Historia e UET-it 15-vjeçar

Sadiola Xhelili

(Studente UET Alumni në Kominikim)

Rrahjet e zemrës nuk përtojnë të shtohen dalëngadalë kur vijnë ndërmend çastet studentore të kaluara pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Atë, me përkëdheli e thërrasin njëzëri, UET. Është pjesë e pashmangshme e fjalorit të kujtdo që rritet aty.

Edhe vet UET-i është rritur. U bë 15 vjeç. Dhe ka shumë për të treguar.

Asokohe, në fillesat e tij, ishte Henri Çili, Adri Nurellari, Blendi Kajsiu, Ermal Hasimja, Laert Duraj dhe Robert Rakipllari, të cilët pasuruan arsimin e lartë në vend me krijimin e këtij institucioni të ideve, prurjeve dhe mundësive.

Sot, 15 vite më vonë, të gjashtë themeluesit u takuan sërish, jo me ankthin e nisjes, por me gëzimin e arritjes.

Sepse ata ja dolën.

Rrugëtimi deri këtu mbase nuk ka qenë i lehtë. Nganjehërë edhe mbushur me sfida që të gënjejnë ngjashëm sikur janë të pazgjidhshme. Por, UET-i ja doli. Solli inovacion, botime shkencore, dabate dhe më së shumti, ndikim.

E largëta që afrohet

Për shumëkënd, studimet jashtë vendit janë thuajse të pa prekshme. E në mos të tilla, janë të mjegullta.

Ngjashëm si në mungesë të një harte ku të vendosësh gishtin te destinacioni që do të arrish, por ku s’ke nisjen.

Po UET-i? Ai është bërë nisja për këta studentë. E ka kthyer hartën në rrugë që shkelen, në kultura që njihen, në auditore që shijohen.

Ka qenë i pari që nuk ngurroi të afronte studentët me shkëmbimet Erasmus+. Shkëmbime, të cilat nuk u ndalën veç te pasurimi i jetës së tyre akademike, por edhe te ofrimi i perspektivave të reja.

Student, i punësuar

Ka paragjykime për institucionet private të arsimit të lartë, por në rastin e UET-it, ka edhe mirënjohje.

Është mirënjohja e studentit që falë programeve dhe kombinimit të tyre, nuk tutet nga tregu i punës.

Është mirënjohja e studentit që UET-in e ka mbiemrin e vet të dytë, pjesë të identitetit.

Nuk mund të anashkalohet as një moment kyç. Sjellja në jetë e programit të Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit, ndryshe PR-it.

Thuajse e karakterizon UET-in. Kjo sepse vendi do të mirëpriste specialistët e parë të PR-it. Jo pa zhurmë.

Nisën të vlojnë debatet mbi rëndësimë e këtij profesioni. Si përherë, UET-i jo vetëm e ndez shkëndijën, por e mban atë në jetë sepse janë po këta profesionistë të dalë nga auditoret e këtij universiteti, që nuk e lënë opinionin publik ‘të qetë’.

Pedagogu i jetës

Mund të harrohen leksionet, mund të harrohen diskutimet plot gjallëri të auditorit të UET-it, por nuk mund të harrohen mesazhet e përcjella nga pedagogët.

Ato mbeten në brendësi të studentit. Janë pjesë të identitetit të tij. Ato janë mesazhet ndërtuese.

Dhe diçka e ndërtojnë më mirë se shumëçka tjetër: Besimin në vete.

UET-i ja ka dalë potencialisht të rrisë njerëz me besim. Njerëz që ja dalin.

Kjo sepse arrijnë të ndikojnë, ashtu si vetë UET-i.

Irena Myzeqari, pedagoge e PR-it në UET dhe një mentore e paharrueshme për studentët e vet, thotë për Albanian Post se pikërisht ndikimi është ai që ky universitet ka bërë më së miri.

“Të jesh një profesionist i mirë nuk do të thotë të bësh vetëm detyrat e tua siç duhet, por të kuptosh që ajo që ti bën impakton, ndikon jetët e atyre që punojnë dhe jetojnë me ty, por edhe të atyre që mësojnë prej teje”, është shprehur Myzeqari.

Për të, ky qëllim i vënë, tanimë është përmbushur.