Marketingu, një pasion i përhershëm
Marketingu, një pasion i përhershëm
E thjeshtë, por tepër domethënëse, shprehja “Gjithçka është marketing” shfaqet jo vetëm si një udhërrëfyes filozofik i marketingut dhe biznesit në këtë funddekadë të dytë të shekullit XXI, por prezanton edhe një realitet dinamik të mbarë shoqërisë botërore në Epokën e sotme Digjitale, e quajtur Epoka e Revolucionit të Katërt Industrial.
Dhe në fakt po të ndalesh e të meditosh për një çast, shpejt do të ndërgjegjësohesh që rrallë mund të gjendet ndonjë aktivitet social apo biznesi, dhe duke guxuar pak, edhe ndonjë fushë e jetës, ku marketingu të mos jetë pjesë e qenësishme e zhvillimit të vet. Për sa kohë marketingu vazhdon të ofrojë zgjidhjen e problemit, duke mos tentuar thjesht shitjen e produktit apo shërbimit, ai do të ruajë edhe pozicionimin e tij si një element i domosdoshëm për individin dhe shoqërinë.
Vendosja e konsumatorit në qendër, duke e shndërruar atë në heroin e historisë, natyrshëm është pjesa më e dëshiruar sot për individin qoftë ai i vetëm, pjesë e familjes apo e ndonjë grupi tjetër më të gjerë shoqëror. Këtu pikërisht qëndron edhe bukuria e marketingut si art dhe si shkencë, jo vetëm prej këndvështrimit të atyre që e krijojnë atë, por edhe atyre që i “konsumojnë” dhe i “shijojnë” “të mirat” që rrjedhin prej tij.
Në Epokën e sotme të Revolucionit të Katërt Industrial (përkufizuar si Epoka e Katërt Madhore Industriale që prej Revolucionit Industrial të shekullit XVIII, që karakterizohet prej mjedisit aktual dhe atij në zhvillim, në të cilin teknologjitë dhe trendet revolucionare të tilla si Interneti i Gjërave (Internet of Things (IoT)), Robotika, Realiteti Virtual (VR), dhe Inteligjenca Artificiale (AI), janë duke ndryshuar mënyrën se si ne jetojmë dhe punojmë), marketingu përsëri është një mjet i fuqishëm i marrëdhënies së individit me teknologjitë e reja, tregjet, produktet dhe shërbimet që ato krijojnë, e natyrshëm edhe vetë shoqërinë e jetën.
E ndoshta sot me shumë se kurrë materializohet thënia e famshme e njërit prej kolosëve të marketingut, Profesor Philip Kotler, “Marketingu kërkon vite për t’u mësuar, por fatkeqësisht merr një jetë të tërë për t’u zotëruar dhe perfeksionuar”. Kjo aspak për të treguar që marketingu është i vështirë, por për të shprehur fuqishëm që ai është përherë aktual, i bukur, dinamik dhe i përzier me teknologjinë moderne.
Ndërsa zhvillimi teknologjik vrullshëm po zhvendos kufijtë midis punëve dhe detyrave që kryhen nga njerëzit dhe atyre që kryhen nga makinat dhe algoritmet, tregjet globale të punës gjithashtu janë duke pësuar transformime të mëdha, të cilat nëse menaxhohen me zgjuarsi, mund të çojnë në një epokë të re të punës, vendeve të mira të punës, por edhe në një përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së jetës për të gjithë.
Sot kompanitë po përpiqen të shfrytëzojnë teknologjitë e reja për të arritur nivele më të larta të eficiencës së prodhimit dhe konsumit, për t’u zgjeruar në tregje të reja, dhe për të konkurruar me produkte të reja për një bazë konsumatorësh globalë me një qasje digjitale gjithnjë e më në rritje. Përsëri “Pasioni” mbetet thelbi, dhe ndarja e tij me të tjerët, patjetër që është marketing.
Nisur prej këtyre trendeve të kohës, Universiteti Europian i Tiranës, ofron Programin e Studimit Master Profesional në Marketing me të gjitha profilet e tij, të rindërtuar qartësisht si një program cilësor, si edhe Profilin Menaxhim Marketingu, si pjesë të Programit të Studimit Master Shkencor në Administrim Biznesi, që plotëson universin e profileve brenda këtij programi studimi. Të dyja këto, vendosen në shërbim të komunitetit studentor, për të përfituar arsimim dhe edukim bashkëkohor në këtë fushë.
Programi i Masterit Profesional ofron kryesisht formim praktik për arritjen e objektivave profesionalë sipas profilit të zgjedhur, me qëllim kualifikimin e mëtejshëm të studentëve. Ai, gjithashtu, ofron njohuri të specializuara në marketing nisur nga fakti që marketingu sot është një prej mjeteve më të fuqishme jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe në fusha të tjera të jetës dhe shkencës. Natyrshëm, studimi i tij merr një rëndësi te veçantë.
