Department’s Book Review UET/ Merlika: Shqipëria, peng i së shkuarës, debati historik mund ta nxjerrë nga tranzicioni

UET Press e çel sezonin e ri me “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare”, një endje e përfytyruar mes fakteve, personazheve dhe konteksteve historike, nga një i mbijetuar si Eugjen Merlika

Frymëzuar nga historia e jetës së tij, intelektuali i shquar nga shtresa e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, shkrimtari, eseisti, publicisti e përkthyesi Eugjen Merlika sjell për lexuesin shqiptar “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare”, pjesë e kolanës “Scripta Manent” të botimeve UET Press.

Me një kulturë gjuhe ku shpërfaqet i spikatur formimi i tij intelektual dhe e gjithë përvoja e jetës në mjediset elitare të mendimit shqiptar, Eugjen Merlika sjell një tekst-traktat që sfidon historiografinë shqiptare.

Autori i librit, nipi i Mustafa Merlikë Krujës, protagonist i historisë sonë deri mes shekullit të njëzetë, nëpërmjet hulumtimeve dhe përsiatjeve është përpjekur të hedhë dritë mbi çastet më të errëta të asaj pjese të historisë që, sipas tij, prej 80 vitesh u shërbehet shqiptarëve jo nëpërmjet të vërtetës, por klisheve të historiografisë së diktaturës.

Në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit në UET, Merlika tregoi se e ndjente si një detyrë morale dhe kulturore të shprehte mendime e fakte historike, që synojnë të shpluhurosin të vërtetën historike të varrosur prej gati një shekulli.

Ndërsa nuk harroi të theksojë se në libër është treguar kritik edhe për periudhën 1990-2021, siç i pëlqen ta quajë, “periudha e demokraturës”. Sipas tij, është bërë i domosdoshëm një debat i gjerë dhe i thellë historik, pasi politika shqiptare ende nuk është shkëputur nga e kaluara.

“Kjo është e keqja e madhe, sepse në këto 30 vjet provuam se për arsye të ndryshme nuk ishim në gjendje që të krijonim atë Shqipëri që duhej të ishte. Fakti që prej 30 vitesh janë të njëjtët njerëz që vazhdojnë ta drejtojnë Shqipërinë, me të njëjtën mendësi e të njëjtat metoda, provon që ne kemi vështirësi në ripërtëritjen e vetvetes dhe në këtë drejtim duhet të punojë brezi i ri”, tha Merlika në Department’s Book Review.

Drejtoresha e UET Press, Suela Mino u shpreh besimplotë se edhe ky libër i ri i Eugjen Merlikës do të përvijojë suksesin e botimeve të tij të mëparshme.

“Libri sjell një kontribut të rëndësishëm në mjedisin jo vetëm intelektual, teksa rindërton historinë tonë shekullore duke qëmtuar me shumë kujdes referenca historike, personazhe me peshë, të njohur apo të pa ndriçuar sa duhet, kontekste të kohës, arsyeton dhe interpreton me shumë përgjegjësi kronikat e secilës kohë historike; E kemi që në titull – flasim për një rrugëtim të përfytyruar, ndërkohë jemi në kolanën e Kujtesës – “Scripta Manent”. Prej këtu ndizet kureshtja për të parë se si ndërthuret ajo çka vjen si dëshmi historike dhe cili është leximi autorial i këtyre dëshmive e fakteve, disa të panjohura deri më tani. Besoj që libri do të ketë fatin e mirë të botimeve të mëparshme të autorit Merlika dhe do të pritet me kureshtje, jo vetëm nga lexuesi-profesionist apo i interesuar në lëminë e historisë; ky botim është një sfidë publike për t’u ndalur me përgjegjësi në një debat gjithpërfshirës mbi historinë”, u shpreh Mino.

Në mbyllje të promovimit të librit, shkrimtari zbuloi se është duke punuar dhe së shpejti do të sjellë edhe një botim të ri – kalvarin e disa prej familjeve më të shquara të Tiranës.

