Studentët e Shkencave Mjeksore Teknike në UET, praktikë në Austri
Fakulteti Shkencave Mjeksore Teknike në UET lidhi një marrëveshje bashkëpunimi midis FHG – Qëndrës për Profesione të Kujdesit Shëndetësor në Tirol, Austri nëpërmjet së cilës do të mund të realizohen praktikat e studentëve të infermierisë të ciklit Bachelor në vitin e tretë të studimeve si edhe të studentëve të Masterit Profesional dhe Masterit Shkencor.
Në një takim online ku ishin të pranishëm Rektori i Universitetit Austriak Z. Ëalter Draxl, Rektori i UET Prof. Dr. Tonin Gjuraj, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike Prof. Dr. Pirro Prifti, Drejtuesja e Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama, Drejtuesi i Departamentit të Imazherisë Dr. Admir Jançe dhe përfaqësuesja e zyrës së projekteve në UET u diskutuan dhe u dakordësuan pikat e marrëveshjes dhe finalizimi i saj. Marrëveshja vlen për një periudhë 5 vjeçare, me zgjatje automatike për dy vite te tjera. Zbatimi i kësaj marrëveshje fillon këtë vit akademik 2020-2021, ku studentët e UET në programin Bachelor Infermieri dhe Master do të kryejnë 6 deri 9 javë praktikë profesionale në Institucionet e Shëndetit në Tirol, Austri.
Drejtuesja e Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama gjatë intervistës, na tregon se kjo mundësi që u jepet studentëve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET është një mundësi shumë e rrallë dhe mjaft frytdhënëse dhe funskionale.
Pyetja: Si e vlerësoni ju marrëveshjen e arritur me Qëndrën për Profesione të Kujdesit Shëndetësor në Austri?
Si Drejtuese e Departamentit të Infermierisë dhe Fizoterapisë e vlerësoj shumë pozitive për studentët tanë dhe Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike nënshkrimin e kësaj marrëveshje. UET është institucioni i vetëm privat i përzgjedhur nga Qendra për Profesione të Kujdesit Shëndetësor në Tirol për këtë bashkëpunim. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në UET është Fakultet i ri i hapur në vitin 2018 dhe ne synojme edhe bashkëpunime të tjera me Institucione ndërkombëtare në vazhdim. Si qëllim i parë i këtij bashkëpunimi është promovimi i shkëmbimit të eksperiencës dhe njohja me sistemin shëndetësor austriak. Studentët e UET do të kenë mundësi të kryejnë praktikën infermierore që ne e kemi në programin mësimor në Tirol, Austri me kohëzgjatje nga të paktën 6 javë deri në maksimumi 9 javë. Kjo praktikë do të zhvillohet kryesisht në institucionet e kujdesit afatgjatë, por edhe në spitalet dhe qendrat e kujdesit shëndetësor. Besoj se do të jetë avantazh për studentët e UET që në Ciklin Bachelor të njihen me detyrat infermierore, protokollet mjekësorë, pajisjet mjekësore që përdoren në Austri. Studentët që do të mund të përfundojnë praktikën në Austri kthehen në UET me më tepër dije dhe përvojë praktike si edhe do të jenë më tepër kërkues ndaj vetes dhe Institucionit në vijim për të rritur njohuritë dhe aftësitë teknike të infermierit. Është edhe hapje mundësish për studentët. Nëse në një fazë të mëtejshme disa prej tyre do të duan ta përdorin praktikën e zhvilluar për njohje të diplomës së tyre në Austri duhet të avancojnë më tej me njohuritë e gjuhës gjermane për të dhënë provime dhe dëshmuar komunikimin e mirë në gjermanisht në fushën e infermierisë.
Kjo mundësi do të ofrohet për studentët e përzgjedhur. Kërkohet që studentët të kenë njohuri bazë të gjuhës gjermane dhe selektimi i studentëve bëhet në bazë të arritjeve akademike. Në këtë këndvështrim mund të shërbejë si stimul pozitiv, si nxitje për studentët për të arritur rezultate të larta.
Pyetja: A ofron marrëveshja avantazhe dhe kushte lehtësuese për studentët?
Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë në UET do të njohë lëndën dhe kreditet përkatëse si ekuivalente me praktikën që do të kryhej në Spitalet dhe Qendrat Shëndetësore në Tiranë. Nota e praktikës do të vendoset sipas vlerësimit të dërguar nga Qendra Austriake – FHG, ashtu siç veprojmë me studentët e UET që ndjekin programin Ersamus. Studentët nuk do të humbasin asnjë semestër, ata do të vazhdojnë ndjekjen e leksioneve pas kthimit të tyre për pjesën e mbetur të semestrit si edhe do të zhvillojnë provimet sipas sezoneve.
Avantazh është që shpenzimet janë të mbuluara nga pala Austriake. Studentëve që do të kryejnë praktikat klinike në Institucionet e shëndetit në Tirol do tu sigurohet akomodim dhe ushqim falas, siguracionet shëndetësore si edhe një shumë për tarifën e udhëtimit.
Pyetje: A e keni shqetësim ikjen e infermierëve në Gjermani? E favorizon kryerja e praktikës në Austri rrjedhjen e infermierëve?
UET është një institucion me mendësi të hapur. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike arsimon dhe diplomon infermierë, fizioterapistë dhe teknikë imazherie. Natyrisht ne dëshirojmë që këta profesionistë mjekësorë për të cilët ka shumë nevoja të kontribuojnë në vendin tonë, por nuk mund ta realizojmë këtë përmes mbylljes. Përkundrazi ndërkombëtarizimi është synimi kryesor i UET. Qëllimi ynë primar është rritja e studentëve Erasmus (studentët e UET që kryejnë një semestër në Universitete të Huaja dhe studentët e huaj që ndjekin një semestër në UET). Nëpërmjet bashkëpunimeve me Institucionet partnere jashtë vendit ne mund të përmirësojmë cilësinë e programeve, praktikave, trajnimin e pedagogëve, pra të rrisim kërkesat institucionale për të arritur në standartet Europiane. Nëse studentët do të ndihen në këto standarte me arsimin e ofruar në vendin e tyre, kërkohet më tej edhe përmirësimi i kushteve të punës. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike bashkëpunon me Urdhrin e Infermierit dhe përpiqemi brenda mundësive Institucionale, socioekonomike dhe kohore për të ndikuar në politikat publike në favor të punonjësve të shëndetësisë, të cilët janë një kategori shumë e vlefshme për vendin. Nga ana tjetër ne i gëzohemi arritjes profesionale të çdo studenti të UET edhe kur ai ka zgjedhur të punojë jashtë vendit. Universiteti Europian i Tiranës ka krijuar rrjetin alumni, nëpërmjet të cilit studentet e UET që diplomohen gjurmohen dhe ruajnë kontaktet me Institucionin dhe Fakultetin ku ata janë diplomuar duke sjellë kontributin e tyre (i cili duket modest në plan individual, por i konsiderueshëm duke e parë si netëork më të zgjeruar profesionistësh) për studentët e rinj të UET nëpërmjet Aktiviteteve ku ndahen pervoja, Forumeve, Konferencës Shkencore vjetore “Ditët e Studimeve shqiptare”.