Ditët e Arteve dhe Krijimtarisë 2026/ Teatri, filmi dhe muzika në auditorin UET

Filma të pashfaqur, interpretime të gjalla skenike dhe performanaca emocionuese. Ditët e Artit dhe Krijimtarisë sollën në Universitetin Europian të Tiranës aktivitete të shumta nga studentët e Arteve Pamore, Arteve Skenike dhe atyre Muzikore. Artistë, aktorë, regjisorë, krijues të njohur shqiptarë, personalitete të fushave përkatëse nderuan me pjesëmarrjen në këto aktivite, duke vlerësuar pasionini, talentin dhe përkushtimin e studentëve ndaj artit.
Rrugëtimi artistik u çel me Festivalin e Filmit, me të ftuar speciale aktoren dhe regjisoren Suela Bako. Në një bashkëbisedim me të rinjtë që janë ende në nisje të karrierës së tyre, ajo ndau eksperiencën e saj me kinemanë, foli për gjendjen dhe problematikat që ka fusha e artit, si dhe dha këshilla frymëzuese për të gjithë ata që e kanë kthyer në mision jete.

Në këtë aktivitet, studentët ndoqën filmin “Kadillak dhe Manaferra”, me skenar të Bujar Alimanit dhe regji të Suela Bakos. I bazuar në një histori të vërtetë, filmi rrëfen rezistencën e heshtur, por të palëkundur, të një tekniku nafte, i cili në Shqipërinë komuniste të vitit 1975 guxon të refuzojë dorëzimin te regjimi të një makine Cadillac, dhuratë nga i ati që jetonte në SHBA
Gjatë Ditëve të Teatrit, studentët vunë në skenë disa shfaqje, nën udhëheqjen e pedagogëve të tyre, regjisorëve, Driada Dervishi, Armand Bora dhe Dritan Boriçi. Emocione të veçanta përcolli teatri “Doruntina”, e bazuar në veprën e Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”.
Një vëmendje të veçantë iu dedikua muzikës, kantos dhe asaj klasike, ku një repertor i përzgjedhur u interpretua për të ftuarit gjatë dy mbrëmjeve muzikore. I pari ishte UET Talent’s Voice, nën kujdesin e dekanit të studentëve dhe pedagogut të kantos, Kristi Bello. Nata e dytë, e titulluar Odeoni i Muzikës së Kultivuar, solli kompoziorët më të shquar shqiptarë dhe të huaj të muzikës operistike. I kthyer në traditë, ky koncert recital organizohet nga pedagogu i violnës, profesori Ramazan Peku.

Në kuadër të aktiviteteve të arteve pamore, u organizua nga Departamenti i Arkitekturës dhe Inxhiniereisë ExpoArt 2026, me punimet më të mira në grafikë, skenografi dhe arkitekturë. Për herë të parë ky aktivitet doli nga auditori dhe u zhvillua në Galerinë Kalo.
Ditët e Artit dhe Krijimtarisë dëshmuan edhe një herë se UET është një hapësirë ku talenti, pasioni dhe krijimtaria gjejnë mbështetje dhe mundësi për t’u shprehur, duke përgatitur artistët e së nesërmes.