Eugjen Merlika: “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare” është një endje e përfytyruar në periudha të ndryshme të së shkuarës. Një orvajtje modeste për t’u përnjësuar me shpirtin e atyre kohëve, të para nga një banor i botës së viteve ‘20 të shekullit 21. Është një përpjekje për t’u kthyer mbrapa me mendime, përsiatje e me përfytyrime, në shtigje të dallgëzuara të historisë sonë. Pa marrë rolin e historianit, që nuk është profesoni im – megjithëse shumë kohë të zotimit tim ia kam kushtuar pikërisht asaj për të cilën bashkohem me Cicëronin kur e quan “mësuese jete” – autori i këtij libri e ka pësuar në vetë të parë historinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe këto mbi 20 vite të shekullit të ri. E ka filluar ecjen e tij si një foshnjë binjake në një datë të shënuar më shumë për keq sesa për mirë në historinë e gjatë të kombit të tij, atë të vitit 1944. Ishte vetëm tre vjeç, kur i vulosur me nofkën e armikut të klasës e filloi rrugëtimin së bashku me familjen në një det të trazuar e të përshkuar nga stuhitë e Zeusit, siç ishte Shqipëria e re e dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Në atë rrugëtim i takoi të provojë mes së tjerave vonimin e ligjës për dhunën, e krenaritë dhe shkelmat që çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlefshmit merr, nëse do t’i lejohej të merrte pak fjalë nga princi i Danimarkës. Në atë shtegëtim të vazhdueshëm, të karakterizuar nga një prani e përhershme e “syrit vigjilent” të Sigurimit të Shtetit shqiptar në dhjetëvjeçarë internimi e pak vite burgimi, të cilëve fatmirësisht u mbijetoi me varret e Gjergj Elez Alisë në shpirt. Libri që del sot edhe përurohet këtu është prodhim i një të mbijetuari, që me gjithë dëshirën e mbrapshtë të sunduesve të regjimit komunist, u gjend një ditë të bekuar jashtë hullisë ogurzezë të ecjes së tij në një vend të huaj, por që ishte vendi në të cilin kishte lindur dhe ishte rritur nëna e tij. Vazhdoi rrugëtimin e tij në Italinë fqinje me vullnetin për të çuar përpara një familje, ku fëmijët nuk duhet të përsërisnin përvojën e tij, por në lirinë që i jepte vendi mikëpritës, të mund të studionin e të jetonin jetën e tyre sipas aftësive, vullnetit e zotimit madhor të tyre. Ata e kryen detyrën e tyre karshi vetes së pari, karshi prindërve që vazhdonin të vetflijoheshin në punët e tyre të rëndomta për të plotësuar nevojat e tyre më imediate. Ata ecën drejt në jetën e tyre dhe ecja e tyre qe kënaqësia më e madhe që koha i dha mbas gati një gjysmë shekulli privimesh të thella njerëzore të pësuara nga një sistem mizor që mbështetej vetëm në dhunën, mashtrimin dhe shtypjen e çdo lloj mohimi të të drejtave njerëzore. Kjo me pak fjalë është jeta e autorit të këtij libri. Libri është munduar të paraqesë pjesë të njohura dhe të panjohura të realitetit shekullor të të parëve tanë. Ka trajtuar persona të njohur e më pak të njohur të hisotrisë sonë, me një vëmendje të veçantë kundrejt personaliteteve të dy perandorive më të mëdha të kohës së Romës dhe Bizantit. Kishin një veçanti personazhet që shënuan historinë e dy perandorive. Ishin me prejardhje ilire. E megjithëse punuan për ta, në shumë dhjetvjeçarë treguan gjallërinë  e forcën e popullit të tyre. Në këtë drejtim ata pasqyrojnë edhe historinë dhe bëmat e tij. Autori ndalet në figurën e Skënderbeut në epokën e tij të shekullit të madh. Në kahun e flijimit të domosdoshëm që koha detyroi mbi gjindjen shqiptare, për lavdinë e saj e mbrojtjen e vlerave të krishtërimit në Evropën mosmirënjohëse, për shumë shekuj mbi fatet e Shqipërisë. Por mbi të gjitha, autori ndalet në trashëgiminë e vlerave që Skënderbeu dhe epoka e tij i lanë kombit shqiptar në tërësinë e tij. Lidhja e Prizërenit është një tjetër kapitull i këtij libri në të cilin autori është munduar të nxjerrë në pah orvajtjen e parë të madhe të shqiptarëve për të krijuar kombin, që shumë faktorë johenikë e penguan në përvojën e  shekujve. Në këtë kapitull trajtohet edhe një material shumë interesant: Një letër e popullit të Shkodrës drejtuar kryeministrit të Britanisë së Madhe. Një material i patrajtuar nga historiografia zyrtare.

