20 vite UET/ Nga një ide, në një histori që vazhdon

Nisi në shtator të 2006-ës nga ëndrra e gjashtë të rinjve për të kontribuar në edukimin e brezave të rinj. Shumë shpejt, dominoi arsimin e lartë shqiptar përmes efektit të tij pionier. U mbrujt dhe u ushqye ndër vite me filozofinë dhe vizionin për ta kthyer auditorin në një arenë ku bashkohen brezat, ofrohet edukim cilësor, shkëmbehen ide dhe vijnë eksperiencat më të mira nga bota akademike shqiptare dhe e huaj.
Kanë kaluar 20 vjet që kur hapi dyert Universiteti Europian i Tiranës, një nga universitetet e para jopublike në Shqipëri, i cili arriti të ndryshonte panoramën e arsimit të lartë shqiptar. Pas akreditimit nga Agjencia Britanike e Akreditimit (QAA), UET u bë në vitin 2022 universiteti i parë shqiptar që ofron një diplomë të njohur ndërkombëtarisht.
Për të festuar arritjet e 20 viteve, universiteti organizoi një mbrëmje festive në Pallatin e Brigadave, me të ftuar ministra dhe ish-ministra, drejtues institucionesh, akademikë, personalitete të të gjitha fushave, ish-studentë, profesionistë, partnerë, si dhe drejtuesit e kontribuuesit që e kanë bërë të suksesshëm rrugëtimin e këtyre dy dekadave.
Përveç fjalës përshëndetëse të presidentit Selami Xhepa dhe rektores Drita Kruja, nuk mund të mungonte në këtë natë feste, krenarie dhe kujtese zëri i atyre që kanë drejtuar ndër vite: ish-rektorët Ferit Duka, Nevila Nika dhe Tonin Gjuraj.
Studentët ishin edhe këtë natë në qendër, me ata që kanë mbaruar ndër vite e sot janë në poste ministrore, si Erjona Ismaili, apo kanë gjetur suksesin në pasionin e tyre, si Eneda Tarifa, presidentja e parë e Qeverisë Studentore në UET, e deri te studentët aktualë, talenti dhe performancat e të cilëve e bënë këtë mbrëmje akoma më të bukur.
Moment i veçantë ishte ngjitja në skenë dhe trokitja e gotave mes themeluesve dhe drejtuesve ndër vite, si një përgjigje me krenari ndaj pyetjes fillestare që shoqëroi hapjen e universitetit: “A e bëni dot?”
Mes arritjeve akademike, atyre profesionale dhe dhënies së kontributit të vazhdueshëm në shoqëri, UET mbyll dy dekadat e para. Në të njëjtën kohë, ai hap një kapitull të ri, me vizionin dhe ambicien për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të kohës, shumë shpejt edhe nga ambientet e kampusit të ri universitar.
Presidenti Xhepa: UET, promotor i risive akademike dhe institucionale
Një qendër të rëndësishme të jetës akademike dhe publike. Kështu e cilësoi presidenti Selami Xhepa rolin e Universitetit Europian të Tiranës që prej fillimit të tij e deri sot, duke shtuar se ai u kthye në një pol të rëndësishëm të përhapjes dhe prodhimit të dijes, ideve dhe projekteve.
“Pas dy dekadash mund të themi me krenari se kemi lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë”, tha Xhepa, duke shprehur mirënjohjen për ata 30 mijë studentë dhe prindërit e tyre që ia besuan formimin këtij institucioni.
Si faktorë të qëndrueshmërisë dhe suksesit, Xhepa vlerësoi vendimet strategjike që drejtuesit e UET kanë marrë përgjatë viteve, duke zgjeruar dhe diversifikuar ofertën akademike në profesione e zanate që kërkohen sot si nga tregu vendas, ashtu edhe ai i huaj.

