Harvardi flet shqip, studentët dhe pedagogët e universitetit amerikan vijnë në UET

Rruga drejt Harvardit dhe universiteteve amerikane nuk është as e panjohur, as e pamundur. Në kohën që jetojmë, ku kryefjalë është koordinimi dhe bashkëpunimi, mjafton vetëm dëshira dhe vullneti për të ecur përpara. “Sot keni kontaktet, keni informacionin, keni njerëzit që kanë kaluar këtë proces dhe janë aty që t’ju asistojnë”, u shpreh administratori i Departamentit të Letërsisë së Krahasuar në Universitetin e Harvardit, pedagogu Faton Limani, në nisje të workshop-it me studentët dhe maturantët e gjimnazeve të Tiranës.
Si lektor i kursit të gjuhës shqipe, pjesë e Harvardit prej vitit 2022, ai ishte i ftuar nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe Edukimit Liberal në Universitetin Europian të Tiranës, së bashku me një grup studentësh amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë.
Ata ndanë përvojat e tyre me mësimin e gjuhës shqipe, arsyet pse kishin zgjedhur këtë kurs, ku disa ishin motivuar nga dëshira e familjeve të tyre për të ruajtur gjuhën dhe traditën shqiptare, ndërsa të tjerë nga kureshtja për këtë gjuhë të veçantë indoevropiane. Po ashtu, studentët folën për përvojën e tyre në një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA, duke ndarë përshtypje për programet e studimit, aktivitetet e shumta dhe mbështetjen që marrin nga mentorët e tyre.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, e cilësoi një takim mjaft të veçantë që thellon bashkëpunimin mes dy institucioneve, në kuadër të projekteve dhe nismave të fakultetit, siç është programi READ, i cili vjen në bashkëpunim me Albanian-American Development Foundation (AADF).
“Kemi një projekt për të përfshirë pjesën e diasporës. Është një projekt i ri me AADF, i cili synon të sjellë në universitetet shqiptare ekspertizën dhe eksperiencën e akademikëve të diasporës”, theksoi dekania. Ajo shtoi se marrëdhënia e Harvardit me shqiptarët daton që në shekullin e kaluar, me emra të spikatur si Fan Noli e Kosta Çekrezi, ndërsa sot një brez i ri akademikësh shqiptarë po ndërton karrierën në këtë universitet.
Albana Shehaj është një tjetër pedagoge nga Harvardi, e cila bashkëpunon me Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit, për projektin e fundit READ në fushën e mediave digjitale. Edhe profesori Limani ka qenë i ftuar si lektor në UET, për të dhënë një modul të veçantë në lidhje me lidershipin, pjesë e lëndës “Komunikimi Organizativ”.
Në fjalën e tij drejtuar maturantëve dhe studentëve, z.Limani e cilësoi nder të veçantë punën për të ecur në rrugën e shtruar nga shumë shqiptarë të njohur. “Kam dëshirë që të kemi sa më shumë shqiptarë aty dhe të vazhdojmë të ngremë në nivel më të lartë prezencën, kulturën dhe çdo aspekt tjetër të jetës shqiptare.” Limani shtoi se aktualisht në Harvard janë 13 studentë shqiptarë në ciklin bachelor, ndërsa ka edhe studentë në programet master dhe doktoraturë.
“Harvardi e ka një të mirë sepse ofron programe fellowship për studentët apo departamentet e ndryshme. Nga ana tjetër është edhe Harvard College Albanian Students Association, me të cilën mund të bashkëpunojnë drejtpërdrejt studentët dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve të përbashkëta.

Pas futjes së kursit në gjuhën shqipe, objektivi i radhës, sipas Limanit, është krijimi i një katedre ose departamenti për studimet shqiptare, me pedagogë dhe studiues të përqendruar në kërkimin shkencor mbi çështjet shqiptare.
“E kam mision personal dhe dua të ndihmoj çdo shqiptar që ka vërtet dëshirë dhe vullnet për të studiuar në universitetet amerikane”, theksoi ai. Sipas tij, nxënësit dhe studentët shqiptarë i lidh vazhdimisht me studentë që studiojnë në Harvard, në mënyrë që të mësojnë prej tyre mbi procesin e aplikimit dhe jetën akademike në universitet.
Në përfundim, ai i inkurajoi të rinjtë të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre dhe të mos mendojnë se një universitet si Harvardi është i paarritshëm. Edhe pse konkurrenca është shumë e fortë dhe çdo vit aplikojnë mijëra kandidatë nga e gjithë bota, një aplikim i përgatitur me kujdes dhe në përputhje me kriteret e kërkuara rrit ndjeshëm mundësitë e pranimit. Sipas tij, Harvardi ka në filozofinë e tij mbështetjen e studentëve të talentuar nga vende në zhvillim, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit.
Biseda me pedagogët dhe studentët e Harvardit vijoi në studion e podcast-it të universitetit UET Cast, ku u intervistuan nga një studente dhe një maturante.