Një vëmendje të veçantë zenë “Rravgimet e lira” në shtigjet e historisë shqiptare të shekullit 20 – shekulli më i ndërlikuar i gjithë historisë së tij. Është shekulli i krijimit të shtetit të pavarur dhe i fillimit të peripecive të pafund të politikës shqiptare, që pati si karakteristikë dalluese ndasitë e mungesën e vullnetit për një dialektikë polemike në shërbim të interesave të vërteta të Shqipërisë. Është shekulli i copëtimit të trojeve të Shqipërisë së rrudhur në maksimum në kufijtë e vet, i Luftës së Parë Botërore me pushtime tërësore të tokave të saj. Është shekulli i qeverisë së parë të shtetit të tradhëtuar nga ministrat e saj, që shkonin në shërbim të Esat Pashë Toptanit. Është shekulli i ndeshjes midis dy prirjeve kryesore të mendimit politik dhe institucional; midis kërkesave për perandorizimin e jetës politike dhe frenimit të tyre nga mjedise turkofile. Shekulli i përvojës së dështuar të të vetmit princ nga Evropa në krye të shtetit shqiptar. Është shekulli i luftërave botërore, i Evropës mes luftrave dhe përpjekes së Ahmet Zogut për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm; është shekulli i pushtimit fashist, i ribashkimit të trojeve shqiptare, i të vetmit parlament mbarëshqiptar në histori; i daljes në skenë të Lëvizjes Komuniste, të drejtuarit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, i luftës civile, i përpjekjeve të pafrutshme të kombëtarizmit shqiptar për të mbrojtur Shqipërinë etnike; i fitores së Frontit Nacionalçlirimtar, i mbarimit të luftës me kalimin e Shqipërisë në gjirin e komunizmit lindor; me tradhëtinë e ëndrrës kombëtare të shqiptarëve e, së bashku me të, të lirisë së tyreAutori, nëpërmjet hulumtimeve dhe shkrimeve të ndryshme, është përpjekur të hedhë dritë mbi çastet më të errëta të asaj pjese të historisë që fatkeqësisht prej 80 vitesh i shërbehet shqiptarëve jo nëpërmjet të vërtetës, por klisheve të historiografisë së diktaturës. Për këtë ndjen si detyrë morale dhe kulturore të shprehë në veprën e tij mendime e fakte historike që nuk përputhen me të, që synojnë të rivendosin të vërtetën historike të varrosur prej gati një shekulli. Është kritik edhe për periudhën 1990-2021, “periudhën e demokraturës” siç i pëlqen ta quajë duke huazuar një term të një publicisti të njohur ballkanas. Sot ky libër i kalon lexuesve me shpresë se do të gjejnë mirëkuptim, sidomos tek të rinjtë, që krahas interesave për realizimet e shumta të teknikës bashkëkohore e shfaqjeve të saj të papërfytyrueshme, është mirë të kthejnë vështrimin edhe nga e shkuara e prindërve të tyre, që janë përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet sot Shqipëria, e që nuk është më shumë mikëpritëse se ajo e vitit 1990 e eksodit biblik të shqiptarëve të atyre viteve. Ndoshta secili prej nesh do të ndiejë nevojën për të bërë një Mea Culpa në thellësi të ndërgjegjes për atë gjendje.

