Forumi Gjimnaz-Universitet: UET ofron bursa të plota për programet e studimit me profil mësuesi
Forumi Gjimnaz-Universitet: UET ofron bursa të plota për programet e studimit me profil mësuesi
Tashmë e kthyer në traditë, Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi forumin gjimnaz-universitet, ku këtë vit tema ishte me fokus teknologjinë, emigracionin dhe reformimin në tërësi të arsimit parauniversitar dhe universitar. Si duhet konceptuar Gjimnazi i vitit 2020 në raport me përdorimin e teknologjisë? Cili është trendi i përdorimit të teknologjisë në procesin mësimor, kërkon reformim të metodologjive të mësimdhënies? A duhet përdorur telefoni celular në procesin mësimor? A ndikon heqja e celularit në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe klimës në klasë? Ku duhet të peshojë balanca e përgjegjësisë për zbatimin e Urdhrit të Ministres së Arsimit në lidhje me mospërdorimin e celularit në procesin mësimor? Këto ishin vetëm disa nga pyetjet e shtruara për diskutim në forumin me temë “Teknologji – Emigracion – Reformim / Gjimnazi 2020”, që mblodhi në një diskutim të gjerë mbi 100 drejtues të gjimnazeve shtetërore dhe private si dhe ekspertë të arsimit, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës në kuadër të Forumit Gjimnaz-Universitet.
Ky forum i 10-të shtroi problematika aktuale që lidhen me tri elemente të rëndësishme, teknologjia, emigracioni dhe reformimi, në kontekstin e sistemit arsimor. Një nga çështjet më të diskutuara të momentit është urdhri që Ministria e Arsimit ka nxjerrë kohët e fundit për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë procesit mësimor, si nga ana e nxënësve ashtu edhe nga ana e mësuesve. Mënyra e zbatimit, ndikimi dhe eficienca e këtij urdhri ishin subjekt për diskutim, nga pjesëmarrësit në këtë forum.
Forumi Gjimnaz-Universitet është një organizim i përhershëm që UET e ka kthyer në traditë tashmë, duke trajtuar çdo vit tematika të ndryshme që i përgjigjen aktualitetit.
“Preokupacioni ynë ka qenë gjithmonë që së bashku me ju të ndajmë çështje të interesit publik. Çështje që lidhen me organizimin e sistemit arsimor, me administrimin e tij dhe çështje që lidhen me cilësinë mbi të gjitha, sepse kjo është e rëndësishme”, është shprehur rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Tonin Gjuraj në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve.
Përgjatë forumit u diskutuan disa nga statistikat për secilin element kryesor të temës dhe u sugjeruan disa nga zgjidhjet e mundshme dhe mënyrat e zbatimit të tyre. “Teknologji – Emigracion – Reformim / Gjimnazi 2020”.
Universiteti Europian i Tiranës, ka ristrukturuar fakultetet e tij si dhe ka shtuar një tërësi degësh. Risi këtë vit akademik janë edhe programet e studimit me profil mësuesi si në ciklin Bachelor, ashtu edhe në Master.
Prof. asoc. dr. Edi Puka, përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në UET u shpreh se: “Universiteti Europian i Tiranës këtë vit bëri një reformë të thelluar për sa i përket riorganizimit të departamenteve, degëve dhe fakulteteve. Në këtë aspekt duke filluar nga ky vit ne ofrojmë programe Bachelor për Arsimin Parashkollor, programet Master Profesional për mësues të Arsimit Fillor dhe programet Master Shkencor për mësues të Arsimit të Mesëm të Ulët dhe atij të Lartë. Praktikisht Departamenti ka arritur që me anë të programeve të reja që ofron këtë vit të formojë në tërësinë e tij figurën e mësuesit”.
Administratori i UET, prof. asoc. dr. Arbi Agalliu u shpreh se një kontingjent i caktuar bursash të plota ofrohet për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre programeve dhe plotësojnë kriteret përkatëse.
