Forumi Gjimnaz-Universitet, UET ofron bursa të plota për programet e studimit me profil mësuesi
Forumi Gjimnaz-Universitet, UET ofron bursa të plota për programet e studimit me profil mësuesi
“Teknologji – Emigracion – Reformim / Gjimnazi 2020” ishte tema që mblodhi në një diskutim të gjerë mbi 100 drejtues të gjimnazeve shtetërore dhe private si dhe ekspertë të arsimit, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës në kuadër të Forumit Gjimnaz-Universitet.
Ky forum i 10-të shtroi problematika aktuale që lidhen me tre elementë të rëndësishëm, teknologjia, emigracioni dhe reformimi, në kontekstin e sistemit arsimor. Një nga çështjet më të diskutuara të momentit është urdhëri që Ministria e Arsimit ka nxjerrë kohët e fundit për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë procesit mësimor, si nga ana e nxënësve ashtu edhe nga ana e mesuesve. Mënyra e zbatimit, ndikimi dhe eficenca e këtij urdhri ishin subjekt për diskutim, nga pjesmarrësit në këtë forum.
Forumi Gjimnaz-Universitet është një organizim i përhershëm që UET e ka kthyer në traditë tashmë, duke trajtuar çdo vit tematika të ndryshme që i përgjigjen aktualitetit.
“Preokupacioni ynë ka qenë gjithmonë që sëbashku me ju të ndajmë çështje të interesit publik. Çështje që lidhen me organizimin e sistemit arsimor, me administrimin e tij dhe çështje që lidhen me cilësinë mbi të gjitha, sepse kjo është e rëndësishme”, është shprehur rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Tonin Gjuraj në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve.
Përgjatë forumit u diskutuan disa nga statistikat për secilin element kryesor të temës dhe u sugjeruan disa nga zgjidhjet e mundshme dhe mënyrat e zbatimit të tyre.
Universiteti Europian I Tiranës, ka ristrukturuar fakultetet e tij si dhe ka shtuar një tërësi degësh. Risi këtë vit akademik janë edhe programet e studimit me profil mësuesi si në ciklin Bachelor, ashtu edhe në Master.
Prof. Asoc. Dr. Edi Puka përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në UET u shpreh se: “Universiteti Europian i Tiranës këtë vit bëri një reformë të thelluar përsa i përket riorganizimit të departamenteve, degëve dhe fakulteteve. Në këtë aspekt duke filluar nga ky vit ne ofrojmë programe Bachelor për Arsimin Parashkollor, programet Master Profesional për mësues të Arsimit Fillor dhe programet Master Shkencor për mësues të Arsimit të Mesëm të Ulët dhe atij të Lartë. Praktikisht Departamenti ka arritur që me anë të programeve të reja që ofron këtë vit të formojë në tërësinë e tij figurën e mësuesit.”
Administratori I UET, Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu u shpreh se një kontigjent i caktuar bursash të plota ofrohet për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre programeve dhe plotësojnë kriteret përkatëse.
“Fatkeqsisht në gjithë këto vite pjesa e mësimdhënësit, mësuesit, është lënë pas dore, nga pagesat, nga kushtet e punës, në të gjitha drejtimet… Kjo besoj që duhet të marrë fund dhe në këtë kontekst Universiteti Europian i Tiranës, duke e ndjerë si përgjegjësi sociale, ka vendosur që këtë vit të gjithë ata kandidatë apo maturantë të cilët plotësojnë kriteret ligjore për mësuesi, të financohen me bursë të plotë studimi”, është shprehur Agalliu.