Fitues i Festivalit të Shkencës dhe i 3 bursave, Sokol Baxhia vijon studimet në UET: Dua të zhvilloj projektet e mia

I pasionuar pas kreativitetit dhe teknologjisë, aktivist, pjesëmarrës dhe fitues konkursesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Sokol Baxhia nuk është një student i zakonshëm i Arkitekturës. Është një i ri që i nis studimet me një portofol të pasur dhe me ide vizionare për të ardhmen.
Dëshira për të krijuar ka qenë “mentori” i tij. Që në vegjëli dëshironte të ndërtonte apo t’i jepte jetë diçkaje të re, një hapësire apo vendi që të mbante identitetin e tij. Me vitet e kuptoi se ishte një fushë ku mund ta kanalizonte pasionin dhe ta bënte siç ai e quan “shtëpinë e tij”. Ajo ishte Arkitektura. Kur erdhi koha për të zgjedhur studimet universitare, nuk kishte asnjë dyshim që programi i Arkitekturës ishte i duhuri.
Për Sokol Baxhian, studentin më të ri të Universitetit Europian të Tiranës, Arkitektura nuk është thjesht një profesion, ashtu siç ndoshta mund ta shohin shumë të rinj apo maturantë që zgjedhin universitetin. Ai e sheh si mundësi për t’i kthyer idetë në projekte konkrete dhe për të krijuar hapësira që përmirësojnë jetën e njerëzve.
“Gjithmonë më ka tërhequr kombinimi i kreativitetit, teknologjisë dhe zgjidhjes së problemeve, ndaj Arkitektura më duket fusha ku këto pasione takohen më së miri”, thotë ai.
Po me të njëjtën lehtësi që zgjodhi programin, përzgjodhi edhe universitetin. Mundësitë ishin të shumta. Për shkak të aktivizimit dhe pjesëmarrjes së tij në kompeticione të ndryshme, ai fitoi bursa nga tre universitete: UET, Tirana College of Technology dhe University of New York Tirana. Megjithatë, ia besoi formimin dhe karrierën Universitetit Europian të Tiranës.
“Më tërhoqi UET pasi ofron arsim cilësor, mundësi të shumta për studentët dhe një mjedis ku mund të zhvilloj jo vetëm anën akademike, por edhe idetë dhe projektet e mia”, thotë më tej.
Me UET u njoh më mirë në fund të muajit mars gjatë Shkollës së Inovacionit, një aktivitet i përvitshëm që zhvillohet nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Gjatë 3 ditëve, maturantët e shkollave të ndryshme nga e gjithë Shqipëria marrin informacione, trajnohen, bëjnë bashkëbisedime dhe mësojnë nga personalitete të fushës dhe, në fund, përmes një vlerësimi, më të mirët marrin bursë ose gjysmë burse. Një prej atyre që u vlerësuan ishte edhe Sokoli.
Aktivitete të tilla janë të zakonshme për maturantin e gjimnazit “Zhani Ciko” në Patos. Ai ka spikatur ndër vite me aktivizimin e tij në institucionet lokale, duke përfaqësuar zërin e bashkëmoshatarëve, si panelist në forume rinore, aktivist mjedisor i angazhuar në iniciativa të ndryshme në komunitetin e tij. Por suksesin më të dukshëm e ka pasur përmes angazhimit në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare në shkencë, teknologji dhe inovacion.

Ai ishte një nga finalistët e edicionit të parë të konkursit “Energy Challenge 2026” të zhvilluar nga Tirana College of Technology, ku me projektin “Future Fuel” ai fitoi një bursë të plotë studimi për të vijuar studimet në një nga programet e inxhinierisë.
Eksperiencën më të veçantë cilëson pjesëmarrjen në Festivalin Kombëtar të Shkencës, ku projekti “Bee Park” i gjimnazit “Zhani Ciko” u vlerësua me çmimin e parë. Sokoli, lideri i skuadrës, tregon se ky projekt u frymëzua nga shprehja e Albert Ajnshtajnit: “Nëse bletët do të zhduken, do të zhduket edhe njerëzimi bashkë me to.”
Ky projekt, që bashkon shkencën, teknologjinë, Inteligjencën Artificiale dhe mbrojtjen e biodiversitetit, duke përdorur bletët si sensorë biologjikë për monitorimin e mjedisit, u vlerësua si më i miri nga të gjitha shkollat e mesme në Shqipëri.

Pavarësisht se vlerësimin dhe emocionin e ka marrë në këtë konkurs, Sokoli thotë se në çdo aktivitet ka fituar diçka të vyer. “Secili prej tyre më kanë ndihmuar të zhvilloj aftësitë e mia, të punoj në ekip, të besoj më shumë te idetë e mia dhe, mbi të gjitha, të njoh njerëz të rinj dhe të krijoj mundësi e kontakte të reja. Çdo eksperiencë ka qenë një hap i vogël drejt asaj që dua të bëj në të ardhmen.”
Drejtimin e ka qartësuar përgjatë viteve. E po kështu edhe vizionin për ta vendosur emrin e tij në vepra konkrete, dobiprurëse që impaktojnë shoqërinë. Beson fort se me studimet e tij në programin e Arkitekturës është në rrugën për ta kthyer atë ëndërr në realitet. Jo thjesht një ndërtesë, një objekt funksional, por një hapësirë që frymëzon, që bashkon njerëzit dhe ofron mundësi të reja jetese për ta.
Tag:Arkitekturë, Sokol Baxhia, studime, uet

