Klubi Letrar Kadare në UET/ Fevziu rijeton rrugëtimin e tij, zbulon dy librat që do të sjellë së shpejti për lexuesin

Në një bashkëbisedim me studentët e Klubit Letrar Kadare në UET, gazetari dhe autori Blendi Fevziu u rikthye pas në kohë duke rikujtuar fillimet e veta në gazetari, në nisje të viteve ’90-të. Nga student letërsie, në intervistues shkrimtarësh, e më tej kryeredaktor gazete dhe drejtues emisioni, për t’iu kthyer sërish letërsisë, tashmë si shkrimtar. Një ngjitje e shpejtë, por aq edhe e sigurtë!

Pavarëssht se studimet ishin diktuar nga sistemi i atëhershëm, pasioni dhe instikti ishin ata që e drejtuan gjatë gjithë rrugëtimit në profesion dhe që ende e mbajnë të angazhuar në televizion, me një nga emisionet që i ka rezistuar me sukses kohës, për më shumë se 20 vjet. Si një student letërsie, fillimet e veta i pati në Gazetën Studenti, ku bashkë me Ben Blushin, realizonin intervista me shkrimtarë të asaj kohe. Suksesi që pati rubrika e tyre, i bëri të njohur në rrethin letrar dhe gazetaresk, favorizuar kjo nga kërkesat që kishte tregu, i çoi në një tjetër nivel. Fevziu e quan fat mundësinë për të qenë kryeredaktor gazete në moshën 23-vjeçare dhe drejtues emisioni në moshën 27-vjeçare.

Në kushte normale këto nuk ndodhin. Sot nuk mund të drejtosh një emision në atë moshë. Këto vinin nga boshllëku i krijuar, pasi ishte një treg i zbarazur. Kush vraponte shkonte aq sa kishte mundësi për të shkuar”, theksoi Fevziu.

Përtej kësaj, ai u tregua i kujdesshëm të këshillonte studentët apo të rinjtë që duan t’i hyjnë një profesioni, se fati ndihmon në fillesa, për të hedhur hapin e parë, pasi e vetmja gjë që të çon përpara dhe të zgjat rrugën është puna, madje sipas tij talenti qëndron pas vullnetit dhe aq më mirë kur ato shkojnë bashkë.

Duke folur për evoluimin e emisionit ndër vite dhe faktin që vijon të mbetet më i njekuri, Fevziu ia dha meritën instiktit për të kuptuar dhe përshtatur nevojave të shoqërisë shqiptare, e cila ndryshon, por vijon të mbajë edhe nje defekt të madh historik.

“Problemi më i madh që kemi ne sot dhe që e nxjerrin më në pah rrjetet sociale, është paaftësia e njerëzve për të marrë vendime me qetësi dhe për të dëgjuar mendimin kundër. Ky është fenomeni që shkatërroi shoqërinë shqiptare në ’97-ën, është fenomeni që i bën njerëzit të manipulohen dhe i çoi drejt litarit”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk synon të inflencojë, po t’iu japë dy njerëzve dy anë të ngjarjes për të menduar më qartë.

Fevziu nuk pranoi të ndalej te politika, pavarësisht se në dy dekada emision ka realizuar shumë intervista me drejtues e politikanë. Madje edhe për ngjarjet më të fundit brenda kampit opzitar, Fevziu pranoi vetëm të konfirmonte se përplasja Basha- Berisha është një konflikt real, që askush nuk e di se si do të përfundojë. Ai pranoi se është shumë i informuar për situatën dhe në brendësi të saj, pasi ka zhvilluar takime me palët, por preferoi t’i mbante studentët te pjesa e gazetarisë, librit dhe publistikës.

Pavarësisht se ka shkruar libra për udhëheqës, si Ahmet Zogu, Enver Hoxha apo Hashim Thaçi, Fevziu tha se është e pamundur që të bëjë një libër për drejtuesit aktualë që ka Shqipëria.

“Sot nuk ka burime arkivore. Qoftë për Zogun, qoftë Hoxhën, ka pasur burime. Tek Thaçi ishte një fat i madh, pasi ishin arkivat amerikane dhe britanike. Nëse do të shkruash sot për Ramën ose Berishën, nuk gjen asnjë letër të shkruar prej tyre. Gjen vetëm kujtime, të cilat nuk janë asnjëherë të besueshme”, u shpreh Fevziu, duke shtuar që mund të bëhen vetëm libra me intervista.

Më tej, ai zbuloi se është duke punuar me dy libra paralelisht, që shumë shpejt do të sillen për lexuesin shqiptar.

“Njëri është me protagonistë të historisë së Shqipërisë, me personazhe të njohur dhe më pak të njohur. Libri i dytë është për udhëtimet. Kam shkuar në 123 vende të ndryshme, pavarësisht se kam lindur në vendin më të izoluar të botës“, tha Fevziu. Ai i quajti librat trashëgiminë e tij, ndër të cilët veçoi “Tirana e Nonës”, duke e cilësuar një lloj borxhi ndaj familjes, pa e ditur se ishte i tillë.

“Thonë se për një njeri, duhet të mbjellë një pemë, të shkruajë një libër dhe të lërë një fëmijë. Unë i kam plotësuar këto, se çfarë do të mbetet, nuk e di”.