Profesionet po ndryshojnë, po universiteti? Projektet që sjellin tregun e punës në auditor

“Ku ke punuar” nuk është më pyetja thelbësore që bëhet nga departamentet e burimeve njerëzore gjatë intervistave të punës. Pyetja thelbësore është: “Çfarë di të bësh?” Ajo nënkupton jo thjesht përfundimin e një programi studimi dhe marrjen e një diplome. Kërkon formim dhe zotërim të disa aftësive që janë të domosdoshme për të realizuar procese të caktuara pune, që më parë nuk ishin të nevojshme, e aq më pak të cilësoheshin si aset.
E ndërsa ky fakt mbetet një realitet dominues në të gjithë sektorët e tregut të punës, bëhet edhe më i domosdoshëm për sektorë të caktuar, siç janë komunikimi dhe industria kreative. Përtej përditësimit të vazhdueshëm, përdorimit të teknologjive të fundit dhe zhvillimit të aftësive të reja, këta sektorë duhet herë pas here të “rishpikin” veten për të qenë konkurrues në treg.
Sfidat e reja të sektorit, në kuadër edhe të zhvillimeve të reja teknologjike, ishin në qendër të takimit HR Club 2026, të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, një aktivitet i përvitshëm që zhvillohet nga secili fakultet në Universitetin Europian të Tiranës. Ky takim solli një diskutim produktiv për thellimin e bashkëpunimit mes universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private, për të parë dhe kuptuar se si ndryshojnë nevojat e tyre dhe çfarë mund të bëhet për të zhvilluar programe apo module të caktuara studimi, që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të fitojnë aftësi digjitale dhe kreative.

Në fjalën hapëse, dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, së bashku me drejtueset e departamenteve, Prof. Dr. Erika Melonashi dhe Prof. As. Dr. Tidita Abdurrahmani, nënvizuan nevojën e ndërveprimit të universitetit me tregun e punës.
“Duam të ruajmë komunikimin e vazhdueshëm me partnerët tanë të tregut në mënyrë që, së pari, të dimë se çfarë aftësish duhet t’u japim studentëve në vazhdim. Qëllimi është të bëjmë këtë lidhjen e domosdoshme me tregun e punës nga pikëpamja e përgatitjes së studentëve, jo thjesht dhënien e një diplome apo një profesioni, por edhe të aftësive konkrete që tregu kërkon”, theksoi profesore Budini.
Dekania Budini sqaroi se kjo është një iniciativë qendrore e Universitetit Europian të Tiranës dhe se aktualisht, drejtuesit e tij janë duke hartuar planin strategjik për ta orientuar institucionin drejt hapjes së programeve të reja dhe përditësimit të kurrikulave në sinergji me dinamikat që po pëson tregu i punës.
Takimi u organizua në partneritet me READ-AADF, AMA, Start Up Albania, DITURIUM Media Lab, ISA dhe Metropol Post, duke tejkaluar nivelin e një diskutimi në auditor e duke sjellë ekspertizë të mirëfilltë nga profesionistë të ndryshëm, të cilët vijnë si nga universitetet ndërkombëtare, ashtu edhe nga tregu vendas i punës.
Takimi u nda në tre sesione, ku secili prej tyre iu dedikua njërit prej departamenteve dhe sfidave që paraqet fusha specifike e studimit. Sesioni i Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit solli në diskutim dhe në disa panele ekspertë të edukimit dhe fushës së medias dhe komunikimit, të cilët sollën këndvështrime mbi gazetarinë, marketingun, komunikimin profesional, edukimin mediatik, përdorimin e teknologjisë, ndërsa dominoi diskutimi se si krijohet një produkt mediatik, qoftë ai podcast, newsletter, përmbajtje editoriale apo produkt për platformat sociale.
Paneli i parë, me fokus projektin “READ – Media Literacy Incubator: Applied Research and Practice for Digital Media”, përbëhej nga Elira Çanga, Arizona State University (READ Resident Scholar); Albana Shehaj, Harvard University (READ Diaspora Fellow); Tidita Abdurrahmani, Artur Jaupaj, Anjeza Xhaferaj nga UET, të cilët diskutuan mbi atë se cili është qëllimi i medias sot, si ajo po riformësohet nën presionin e mjeteve të reja digjitale dhe se si këta faktorë ndikues kanalizojnë praktikën e punës së studentëve të komunikimit apo të vetë gazetarëve me përvojë. Pedagoget dhe kërkueset nga universitetet amerikane ndanë eksperiencën e këtyre institucioneve sa i përket përshtatjes me teknologjitë dhe futjes së moduleve të reja për të përgatitur studentët me aftësi të reja komunikimi që përshtaten me produktet e reja digjitale.
Paneli i dytë, i konceptuar në kuadër të projektit “AMA – DITURIUM MediaLab: Gazetari Etike, Edukim Mediatik dhe Kompetenca”, përbëhej nga Alida Cenaj, drejtore Kabineti, AMA; Renato Civili, ekspert dhe trajner i marketingut digjital, drejtor i Komunikimit & PR, Gener 2; Indrit Ymeri, copywriter, Le Spot Group, njëkohësisht Alumni UET; si dhe Dritan Idrizi, Erisela Marko, Albion Lushi dhe Sonila Gjypi nga UET. Diskutimi në këtë panel ishte edhe më dinamik, pasi u sollën eksperienca të ndryshme nga profile të ndryshme, në të cilët përdoren strategji të ndryshme komunikimi. Një marketer nuk mund të komunikojë njëlloj si një gazetar, sepse qëllimi dhe audienca i diferencojnë këta dy profesionistë. Vëmendje mori veçanërisht etika e komunikimit, duke sjellë shembuj nga praktika dhe realiteti i mediave shqiptare, të cilat “abuzojnë” me formën dhe mesazhin, për të arritur viralitetin.