“Në sajë të këtij zgjerimi, ne jemi rritur dhe kemi ripozicionuar profilin tonë edhe në fusha të reja. Pyetja kryesore që qëndron përpara nesh tashmë është jo se si të rritemi përmes zgjerimit, por si të krijojmë një vlerë të dallueshme, unike dhe se si të ripërshtatemi në mënyrë dinamike, duke iu përgjigjur kontekstit krejt të ri shoqëror dhe teknologjik.”
E ndërsa UET feston dy dekada suksesi, Prof. Asoc. Dr. Xhepa tha se sfida të reja qëndrojnë para universiteteve dhe arsimit të lartë. Sipas tij, presionet financiare dhe kufizimet e burimeve njerëzore, bashkë me ndryshimet demografike dhe teknologjike, janë ekosistemi që ndërlidh të gjithë rrjetin e institucioneve arsimore. Në këtë kontekst, ai ftoi kolegët nga institucionet e tjera për ndërtimin e partneriteteve, duke ruajtur secili autenticitetin.
Duke folur për dekadën e ardhshme, presidenti Xhepa theksoi se UET ka ambicien të fuqizojë rolin e vet si promotor i risive akademike dhe institucionale, duke synuar me prioritet fuqizimin e lidhjeve me industrinë dhe aktorët e tjerë shoqërorë, transformimin në një institucion të vërtetë ndërkombëtar dhe zhvillimin e funksionit të të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Rektorja Kruja: Një universitet shqiptar me orientim evropian dhe ndërkombëtar
Gjatë fjalës së saj, rektorja e UET, Prof. Dr. Drita Kruja, përmendi disa nga shifrat dhe arritjet që kanë shkruar historinë e këtij universiteti. Janë mbi 30 mijë studentë të regjistruar dhe më shumë se 21 mijë të diplomuar që kanë besuar gjatë këtyre dy dekadave te UET dhe sot vijojnë rrugëtimin e tyre si profesionistë, sipërmarrës, studiues, pedagogë apo drejtues.
Kruja theksoi se mbi 2500 pedagogë të brendshëm e të jashtëm, shqiptarë apo të huaj, kanë qenë pjesë e auditorit. Njëzet personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, si Dritëro Agolli, Fatos Nano, Roger Scruton, Anthony Giddens, Alfred Moisiu etj., janë nderuar me titullin më të lartë që jep UET, “Doctor Honoris Causa”.
Dimensioni ndërkombëtar mbetet i pandarë nga zhvillimi i UET, i cili bashkëpunon sot me mbi 150 universitete të huaja.
“Këtë vit akademik presim rreth 200 studentë të huaj, një zhvillim që reflekton besimin në cilësinë e programeve tona dhe në standardet akademike të certifikuara edhe nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë. Ky është UET që duam, një universitet shqiptar me orientim europian dhe ndërkombëtar”, nënvizoi rektorja.

Sipas saj, sfida e universitetit nuk është vetëm dhënia e diplomës, por përgatitja për një botë dhe një treg pune në ndryshim të vazhdueshëm. Teksa përditëson kurrikulat, UET sjell këtë vit të ri akademik edhe programe të reja studimi, siç është programi i ri dy vjeçar Aircraft Maintenance Technician dhe Masteri i Shkencave në Cloud dhe Edge Computing.
Së fundi, profesoreshë Kruja shprehu mirënjohjen për themeluesit, bashkëpunëtorët, partnerët dhe familjet shqiptare, duke kërkuar që të ruhet ajo që është ndërtuar ndër vite. “Sot kremtojmë 20 vite histori, por hapim edhe një kapitull të ri. Për mua, si rektore, është përgjegjësi që të ruajmë atë që është ndërtuar dhe ta çojmë më tej.”
Ministrja Ismaili: UET nuk na e zbehu guximin për të menduar ndryshe
Një zgjedhje të frytshme e cilësoi Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e Shqipërisë, Erjona Ismaili, vendimin për të vijuar në 2022-shin studimet Master për Shkenca Komunikimi në Universitetin Europian të Tiranës. Pavarësisht se në fillim vendimmarrja ishte e mbështetur në intuitë dhe ambicie, ajo gjeti një ambient dhe infrastrukturë moderne, si dhe një këshillim të mirëfilltë te pedagogët dhe stafi i universitetit.
Gjatë fjalës së saj si Alumni UET, Ismaili veçoi disa cilësi që e diferenconin UET nga institucionet e tjera. Theksoi si aset komunikimin me stafin akademik, i cili ishte i gjindshëm për studentët dhe kishte standarde të larta mësimdhënieje.
“Përgjatë studimeve, për çdo shqetësim a pakënaqësi, dyert mbetën gjithmonë të hapura. Mund të shpreheshe hapur, të kundërshtoje e të kërkoje sqarime, me sigurinë se gjeje gjithmonë vullnet për zgjidhje e përmirësim”, u shpreh Ismaili, duke kujtuar me nostalgji kohën e studimeve, ndërsa i duhej të vinte për të ndjekur leksionet dhe seminaret nga qyteti i Vlorës.

