UET fton studentët dhe kërkuesit e rinj në konferencën shkencore DSSH Junior 2025

Për të shtatin vit radhazi Universiteti Europian i Tiranës zhvillon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare për Studiuesit e Rinj”, një ngjarje kushtuar studentëve dhe kërkuesve të rinj shkencor. DSSH Junior 2025 do të zhvillohet më 16 tetor, ndërkohë që është hapur thirrja për pranimin e punimeve shkencore.
Studiuesit e rinj duhet të dorëzojnë punimet e tyre deri më 15 shtator dhe brenda një jave ata do të do të njoftohen për pranimin ose jo të punimeve të paraqitura, apo për sugjerime të mëtejshme në lidhje me kërkimin e dorëzuar.
Tematika e këtij edicioni është “Ndërtimi i një të ardhmeje moderne: Perspektivat e studentëve mbi demokracinë, arsimin, ekonominë, teknologjinë dhe shëndetin”. Bota ndodhet sot nën “pushtetin” e transformimeve të thella të nxitura nga forca të tilla si inovacioni digjital, aleancat gjeopolitike në ndryshim, sfidat klimatike, ndryshimet demografike dhe modelet ekonomike në zhvillim. Shqipëria nuk është aspak imune ndaj zhvillimeve dhe rikonfigurimeve të tilla, të cilat kërkojnë analiza, mendime dhe kërkime të reja në fusha të ndryshme të shoqërisë, si ekonomia, arsimi, demokracia, arkitektura, teknologjia, mjekësia, etj.
Konferenca është e organizuar në pesë panele, duke shkuar kështu paralel me fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës, të cilët orientojnë njëkohësisht fushën dhe temën e kërkimit shkencor.
Sipas paneleve përkatëse, do të trajtohen temat e mëposhtme: Paneli 1- Ekonomia drejt digjitalizimit dhe sfidat e qëndrueshmërisë; Paneli II- Sfidat e konsolidimit të demokracisë funksionale dhe sundimit të ligjit në Shqipëri; Paneli III- Inovacione dhe njohuri: Hulumtimi në shkencat humane, arsim dhe arte liberale; Paneli VI- Avancimi i arsimit në inxhinieri, teknologji dhe arkitekturë: Inovacioni, qëndrueshmëria dhe transformimi digjital; Paneli V- Shëndeti dhe kujdesi holistik.
Kryetare e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “DSSH Junior 2025” është rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Drita Kruja, me bashkëkryetarë profesorët: prof. dr. Kreshnik Bello dhe Dr. Johana Hajdini. Komiteti Shkencor është i përbërë nga dekanët e pesë fakulteteve të UET.
Kriteret e pranimit
Pjesëmarrja në konferencën shkencore DSSH Junior 2025 është pa pagesë. Pjesë e saj mund të bëhen të gjithë studentët që ndjekin studimet apo i kanë përfunduar pranë Universitetit Europian të Tiranës, si dhe gjithë studentët në universitetet partnere, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Konferenca zhvillohet në gjuhën angleze, me prezencë fizike dhe online. Gjatësia e punimit duhet të jetë midis 5,000-7000 fjalëve, e shoqëruar me një abstrakt deri në 300 fjalë, në gjuhën angleze.
Punimet duhet të dorëzohen pranë komitetit organizues, në emailet e përfaqësueseve të pesë paneleve, përkatësisht:
Paneli I- [email protected];
Paneli II- [email protected];
Paneli III [email protected];
Panel IV- [email protected];
Paneli V- [email protected].
Lexo thirrjen e plotë në: DSSH JUNIOR 2025 Call for Papers