Ndërsa, Masteri Shkencor në Administrim Biznesi ofron formim të kompletuar teorik, duke lejuar specializim në profile të ndryshme. Këtu, Profili i Menaxhimit të Marketingut është plotësues dhe zë vendin e vet në tërësinë e formimit të ofruar, duke u dhënë mundësi studentëve që e zgjedhin, të vazhdojnë thellimin teorik por edhe atë kërkimor e shkencor brenda fushës, jo vetëm gjatë kohëzgjatjes së programit, por edhe më tej në nivelin e tretë të studimeve.
Programet janë ndërtuar duke marrë në konsideratë zhvillimet aktuale në fusha të ndryshme shoqërore në vendin tonë, si atë të Arsimit të Lartë apo ato Ekonomike e Teknologjike. Ofrimi i tyre plotëson atë gamë programesh që ekziston në tregun e Arsimit të Lartë në Shqipëri, por me dallimin që të ofruara prej Universitetit Europian të Tiranës, ato garantojnë formimin e profesionistëve dhe kërkuesve cilësorë, në shumë nënfusha dhe sektorë që formatojnë këtë hapësirë me emrin Marketing.
Gjithashtu, ato mundësojnë shanse për të krijuar lidhje me industrinë përkatëse, duke iu dhënë studentëve hapësirën e nevojshme për të aplikuar jo vetëm njohuritë dhe teknikat e fushës, por edhe gjithë aftësitë e tjera personale që ata zotërojnë, me qëllim zgjidhjen e problemeve të konsumatorëve, të mishëruara në produktet dhe shërbimet e ofruara.
Hapësira e mundësive të punësimit mbetet çdo fushë e jetës, që prej: ekspertë e drejtues të zyrave të marketingut, shitjeve dhe marrëdhënieve me klientët, në biznese të llojeve të ndryshme; ekspertë e drejtues të agjencive të marketingut, të reklamave, të shërbimeve të konsulencave marketing; ekspertë të media-marketingut dhe medias në përgjithësi; e deri tek: aktivitete dhe aplikime më moderne që mundësohen prej zhvillimeve më të fundit teknologjike, si: Interneti Mobile i Shpejtësisë së Lartë (High-Speed Mobile Internet); Inteligjenca Artificiale (Artificial Intelligence); Analizimi i Big Data (Big Data Analytics); Teknologjia Cloud (Cloud Technology) etj. Në mënyrë të veçantë Programi i Masterit Profesional e thekson këtë aspekt, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes së studentëve. Ndërsa për sa i përket Masterit Shkencor, përveç dimensionit të mësipërm, shtohet edhe ai i individit të pajisur me “mjete” bashkëkohore në fushën e kërkimit shkencor, duke iu hapur rrugën mundësive të punësimit edhe në institucione akademike dhe kërkimore shkencore.
Natyrshëm do të lindë pyetja, “Kush ka të drejtë për të aplikuar në këto programe”? Në lidhje me Masterin Profesional, këtu na vijnë në ndihmë disa objektiva të thjeshtë profesionalë, si: unë jam një marketer i cili dëshiron të ndjekë zhvillimet më të fundit të fushës; unë jam një studiues që vlerëson njohurinë e re të fushës; edhe pse unë nuk jam në marketing, dëshiroj të mësoj se si marketingu më ndikon atë çka unë bëj; unë po shikoj për një ndryshim total në karrierë; unë e di që marka është faktor kyç i suksesit dhe unë dua të përfitoj prej përdorimit të parimeve dhe strategjive marketing në punën që bëj. Për këdo që e gjen veten më sipër, por jo vetëm, Masteri Profesional në fushën e Marketingut do të shërbejë si orientues për të menduar me qasje inovative dhe strategjike në lidhje me shumë situata që dalin përpara gjatë ditës. Ndërsa për Masterin Shkencor, për Profilin Menaxhim Marketingu, më së pari, dallimi kryesor do të ishte orientimi kërkimor-shkencor që i shtohet larmisë së objektivave të mësipërm. Kushdo me këtë prirje do të ishte një kandidat potencial, i cili pasionin për marketingun do ta “ndizte” më shumë me avantazhin e fituar teorik dhe kërkimor.
E duke qenë se marketingu përveç dimensionit shkencor ka edhe atë artistik, thënia e të famshmit Pablo Picasso, “Një artist i keq kopjon, ndërsa një artist i madh vjedh”, do të vlente për të konkluduar. Të kesh këtë profesion në shekullin XXI, është si të zotërosh një çelës magjik, i cili të jep mundësinë të hapësh shumë dyer. UET e ofron këtë çelës, thjesht duhet ta “vidhni”.