Elementi i dytë që veçoi ministrja ishte impakti që pati UET në sistemin e arsimit të lartë jopublik, duke ndryshuar rrënjësisht perceptimin për këtë sektor.
“Sot ky sektor ka kaluar përmes një procesi të gjatë transformimi, konkurrence, standardizimi dhe pjekurie institucionale. Prandaj mendoj se duhet thënë hapur e pa komplekse se arsimi i lartë privat përbën sot një shtyllë thelbësore të sistemit tonë akademik.”
Së fundi, ministrja Ismaili vlerësoi kontributin që UET ka dhënë në ndryshimin e jetës së shumë të rinjve, të cilët sot janë profesionistë në sektorë të ndryshëm, që për të janë dëshmi e pakontestueshme.
“Përtej talentit individual të secilit prej nesh, UET ka meritën e madhe të moszbehjes së talentit apo guximit për të menduar ndryshe. Përkundrazi, si një mësues i duruar, u dha formë e nxori në pah origjinalitetin dhe individualitetin e gjithsecilit prej nesh, duke e shndërruar atë në një vlerë të shtuar për një shoqëri mbarë.”
Rektori i parë, Ferit Duka: Kur shoh sot UET, shoh një pjesë të jetës sime akademike
Jo thjesht një përvjetor institucional, por një moment kujtese dhe reflektimi për të parë se si një ide u shndërrua gjatë dy dekadave në një institucion universitar, në një histori, në një identitet, me breza të tërë studentësh dhe pedagogësh.
Kështu e cilësoi historiani Prof. Dr. Ferit Duka ceremoninë për festimin e dy dekadave të UET, në cilësinë e rektorit të parë të këtij universiteti. Ishte ai që mori i pari përgjegjësinë për ta drejtuar si rektor në vitin 2006, një marrëdhënie që zgjati për 15 vjet, me mbajtjene posteve drejtuese dhe detyrave akademike.
“Kur sot shoh këtë universitet, nuk shoh vetëm një institucion, shoh një pjesë të rëndësishme të jetës sime akademike dhe njerëzore. Në fillimet e tij, UET para së gjithash ishte një ide. Ishte ideja se Shqipëria kishte nevojë për universitete që ta vendosnin dijen, kërkimin shkencor, debatin akademik dhe mendimin kritik në qendër të jetës universitare. Ishte bindja se universiteti nuk do të ishte vetëm vendi ku merret një diplomë, por një hapësirë ku formohet njeriu, qytetari dhe profesionisti. Ishte bindja se një universitet mund të ishte njëkohësisht shqiptar në identitet dhe evropian në standarde, në kulturë akademike dhe aspirata.”

