UET zgjon interesin e studentëve nga India/ Programet e mjekësisë dhe inxhinierisë, më të kërkuarat

Universiteti Europian i Tiranës vijon zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore ndërkombëtare, partneritete që janë shtrirë deri në Azinë Jugorë. Përveç studentëve dhe pedagogëve vizitorë, UET mirëpriti së fundi përfaqësues nga universitete indiane, të interesuar për të thelluar shkëmbimet në fusha specifike të akademisë.
India është një vend me potencial të lartë në tregun e studentëve ndërkombëtarë. Vitet e fundit numri i të rinjve indianë që zgjedhin të studiojnë në një universitet jashtë vendit të tyre ka kapur shifra rekord. Sipas statistikave, të bëra publike nga Ministria e Jashtme e Indisë, në vitin 2025 mbi 1.8 milionë studentë janë regjistruar në institucione ndërkombëtare.
Përtej zgjedhjeve tradicionale, SHBA-të, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, pjesë e listës janë bërë edhe destinacione të reja studimore, të tilla si: Emiratet e Bashkuara Arabe, Japonia, vendet evropiane etj. Pavarësisht se ende në shifra të ulëta, Shqipëria qëndron brenda kësaj harte dhe rezulton një zgjedhje preferenciale nga të rinjtë indianë për të ndjekur studimet akademike dhe për të zhvilluar karrierën.
Universiteti Europian i Tiranës është tashmë një nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, që me programet e studimit, kurrikulat moderne, akreditimin ndërkombëtar, ka zgjuar interesin e studentëve indianë. Gjatë kësaj jave, UET mirëpriti në përfaqësuesit e Kolegjit të Menaxhimit dhe Kërkimit Swayamsiddhi Mitra Sangh, një nga institucionet më të mira të menaxhimit në distriktin Thane, themeluar në 2006-ën. Kolegji është i lidhur me Universitetin e Mumbait dhe brenda kampusit të tij janë të integruara disa institucione arsimore. Përveç programeve bachelor dhe master, aty janë të inkorporuara edhe Shkolla Publike e Anglishtes Sanskar Gurukul, Kolegjin Junior dhe Kolegjin e Tregtisë.
Administratori i UET, Tildi Çadri, gjatë bashkëbisedimit me homologun indian, Dr. Parag Khandekar, bëri një prezantim të shkurtër të rritjes dhe zhvillimit të këtij institucioni 20-vjeçar, i cili është sot universiteti jopublik me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar, e po ashtu është një model suksesi dhe pikë reference për futjen e metodologjive dhe kurrikulave të fundit, ndërtimin e partneriteteve të rëndësishme, zhvillimin e projekteve me impakt të madh në fushën e ekonomisë arsimit dhe formësimit të shoqërisë.

Pas akreditimit nga agjencia britanike Quality Assurance Agency for Higher Education, duke e bërë diplomën e tij të vlefshme ndërkombëtarisht, Universiteti Europian i Tiranës ka nisur një fushatë ndërkombëtarizimi të plotë për përthithjen e studentëve dhe stafeve akademike të huaja.
“Ne kemi punuar ngushtë me disa nga partnerët dhe agjentët tanë dhe brenda pak ditësh presim 20 studentë të rinj të regjistruar në këtë vit akademik”, theksoi Çadri, duke shtuar se programet e studimit të cilat ofrohen në gjuhën angleze janë të përqendruara në Financë, Informatikë Biznesi, Inxhinieri Informatike etj. Hyrja më e fundit në këtë listë ishte programi i Infermierisë, hapja e të cilit u influenca nga kërkesat e larta të studentëve të huaj.
Administratori i Swayam Siddhi Mitra Sangh’s College of Management and Research (SSCMR), Dr. Parag Khandekar pohoi se tashmë studentët indianë po e shohin Evropën si destinacionin e tyre të studimeve. Përmes agjencive, ai dëgjoi për Shqipërinë dhe potencialin e saj në sektorin e arsimit të lartë dhe fusha të tjera, ndërsa synon të anëtarësohet së shpejti në Bashkimin Europian dhe të ofrojë standarde të larta dhe mundësi të reja për qytetarët e vet por edhe ata të huaj që duan të jetojnë në Evropë, në një vend me klimë të mirë mesdhetare, me potenciale të shumta turistike.
Z. Khandekar tha se aktualisht bashkëpunimi me UET mund të nisë me programet e përbashkëta në fushën e inxhinierive, të Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit, ku është dëshmuar botërisht talenti dhe vullneti që shprehin studentët indianë në këtë drejtim. Më tej, ai sugjeroi që partneriteti të shtrihet edhe në programet e mjekësisë, e konkretisht në Infermieri, pasi fusha e mjekësisë është trendi i ri i studimeve në Indi, një kërkesë që rritet nga viti në vit.

Administratori Çadri tha se UET aktualisht në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike ofrohen tre programe, Fizioterapi, Imazheri dhe Infermieri. Kjo e fundit është në gjuhën shqipe dhe anglisht. Po ashtu, ofrohen kurse të shkurtuara të gjuhës gjermane, për studentët që duan të punojnë në spitalet gjermane, por edhe kurse në gjuhën shqipe për studentët e huaj, në mënyrë që ata të njohin më mirë vendin dhe kulturën shqiptare.
Me zhvendosjen brenda dy viteve të ardhshme në kampusin e ri, një hapësirë moderne, me infrastrukturë dhe laboratorë për të gjitha programet e studimit, Çadri tha se mund ofrohen programe të tjera në fushën e mjekësisë, në varësi të kërkesave të tregut të arsimit dhe mënyrës se si ai do të ridimensionohet në të ardhmen.
Më tej, ai foli edhe për vëmendjen e shtuar të UET në kuadër të lehtësimit të të gjithë procesit të ardhjes së studentëve të huaj përmes Zyrës së Ndërkombëtarizimit, e cila asiston në pjesën e dokumentacionit, marrjes së vizave dhe në çdo aspekt tjetër të nevojshëm. “Ne kemi qenë aktivisht pjesë e ndryshimeve duke lobuar për të lehtësuar procesin dhe rregulloren për studentët ndërkombëtarë, e cila mund të mbyllet përmes internetit pa pasur nevojë të shkosh në ambasada dhe konsullata e të humbasësh kohën tënde”, nënvizoi Z. Çadri.
Gjithashtu, UET ofron mundësi akomodimi për studentët dhe stafet akademike, me kosto ekonomike të përballueshme për gjithsecilin. Përmes marrëveshjeve me biznesin dhe industrinë, UET krijon mundësi për zhvillimin e praktikave, internshipeve dhe punësimit për studentët shqiptarë dhe të huaj, në varësi të përkushtimit dhe vullnetit të tyre për të mësur dhe për t’u zhvilluar në karrierë.

