[:en]Kreativiteti në zgjedhjen e Masterit, avantazh në tregun e punës[:]
[:en]
Kreativiteti në zgjedhjen e Masterit, avantazh në tregun e punës
Ndërkohë që shoqëria e sotme avancon me hapa të shpejtë në sfera të ndryshme të jetës e ku tregu i punës bëhet gjithnjë e më konkurrues, një diplomë Master mund të jetë “asi” nën mëngë dhe veçanërisht kur kombinohet në mënyrë kreative me diplomën Bachelor.
Në tregun shumë konkurrues të punës, sot kërkohen nga punëdhënësit njerëz, të cilët mund të kombinojnë mendimet, njohuritë, aftësitë dhe vlerat e tyre në mënyra kreative, për të siguruar të ardhura dhe prosperitet, për të trajtuar probleme të vështira sociale dhe mjedisore, për të pasuruar kulturat dhe për të rritur mirëqenien e tyre. Shoqëria bashkëkohore karakterizohet nga procese të shpejta dhe komplekse, që sjellin ndryshme në të gjitha sferat e jetës, ndaj edhe studentët janë në kërkim të vazhdueshëm të mënyrave se si ata mund të përplotësojnë edukimin e tyre.
Përgjithësisht, për të krijuar një avantazh në tregun e punës, sot preferohet avancimi i studimeve në nivel Master, ku veçanërisht nuk ka “barriera” të moshës, çka do të thotë se këto studime mund të ndiqen edhe në faza të ndryshme të karrierës dhe jo domosdoshmërisht menjëherë pas diplomimit. Koha e shpenzuar në studimet Master nuk është gjë tjetër veçse një investim më tepër, si në aspektin e thellimit të njohurive akademike ashtu edhe të zgjerimit të fushave të ekspertizës, pasi në master një profesionist mund të zgjedhë të studiojë edhe në një program të ndryshëm nga ai që ka ndjekur në ciklin Bachelor. Gama e zgjedhjeve është e gjerë, jo vetëm në programe, por edhe në llojet e masterave si Master Profesional, Master Shkencor, Master të Arteve, Master Ekzektiv etj.
Tri kategoritë e para ofrohen tashmë në UET, ndërkohë që me vitin e ri akademik pritet të licencohen edhe Masterat Ekzekutivë. Programet Master Profesional kanë natyrë aplikative dhe ofrojnë formim kryesisht praktik, për arritjen e objektivave profesionale sipas profilit të zgjedhur, me qëllim punësimin ose kualifikimin në një drejtim të ngushtë. Këto programe i përshtaten çdo moshe, çdo niveli, pas përfundimit të studimeve Bachelor. Një diplomë Master Profesional zhvillon tek studenti aftësi për mendim të thelluar analitik dhe të pavarur, vlerësim kritik dhe profesional, aftësi për të zgjidhur probleme komplekse dhe për t’u rritur në karrierën profesionale. Një tjetër avantazh i diplomës Master Profesional është mundësia për t’u formuar plotësisht në fushën e interesit, si një përvojë e çmuar dhe garanci për tregun e punës.
Ndërkohë, programet e studimit Master i Shkencave ofrojnë thellim, zgjerim dhe specializim të njohurive teorike dhe aftësi për kërkim të avancuar e të pavarur shkencor. Qëllimi është pajisja e studentit me mjetet, aftësitë dhe njohuritë e thelluara teorike për një karrierë të suksesshme profesionale dhe akademike. Masterat e Arteve që u dedikohen në përgjithësi humaniteteve, aktualisht në UET, ofrohen për programet Arte Pamore, Artet Skenike dhe ato Muzikore. Përfitimet që sjell ndjekja e studimeve Master shtrihen edhe përtej formimit akademik, pasi kjo kohë e shpenzuar në auditorët e universitetit është një mënyrë e mirë për të krijuar një rrjet të ri kontaktesh, i cili për shumë studentë përkthehet në përfitim të drejtpërdrejtë për karrierën e tyre si profesionistë, e jo pak herë edhe si sipërmarrës.
Sigurisht nuk duhet anashkaluar fakti që në botën ku ne jetojmë sot, e cila është çdo ditë në kërkim të inovacionit dhe zhvillimit, është një domosdoshmëri për të gjithë ata, të cilët kanë ambicie të qëndrojnë në krye të ndryshimeve që të plotësojnë dhe edukimin e tyre në mënyrë të vazhdueshme, dhe studimi në ciklin Master vijon të mbetet ndër alternativat më të mira për ta bërë këtë. Mbi të gjitha duke konsideruar se sot krijohen profesione të reja, që vijnë si kombinim i disiplinave të ndryshme e që përpara disa vitesh as që ishin menduar se mund të ekzistonin, është shumë e rëndësishme që gjithsekush falë studimeve të kryera t’i lejojë vetes fleksibilitetin e nevojshëm për t’u përshtatur me këto hapësira të reja.
Kreativiteti në përzgjedhje
Shumësia e programeve që përbëjnë këta masterët profesionalë, shkencorë apo ato të arteve në UET, shoqërohen nga profilet përkatëse, të cilat u lejojnë studentëve edhe më tepër fleksibilitet në përballjen me tregun e punës. Një student mund të zgjedhë një program studimi Master në një fushë krejtësisht të ndryshme nga ajo e diplomës Bachelor që ka përfituar më herët, kjo në varësi të rrethanave dhe objektivave personale. Mund të ketë interesa të shumta të ndryshme nga njërën-tjetra, të jetë në kërkim të një pune të re, të një profesioni që krijon më shumë të ardhura etj., cilado qoftë arsyeja, hapësirat për zgjedhje janë të shumta.
