[:en]Stafi i UET fillon përgatitjet për vitin akademik 2019-2020[:]
[:en]
Stafi i UET fillon përgatitjet për vitin akademik 2019-2020
Universiteti Europian i Tiranës ka përmbyllur ristrukturimin e ekipeve drejtuese në pesë fakultetet e tij, në kuadër të reformës gjithëpërfshirëse që e ka shndërruar në universitet “polivalent”.
Që nga themelimi në vitin 2006, Universiteti Europian i Tiranës ka kaluar nëpër një sërë procesesh, të cilat kanë pasur për qëllim ta çojnë përpara zhvillimin e tij. Që në gjenezë lindi me synimin për të dalluar nga pjesa tjetër e universiteteve, si në standardin akademik ashtu edhe në ndikimin e tij në shoqëri. Për thuajse 13 vite UET ia ka dalë mbanë të krijojë një emër dhe të njihet për cilësinë e programeve të ofruara, stafit akademik dhe mundësive që krijon për studentët e tij, si në aspektin e formimit të mëtejshëm akademik ashtu edhe për përshtatjen me sukses në tregun e punës pas diplomimit.
Ristrukturimi
Gjatë gjithë këtyre viteve shumë kanë kontribuuar për të krijuar këtë universitet që është sot. Ruajtja e vlerave dhe përvojave akademike dhe administrative që e kanë formësuar këtë institucion dhe që në të vërtetë janë shumë të vështira për t’u krijuar, është mision i UET edhe në këtë dekadë të dytë të tij. Zhvillimet e fundit, si në kontekstin kombëtar ashtu edhe në atë global, kanë bërë që UET të jetë gjithnjë në përpjekje për të rritur standardet e tij dhe për të përmirësuar në çdo aspekt ofertën akademike. Kjo vjen si një përgjigje e domosdoshme ndaj kohës, ndaj momentit të ri dhe mbi të gjitha ndaj kërkesave të një brezi studentësh, i cili kërkon një të ardhme tjetër, për një botë tjetër, për një Shqipëri tjetër. Krahas universalizimit në degët që ofron, të cilat tashmë përfshijnë edhe fusha të tilla si: inxhinieritë, artet, shkencat humane dhe mjekësia krahas shkencave sociale, juridike dhe ekonomike që kanë ekzistuar që nga fillimi në UET, ky institucion ka kaluar edhe në një reformë ristrukturuese të administratës së tij. Arsyeja e këtyre ndryshimeve është pikërisht dëshira për të qenë gjithnjë në rrokje të zhvillimit dhe cilësisë.
Ky riformatim vjen në përshtatje me projektin e madh të UET për shndërrimin në një universitet polivalent dhe gjithëpërfshirës. Në këtë kontekst e gjitha kjo reformë, e cila është finalizuar me sukses, vjen në përputhje me cilësinë e një standardi perëndimor që synohet.
Në krye të universitetit, i cili vjen në këtë dhjetëvjeçar të dytë me të njëjtën filozofi ekselence, por me një frymë të re në administrim, vjen një ekip që ka për qëllim të çojë përpara misionin për të qenë një universitet lider në vend dhe më tej, në Rajon.
Në këtë UET të ri universal, pesë janë fakultetet: Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, si dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Rikonceptimi i programeve të studimit, si dhe shtimi i dy fakulteteve të reja, është hapi i radhës që UET ka ndërmarrë për të sjellë pranë studentit të tij më tepër mundësi zgjedhjeje. Pesë fakultetet kanë në total 15 departamente dhe qendra kërkimi, si dhe 75 programe studimi me 125 profile. Kjo gamë e gjerë zgjedhjesh mundëson që studenti të gjejë gjithçka që do në një universitet të vetëm.
Drejtuesit e UET
Presidenti i ri i Universitetit Europian të Tiranës do të jetë Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, i cili ka një eksperiencë të gjatë në botën akademike.
Në krye të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale vjen Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, ndërkohë që Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit bëhet Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka. Në Fakultetin e Shkencave Politike, Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në vijimësi Dekane do të jetë Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati, Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës do të vijojë të ketë Dekan Prof. Asoc. Dr. Ing. Arben Dushin, ndërkohë që Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike do të ketë Dekan të tij, Prof. Dr. Pirro Priftin.
Rektore e Universitetit Europian të Tiranës vijon të jetë Prof. Dr. Nevila Nika, ndërkohë që këtë vit institucioni do të ketë dy zv.rektore të reja, Prof. Dr. Ermira Qosja, e cila është emëruar zv.rektore për Zhvillimin Institucional dhe Studentët si dhe Prof. Dr. Drita Kruja, zv.rektore për Çështjet Akademike.
[:]