Leksion i Hapur/ Roli i letërsisë shqipe në kombformim, studiuesi Vehbi Miftari hap dikutimin për identitetin shqiptar

Interpretimi i letërsisë vetëm si mjet artistik e bën atë të paplotë. Nëse ajo nuk shihet e ndërlidhur me pikëpamjet sociologjike, filozofike, kulturore, identitare, rrezikon të mbetet e pakuptuar në thelbin dhe mesazhin që përcjell. Në këtë kontekst, profesori dhe studiuesi Vehbi Miftari thotë se nuk mund ta shohim krijimtarinë artistike të shkëputur nga artikulimi i pikëpamjeve të shoqërisë mbi vetveten. Nuk mund të flasim mbi koncepte kulturologjike e kombformim pa pasur parasysh narrativën e rëndësishme që ofron letërsia.
Gjatë një leksioni të hapur në Universitetin Europian të Tiranës, profesori Vehbi Miftari, autor i 20 studimeve monografike, përkthyes i disa veprave të rëndësishme, aktualisht ambasador i misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, rrëfeu se ndikimi i letërsisë në ndërtimin e narrativës së një shoqërie ishte pikënisja për botimin e librit të fundit “Etnoletra shqipe”, sjellë nga Botimet Toena me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Libri trajton raportin e letërsisë me etnokulturën e kombformimit shqiptar, duke trajtuar dorëshkrimet, autorët dhe periudhat historike të elaborimit të idesë së kombit shqiptar.
“Synimi im ka qenë hapja e një shtegu të ri të interpretimit të letërsisë. Kam arritur në një premisë, e cila ka qenë thelbi për vetë librin, që shoqëritë, kombet, e krijojnë narrativën mbi veten duke e artikuluar, para së gjithash, në krijimtarinë gojore, pastaj më vonë edhe në krijimtarinë e shkruar”, u shpreh Miftari.
Studiuesi kthehet në gjenezën e shkrimit të shqipes, nisur fillimisht përmes teksteve liturgjike, për të vijuar me dëshmitë e humanistëve Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti, ku i pari është dëshmitar dhe dokumentues, ndërsa i dyti vjen si rrëfimtar, e për të vijuar me autorë të periudhës së romantizmit. Autori tha se tashmë ka ardhur koha që letërsia të interpretohet në raport me fusha të tjera ndërdisiplinore, sepse ajo nuk jeton e shkëputur nga dimensionet e tjera të shoqërisë. Janë pikërisht këto shtresa mbi të cilat merr jetë e shkruara dhe krijimtaria artistike.
Studiuesi i letërsisë, Dr. Ermir Nika, vlerësoi autorin për faktin që merr guximin për të shpjeguar dhe hedhur dritë mbi humanistët dhe autorët pararendës në letërsinë shqipe, duke sjellë kështu një arsenal dijesh, informacioni dhe një pasuri të madhe leksikore.
“Libri ka një stil tërheqës dhe, për këtë arsye, mendoj se nuk do të mbetet domen i studiuesve, historianëve dhe shkrimtarëve. Aty mund ta gjejë veten edhe një lexues më i gjerë, përfshirë studentët.”

Duke qëndruar në të njëjtën linjë mendimi, drejtoresha e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu, sugjeroi që libri të bëhet pjesë e leximeve në arsimin e lartë, e pse jo edhe në gjimnaze, duke e pranëvendosur këtë botim me librat e historisë.
“Përmes këtij libri ju kuptoni mjaft qartë jo vetëm historinë e letërsisë, por edhe si vjen kjo narrativë, si është shkruar nga Gjon Buzuku, nga Dhimitër Frangu, nga Marin Barleti apo Naim Frashëri. Do ta vendosja deri diku njësoj me historinë, sepse të ndihmon për të kuptuar më shumë historinë, antropologjinë, se si formohet një komb dhe se si formohet identiteti kombëtar.”
Përtej qëllimeve të një autori, subjekteve apo temave universale që trajton, Balliu theksoi se letërsia mbetet në thelb një mjet për të dekriptuar çështje si kombformimi, që për shqiptarët është ende një temë që ngjall interes dhe debat.
Një politikëbërës në fushën e kulturës dhe një njeri i diplomacisë kulturore dhe shtetërore, me kontribut në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në promovimin e vlerave kulturore shqiptare, e cilësoi studiuesin redaktorja shkencore e librit, Majlinda Toçi. Ajo theksoi se angazhimi i Vehbiut ka qenë themelor për forcimin e lidhjeve kulturore dhe shkencore me vende të ndryshme, si dhe në ngritjen e imazhit të trojeve shqiptare.
“Libri ndërthur në një mënyrë të mrekullueshme teorinë e kombeve me estetikën, me epikën, me historinë dhe filologjinë, duke na krijuar kështu një kornizë të re për të kuptuar letërsinë shqiptare si forcë identitare. Besoj këtu qëndron gjithë thelbi dhe gjithë e reja e këtij lloj studimi.”
Në një lexim të thelluar, parë në perspektivën e komunikimit dhe diplomacisë, pedagogu i UET-it, Dritan Idrizi, tha se libri dëshmon faktin që kombet nuk ndërtohen vetëm me institucione politike, por edhe me narrativa. Në këtë kontekst, letërsia luan një rol kyç nga pikëpamja historike. Duke i parë autorët e studiuar, Idrizi tha se ata nuk janë vetëm shkrimtarë, por komunikatorë të identitetit tonë kombëtar, që kodifikojnë mesazhe simbolike.
“Në këtë pikë, lidhja me diplomacinë bëhet e natyrshme. Para se Shqipëria të kishte diplomaci institucionale, ajo kishte një diplomaci kulturore, siç në këtë rast ne mund ta shohim nëpërmjet letërsisë, gjuhës, mitit dhe figurave historike, që kanë qenë mënyra përmes të cilave identiteti shqiptar është komunikuar jashtë kufijve politikë të këtij vendi.”
“Etnoletra shqipe” është i ndarë në tre pjesë, apo tre libra, siç i cilëson autori. Libri i parë, “Letërsi e përkatësi”, trajton teoritë e ndërlidhjes së letërsisë me kombformimin dhe rolin e saj në krijimin e përkatësive kombëtare. Libri i dytë, “Humanistët filobiblistë”, autori paravendos Marin Barletin me Dhimitër Frangun në trajtimin e tyre për Skënderbeun, si dhe ndalet te shkrimet e filobiblistëve Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani etj. Në librin e tretë, “Romantikët e pasromantikët”, Vehbiu ndalet te periudha e romantizmit në kontekstin evropian dhe ndikimin te autorët shqiptarë, për të vijuar me përkatësinë romantike në eposet, mitet dhe këngët shqiptare.