Shembujt vijnë nga fusha të ndryshme. Kur bëhet fjalë për industrinë kreative, ajo mund të kombinohet fare mirë me botën e sipërmarrjes. Një i diplomuar për arte pamore mund të zgjedhë të vijojë studimet master në fusha si marketingu apo administrimi i biznesit, kjo pasi këto specializime për këta profesionistë mund të jenë të dobishme jo vetëm në sipërmarrjet personale, por edhe në pozicione të ndryshme pune si drejtorë kreativë për një agjenci publicitare, menaxher marke etj. Nga ana tjetër, komunikimi me profilet përkatëse të tij është një tjetër mundësi e mirë për artet, pa harruar kombinimin me drejtësinë që në përgjithësi për këto profesione shërben si një përplotësim i njohurive dhe një “mjet” më tepër të avancuar në karrierë. Vetë arti i komunikimit mund të “shoqërohet” fare mire me programe të tilla si psikologjia, e cila i ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë këta profesionistë të kuptojnë më mirë natyrën njerëzore me të cilën kanë të bëjnë në përditshmërinë e tyre, por gjithashtu marketingu apo artet pamore janë një plus shpeshherë i “domosdoshëm”.
Nëse flasim për komunikimin si një program Master, atëherë mund të themi se profilet e tij, si për shembull marrëdhënie publike politike, janë një avantazh edhe për ata që kanë përfunduar studimet për marrëdhënie ndërkombëtare apo shkenca politike. Administrimi i Biznesit në vetvete, me profilet përkatëse, është si gjithnjë një opsion shumë i mirë jo vetëm për ata që kanë ambicie në sipërmarrje, por edhe për ata që kanë si objektiv drejtimin në korporatat ku janë të punësuar, kjo për fusha të ndryshme ekspertize. Sa i përket teknologjisë këtu kombinimet me Masterin janë gjithnjë e më të shumta, që nga marketingu, artet pamore, komunikimi, te menaxhimi apo financa.
Gjithnjë e më tepër teknologjia e informacionit, si në cikin Bachelor ashtu edhe Master, gjen hapësira në rritje për punësim, veçanërisht kur kemi kombinime që mundësojnë një përgatitje multi dhe interdisiplinare. Menaxhimi dhe financa kombinohen mjaft mirë mes tyre, ashtu si edhe me teknologjinë e informacionit apo komunikimin, por ndërkohë nëse i shtohen edukimit të dikujt si mastera profesionalë apo shkencorë krijojnë avantazhe në tregun e punës për një gamë të gjerë profesionesh, duke filluar nga artet, te degët e inxhinierisë, ato të teknologjisë, humanitetet, juridiku, programet e edukimit etj. Psikologjia, nga ana tjetër, mund të përplotësohet me një master në arte, pasi jo pak herë e kemi dëgjuar këtë të fundit si një formë terapie. Ndërkohë që sa i përket edukimit fizik edhe këtu mundësitë janë të shumta.
Cilido qoftë profili në të cilin është diplomuar një student, avancimi në nivelin master, qoftë në administrim biznesi, qoftë në marketing, përbën një avantazh veçanërisht nëse kemi të bëjmë me sipërmarrje private apo në rastet kur dikush do ta zhvillojë karrierën e tij më tej në pozicione drejtuese në institucione të ndryshme. Megjithatë të diplomuarit në programin e edukimit fizik dhe sporteve kanë edhe më tepër mundësi, duke përfshirë këtu master për psikologji, mësuesi, komunikim apo fizioterapi në varësi të objektivave profesionalë. Këto kombinime vijnë në përshtatje jo vetëm me interesat dhe aftësitë personale, por edhe me trendet që ndryshojnë vazhdimisht në tregun e punës. Sa u përket degëve të humaniteteve, ato mund të kombinohen fare mirë me programet e edukimit, si në master profesional ashtu edhe shkencor.
Një i diplomuar për Histori mund të ndjekë një program master për mësuesi ashtu sikurse mund të ndjekë një program për studime të sigurisë, ndërkohë që i diplomuari për Letërsi mund të vijojë për komunikim. Ndërkohë që edhe degët e shkencave mjekësore teknike, si Imazheria, Fizioterapia apo Infermieria, të cilat në vetvete duken si më tepër të përqendruara në një fushë, lejojnë fleksibilitet, pasi fare mirë një profesionist i këtyre fushave mund të zgjedhë të avancojë studimet në marketing, administrim biznesi, psikologji, ose edhe komunikim.
Në tërësi mundësitë janë të shumta, duke shtuar këtu edhe faktin që secili prej programeve të zgjedhura në master ofron profilet përkatëse. E rëndësishme është që në zgjedhjen që do të bëjë një student, të mbajë parasysh aftësitë e tij personale, prirjet dhe interesat, si dhe të mendojë në mënyrë kreative jo vetëm për t’iu përshtatur tendencave që shfaq momentalisht tregu i punës, por edhe për t’u paraprirë kërkesave gjithnjë e më në rritje të punëdhënësve për staf të mirëpërgatitur në disa disiplina dhe që është i aftë të realizojë dhe menaxhojë disa detyra njëkohësisht.
[:]