Paneli i tretë dhe i fundit për këtë sesion, me fokus “Start Up Albania – Framewatch Albania: Platformë për Monitorimin dhe Analizën e Framing-ut dhe Narrativave Mediatike”, u drejtua nga dekania Belina Budini. Në një diskutim me Albana Nexhipin, editore dhe botuese e Metropol Post; Rrezart Bozo, programues, BalkanWeb; Anxhela Ferhataj, Albion Lushi dhe Sonila Gjypi, pjesë e UET.
Departamenti i Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve mblodhi në sesionin e dytë disa nga përfaqësuesit e institucioneve dhe kompanive me të cilat bashkëpunon ky fakultet, të cilët sollën këndvështrimet se çfarë po ndodh në sektorët e tyre dhe çfarë kërkojnë ata nga një profesionist i ri apo i sapodiplomuar. Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin Rovena Caush, nëndrejtoreshë, Gjimnazi “Qemal Stafa”; Alteo Kasaj, Institute of Cognitive Behavioral Therapy; Bruno Ferra, Social Advisor, GIZ Albania; Migen Sulaj, Qendra KODDI; Olsjana Luzi, Your Gym.
Arti është një tjetër sektor që po e ndjen së shumti përdorimin e teknologjive të reja, specifikisht të Inteligjencës Artificiale. Robotët sot kanë hyrë në skenë, muzika dhe piktura po prodhohen me IA, duke marrë një pjesë të tregut që mbushej nga puna dhe kreativiteti njerëzor. Pavarësisht se duket konkurruese, ende nuk di ta thotë kush se kush do ta fitojë apo dominojë këtë sektor. Olta Ahmetaj, drejtorja Artistike e Cirkut të Tiranës, Armela Demaj, drejtorja e Teatrit Metropoli dhe skulptori Emanuel Sali Koko sollën secili panoramën e asaj se çfarë po ndodh me artet skenike dhe artet pamore, sa po investohet në to dhe sa po vlerësohet puna njerëzore.
Në fund të këtij takimi, dekania Budini ftoi gjithë të pranishmit që ta vijojnë këtë diskutim edhe përmes partneriteteve dhe takimeve të vazhdueshme, edhe pas kthimit të studentëve në auditor, me fillimin e vitit të ri akademik, si një nevojë e të gjitha palëve për të qenë mjaftueshëm të përgatitur ndaj çdo sfide të krijuar nga dinamikat e shpeshta që pëson tregu i punës. Mbi të gjitha, Budini theksoi se këto takime u vlejnë studentëve, që të konceptojnë të ardhmen e profesionit të tyre, i cili ka tejkaluar tashmë zbatimin tradicional.

Tag:Belina Budini, projekte, uet, universiteti