Prof. Duka foli edhe për sfidat, pasiguritë dhe dilemat, që në momentet e para të hapjes së universitetit, nuk ishin të pakta. Megjithatë, ata e gjetën forcën për të vazhduar te ideja që kishin për të transformuar arsimin dhe edukimin.
Pavarësisht ridimensionimit të institucioneve dhe tregut, Prof. Duka shprehu bindjen se misioni i një universiteti, i një institucioni edukues, mbetet i njëjtë: ta mësojë njeriun të mendojë. Prandaj, ai këshilloi të rinjtë të mos kenë frikë nga e ardhmja dhe të ndërtojnë vizionin e tyre, duke ndjekur shembullin e UET, i cili nga një ide u bë faktor ndryshimi në shoqëri.
Ish-rektori Gjuraj: UET i realizoi dy qëllimet e tij kryesore
Gjatë ceremonisë së 20-vjetorit, mbajti fjalën përshëndetëse edhe rektori më jetëgjatë i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili drejtoi me ndërprerje gjatë tre mandateve. Gjuraj e quajti fat dhe përgjegjësi të qenit dëshmitar dhe kontributor në të gjitha etapat e zhvillimit të UET, nga licensimi te rritja, zgjerimi, konsolidimi, akreditimi dhe ndërkombëtarizimi.
“Që nga gushti i 2006-ës, kur kam marrë telefonatën e parë nga themeluesit, kam kuptuar nëpërmjet tyre se, me vizionin, me pasionin, me energjinë dhe me kënaqësinë për të themeluar një institucion, siç edhe u provua më vonë, kishin dy qëllime kryesore. Së pari, të diversifikonin panoramën e arsimit të lartë në Shqipëri dhe, së dyti, të impaktonin zhvillime të ndryshme në shoqërinë tonë. Nëse i hedhim një shikim të shpejtë këtij rrugëtimi, besoj se UET ia ka dalë”, nënvizoi Gjuraj, duke falënderuar më tej themeluesit dhe bashkëpunëtorët e tij ndër vite.

Një moment të veçantë krenarie, si drejtues dhe pjesë e këtij institucioni, ishte akreditimi në vitin 2022 nga Quality Assurance Agency for Higher Education, si universiteti i parë shqiptar i akredituar ndërkombëtarisht. Të qenit pjesë e këtij universiteti, Gjuraj e cilësoi si përvojën që i dha identitetin më të spikatur gjatë 37 viteve punë në arsim.
Ish-rektorja Nika: UET bëri histori, por ajo nuk mbaron këtu
Ish-rektorja e UET në vitet 2018-2020, Prof. Dr. Nevila Nika, rrëfeu se kontakti me universitetin nisi që në fillimet e tij. Ajo u ftua nga rektori i asaj kohe, Prof. Dr. Ferit Duka, për të qenë pjesë e Bordit të universitetit.
“Ka qenë një befasi për mua pasi vija nga Arkiva, një institucion i mbyllur, ku nuk kishim shumë kontakt me të tjerët. Ajo që më ka bërë përshtypje që në fillim në UET ka qenë entuziazmi, gjallëria, ritmi dhe përkushtimi i atyre djemve të rinj që e ngritën këtë institucion”, theksoi Nika.

Në 2015-ën, ajo erdhi në UET për të qenë pjesë e stafit akademik dhe më vonë iu besua posti i rektores. Gjeti këtu një familje të madhe, pas asaj që kishte lënë pa dëshirën e saj në Arkivën e Shtetit.
Nëse në jetën e një njeriu 20 vjet janë konsiderueshëm, për një institucion nuk janë dhe aq, ndaj ai konsiderohet relativisht i ri. Nika tha se “UET e bëri historinë e vet, por historia bëhet përditë. Uroj nga zemra që të festojë dhe shumë dekada të tjera, sepse është diçka e veçantë për shoqërinë tonë.”
Duke mos u shkëputur nga domeni i saj dhe ajo që e ka lidhur gjithmonë me studentët, historiania tha se shqiptarët janë një popull që nuk e dinë si duhet dhe sa duhet historinë. Organizimi i aktiviteteve dhe përvjetorëve të tillë, për të, është një event i veçantë që shkruan historinë dhe mban gjallë kujtesën ndër vite.







Tag:20 vjet, ndërkomëtarizim, themelim, uet

