për Shqipërinë, si edhe që dëshirojnë të kenë një diplomë europiane me vlerë të shtuar në tregun e punës, janë të ftuar të aplikojnë për PoSIG.

Së pari, studentët shqiptarë përfitojnë një diplomë europiane që ndërthur përvojat më të mira të universiteteve të Bashkimit Europian me ato të Ballkanit Perëndimor. Së dyti, diploma dhe i gjithë programi PoSIG është në anglisht dhe realizohet në vende të ndryshme të Europës, çka i krijon mundësi studentëve shqiptare për mobilitet, për zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të tyre, për njohjen e kulturave të reja, për të mësuar nga pedagogë ndërkombëtar e për të krijuar rrjet me student nga e gjithë bota. Së treti, PoSIG ndërthur më së miri kurrikulën akademike me prioritet zhvillimore të Shqipërisë dhe rajonit duke iu përgjigjur edhe kërkesave të tregut të punës për të diplomuarit në shkenca politike. Akoma më tej, PoSIG ofron mundësi praktike pune dhe është i përshtatshëm si për studentët që duan të ndjekin rrugën akademike edhe për ata që synojnë më tepër zbatimin praktik të shkencave politike. P.sh. studentët mund të zgjedhin kurse metodologjie të avancuara, ose kurse të aplikuara të politikës.

Cilët janë universitetet pjesëmarrëse në këtë master të përbashkët?

Masteri i përbashkët është ndërtuar nga një konsortium universitetesh të cilët janë lider në shkenca politike në rajon si Universiteti i Salzburgut, Universiteti i Ljubljanës dhe Universiteti i Pavias. Ndërkohë pjesëmarrëse janë edhe universitetet kryesore në rajonin tonë si: Universiteti i Shkupit, Universiteti i Sarajevës dhe Shkolla britanike e Sarajevës për Shkencë dhe Teknologji (SSST), Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë dhe Kolegji Fama në Kosovë. Në Shqipëri, projekti sjell së bashku për herë të parë dy departamentet kryesore të shkencave politike, atë të Universitetit Europian të Tiranës dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. PoSIG është result i projektit EuroPS të programit Erasmus+ të Komisionit Europian, projekt për të cilin universitetet e sipërpërmendura kanë punuar prej vitit 2013.