Jepen katër bursa për maturantët në edicionin e dhjetë të Shkollës së Biznesit

Mbi 25 maturantë u trajnuan dhe katër prej tyre u vlerësuan me bursa dhe gjysmë bursa në Shkollën e Biznesit, aktivitetin e organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës. Tematika e këtij edicioni, i cili zhvillohet çdo vit në muajin dhjetor në Dardhë të Korçës, duke krijuar me fanatizëm traditën e vet 10-vjeçare, kishte të bënte me ndikimin e Inteligjencës Artificiale në biznes dhe sipërmarrje.
Gjatë tre ditëve intensive, 12-14 dhjetor, maturantët morën leksione dhe njohuri themelore ekonomike dhe financiare nga ekspertët dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, Prof. Asoc. Dr. Mateo Spaho, Dr. Elona Shehu, pedagogu Forcim Kola, Anxhela Ferhataj etj. U diskutua gjatë për riformësimin e tregut në sajë të ndikimit të teknologjive të reja, u evidentuan efektet pozitive dhe negative të AI-së, siç është rritja e prodhimit nga njëra anë, dhe shurtimi i vendeve të punës, nga ana tjetër, parë këto në tregun e ekonomisë globale por edhe në kontekstin shqiptar.

Pjesë e moduleve të trajnimit ishte edhe sesioni i këshillimit të karrierës nga pedagogia Yllka Beci, ku të rinjtë tregun për aftësitë, pasionet dhe aspiratat e tyre në ndjekjen e profesioneve të fushës së ekonomisë, Financë, Administrim-Biznesi, Menaxhim, Marketing etj., programe mjaft të suksesshme të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, ku prej vitesh ruan një numër të lartë të studentëve të regjistruar.
Një nga momentet më dinamike të Shkollës së Biznesit Dardhë 2025 ishte loja financiare, ku maturantët u ndanë në grupe dhe vunë në praktikë njohuritë e tyre mbi menaxhimin, vendimmarrjen dhe treguan aftësitë e bashkëpunimit në ekip. Kjo eksperiencë kombinoi mësimin me lojën, diskutimin dhe strategjinë, duke nxitur mendimin kritik dhe përgatitjen për sfidat e së ardhmes.

Pjesëmarrja dhe interesi i lartë i maturantëve dëshmon se, edhe pas një dekade, Shkolla e Biznesit vijon të mbetet një iniciativë frymëzuese për të rinjtë që synojnë të bëhen profesionistët e ardhshëm të ekonomisë dhe biznesit, një fushë thelbësore dhe e qenësishme në zhvillimin e shoqërisë.

