Mbyllet projekti COUTURE i Erasmus+/ Moda bashkohet me traditën për të rritur punësimin e studentëve

Ndërthurja e elementëve tradicionalë me ato modernë për të krijuar një stil të qëndrueshëm ishte në qendër të projektit COUTURE, i cili përmbylli zbatimin e tij dy-vjeçar përmes një konference finale në Universitetin Europian të Tiranës. Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësuesit e universiteteve partnere nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, pedagogë, studentë dhe profesionistë të modës të cilët dhanë kontributin e tyre për përmbushjen e objektivave afatgjata të projektit.
Ata festuan sëbashku dy vjet bashkëpunimi, inovacioni dhe kreativiteti kulturor, referuan për ecurinë e projektit me aktivitetet e zhvilluara në vende të ndryshme, ndanë eksperiencat e tyre në këtë rrugëtim, si dhe diskutuan për impaktin e arritur dhe produktet finale.
Disa prej veshjeve të krijuara nga studentët e UET, Universitetit të Polisit dhe dy universiteteve nga Kosova, në të cilat shpërfaqeshin dukshëm risitë e sjella, u ekspozuan në ambientet e universitetit duke ngjallur kërshërinë dhe interesin e shumë studentëve të tjerë.
Të përfshirë në projektin e Erasmus+, “COUTURE- Bashkimi i modës dhe traditës për stil të qëndrueshëm” ishin tetë partnerë nga bota akademike dhe industria e modës, të tillë si: Kolegji Universum, Kosovë; Universiteti i Prishtinës, Kosovë; Universiteti Europian i Tiranës, Shqipëri; Universiteti Polis, Shqipëri; Universiteti Harokopio i Athinës, Greqi; Universiteti Nënë Tereza, Maqedonia e Veriut; Qendra UET, Shqipëri dhe Shoqata e Marketingut të Veshmbathjeve të Kosovës (KAMA), Kosovë.
Qëllimi kryesor i projektit ka qenë nxitja e modës së qëndrueshme dhe krijimit të vendeve të punës përmes integrimit të arteve tradicionale si endja, qëndisja dhe thurja me shtiza në dizajnët e veshjeve moderne. Për këtë arsye, gjatë këtyre dy viteve janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, si trajnime, module akademike, hapje e ekspozitave, zhvillimi i workshopeve, hartimi i materialeve dhe broshurave ilustruese etj.
Janë trajnuar stafet akademike, kryesisht pedagogët e Departamenteve të Arteve për të hartuar dhe zbatuar module inovative arsimore që integrojnë aftësitë tradicionale në kurrikulat e universiteteve pjesëmarrëse. Këto module të reja rrisin mundësitë për punësimin e të diplomuarve, duke u ofruar atyre aftësi unike që gjejnë lehtësisht zbatim në tregun e punës.
Në këtë kontekst, janë prodhuar module të bazuara në literaturën përkatëse dhe burime digjitale, ku shpjegohet se si mund të ndërfuten në stilimet moderne elementë të tradicionales dhe motive të veshjeve kombëtare.
Gjithashtu, është zhvilluar një program trajnimi sa i përket zbatimit të teknikave tradicionale, prej të cilit kanë përfituar studentët e dizajnit të odës. Nga ky program gjithëpërfshirës trajnimi, tetë studentë kanë eksploruar themelet teorike dhe zbatimet praktike të arteve tradicionale në stilimet moderne, për t’i përkthyer njohuritë e marra në veshje unike të cilat ruajnë në detaje kujtimet historike të një populli.
Përtej qëllimeve akademike, të zhvillimit të aftësive të reja dhe krijimit të mundësive për punësim, ky projekt ka shërbyer edhe për të rritur ndërgjegjësimin në ruajtjen e trashëgimisë kulturore ballkanike, për të njohur vlerat e njëri-tjetrit dhe për të përfituar sa më shumë nga kjo trashëgimi që rrezikon të zhduket në një botë të orientuar drejt digjitalizimit të plotë.