“Fatkeqësisht në gjithë këto vite pjesa e mësimdhënësit, mësuesit, është lënë pas dore, nga pagesat, nga kushtet e punës, në të gjitha drejtimet… Kjo besoj që duhet të marrë fund dhe në këtë kontekst Universiteti Europian i Tiranës, duke e ndjerë si përgjegjësi sociale, ka vendosur që këtë vit të gjithë ata kandidatë apo maturantë të cilët plotësojnë kriteret ligjore për mësuesi, të financohen me bursë të plotë studimi”, është shprehur Agalliu.
E ftuar nga UET për të qenë e pranishme në këtë forum ishte edhe zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila duke vlerësuar shqetësimet e ngritura është bërë pjesë e diskutimit për teknologjinë dhe ndikimin e saj në procesion mësimor.
“Jemi të vetëdijshëm që ka anë pozitive të përdorimit të celularëve nëpër shkolla, si për shembull incizimi i një ligjërate të mirë që mund të dëgjohet sërish në një moment të dytë, hulumtimi i shpejtë në lidhje me një temë apo edhe përdorimi i makinës llogaritëse… Por në shkollat tona nuk kemi arritur të ‘vjelim’ në masë të madhe benefitet e përdorimit të celularëve. Në fakt në shkollat tona kemi parë anët negative më tepër, si për shembull mungesa e përqendrimit, kështu që në këtë fazë të parë do të mundohemi t’i ndalojmë celularët në përgjithësi dhe ndoshta në një fazë të mëtejshme në të ardhmen, kur të krijojmë një kulturë tjetër të përdorimit të celularit, mund të mendojmë për një moment të dytë ku mund të përfshijmë dhe këto anë pozitive të celularit në procesin mësimor”, është shprehur ajo.
Sipas saj katër janë problematikat kryesore nga të cilat merr shkas ky vendim dhe të cilat mundohet sadopak t’i eliminojë; mungesa e përqendrimit që telefoni shkakton, varësia e të rinjve nga telefonat, “pabarazia” që krijohet në lidhje me statusin ekonomik të nxënësve nisur nga fakti se sot shpesh telefonat konsiderohen si tregues të mirëqenies ekonomike, si dhe cyberbulling si fenomen shqetësues i ditëve të sotme.
“Ndalesa, është vetëm një aspekt. Aspekti tjetër është edhe edukimi i nxënësve për përdorimin e sigurt të internetit”, ka shtuar zëvendësministrja duke marrë shkas nga të dhënat e studimeve më të fundit që tregojnë se mosha mesatare e përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale në Shqipëri është 8 vjeç.
Emigracioni dhe tendenca e të rinjve për të menduar të ardhmen e tyre në një vend të huaj, është kthyer në një shqetësim.
“Fakti që të rinjtë e kanë patur largimin nga Shqipëria në mendjen e tyre, e kanë diskutuar edhe me prindërit apo të afërmit që do të shkojnë jashtë është një shqetësim. Problemi është që ne duhet që t’i mbajmë këtu dhe ne këtu mund t’i mbajmë vetëm me shkolla cilësore. Ata duhet të kenë një larmi zgjedhjesh dhe kjo është arsyeja që ne në nivel universitar jemi zgjeruar në 125 profile, që kur studentët të vijnë këtu të gjejnë gjithçka që ata dëshirojnë. Natyrisht shpresojmë që dhe të tjerë kanë bërë dhe do të bëjnë të njëjtën gjë”, është shprehur rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj.
Për të zgjeruar më tej diskutimin, të pranishëm në forum ishin edhe ekspertë të fushës të cilët ndanë me auditorin në një sërë informacionesh, statistikash dhe sugjerimesh për çështjet e ngritura. Prof. dr. Ylljet Aliçka trajtoi rastin e modelit francez, për mospërdorimin e celularit në procesin mësimor. Prof. asoc. dr. Tomi Treska trajtoi tematikën e Qeverisjes Demokratike të Shkollave ndërkohë që Rovela Kushta foli për ndikimet psikosociale që teknologjia ka te nxënësit. Drejtuesit e gjimnazeve u bënë pjesë e diskutimit me eksperiencat e tyre në lidhje me problematikat e ngritura, si dhe me sugjerime për zgjidhjen e tyre.
Në fund të këtij forumi, UET do të hartojë një Policy Paper që adreson problematikat, njëjtë siç ka bërë në forumet paraardhëse.