Ju thoni se, që nxënës keni besuar se ripërtëritja e ndryshimeve nuk ka ardhur prej masave, por prej individit. Kapitulli i parë na jep një pasqyë të emrave më të rëndësishëm të perandorëve romakë me origjinë ilire. Nga gjithë rrugëtimet dhe dokumentet që keni parë, karakteristikat, virtytet apo të metat e cilit prej liderve të kanë bërë më shumë përshtypje? Pse e keni nisur me këtë qasje? Pse besoni se ndryshimet vijnë nga individi?

Historia e botës në të gjitha fazat e saj të zhvillimit ka vulën e njerëzve që kanë përcaktuar epokat, që kanë përcaktuar zhvillimet. Kjo bie në kundërshtim me atë që ne kemi mësuar në shkollat tona, se janë masat që bëjnë historinë. Ilustroj edhe atë se masat janë gjithmonë të drejtuara nga dikush. Edhe në Rusi, Revolucioni i Tetorit nuk është se u bë nga masat, por nga udhëheqja komunsite e Stalinit etj. Edhe te ne, n.q.s. në krye të Partisë Komunsite nuk do kishte qenë Enver Hoxha dhe kolegët e tij, historia do të kishte pasur një tjetër zhvillim. Po të kishin qenë njerëz si Sejfulla Malëshova e Kostandin Boshnjaku etj. Ky është mendimi im, mund të jetë i gabuar, por unë këtë mendim mbaj akoma. Dhe me këtë këndvështrim është shkruar dhe ky libër.

Si një intelektual i së tashmes që keni parë të vërteta të së shkuarës, a mund të na jepni një udhëzim apo orientim se çfarë duhet të bëjmë ne për të ardhmen? A duhet të vazhdojmë ne ta kemi historinë vetëm produkt të rishikimeve që vijnë nga intelektualë si ju, apo ka ardhur koha të kemi një debat të qenësishëm i cili shkul themelet dhe nxjerr disa të vërteta që janë mbërthyer keq dhe që po i bëjnë akoma më keq brezit tonë dhe atij që do të vijë më pas? A kemi nevojë për një debat të thellë historik mbi atë çfarë është shkruar dhe që na kanë mësuar?

Besoj se kjo është kërkesa më e domosdoshme. Nevoja e një debati të thellë. Është i vlefshëm shumë për historinë e vetë shkencës historike dhe është i domosdoshëm për zhvillimin e shoqërisë. Ne i kemi pasur mundësitë, siç kanë pasur edhe vendet e tjera e kanë bërë përparimin e tyre, por përparimi ka qenë shumë i pakët sepse formimi i klasës politike shqiptare ka trashëguar shumë nga e kaluara. Nuk ka bërë një shkëputje totale me të dhe ka mbetur po në ato mendësi. Prandaj është i dobishëm një diskutim i gjatë dhe i thellë, por këtë nuk mund ta bëjmë ne që shkruajmë libra, por duhet ta bëni ju në shkolla në edukimin e brezit të ri edhe me njëri-tjetrin. Rinia duhet ta bëjë; brezi im nuk arriti ta plotësojë detyrën e vet në këto 30 vjet. Kjo është e keqja e madhe, sepse në këto 30 vjet provuam që nuk ishim në gjendje të krijonim atë Shqipëri që duhet të ishte, për arsye të ndryshme. Fakti që prej 30 vitesh janë të njëjtët njerëz që vazhdojnë ta drejtojnë Shqipërinë, me të njëjtën mendësi e të njëjtat metoda, provon se ne kemi vështirësi në ripërtëritjen e vetvetes dhe në këtë drejtim duhet të punojë brezi i ri.