ARK EXPO 2025/ Pasioni dhe talenti i studentëve të Arkitekturës shkrihet në ekspozitën vjetore

Arkitekti është një sirtar ëndrrash. Shprehja, e cila i atribuohet Grace McGarvie, thotë shumë për atë se çfarë qëndron në shpirtin e një arkitekti. Jo thjesht një profesionist që projekton dhe transformon një ndërtesë dhe hapësirë, por një profesionist që transmeton memorie, histori, dëshira e mbi të gjitha dashuri për të bukurën.
Të gjithë këto elementë erdhën të shkrirë në ekspozitën e studentëve të Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës. Ky aktivitetit që vjen për të katërtin vit radhazi, duke formësuar kështu traditën e vet, pasqyron punën dhe pasionin e studentëve të pothuajse të të gjitha viteve që studiojnë në programin Arkitekturë, për të krijuar postera dhe dizejno, për të projektuar ambiente vilash, pallatesh e objektesh historike, e pse jo për të ndërtuar makete me skenografi për veprat më të njohura të dramaturgjisë.
Ekspozita nisi nën tingujt e muzikës dhe këngëve të përzgjedhura nga studentet, për të vijuar më tej me shijimin e çdo punimi apo maketi të ekspozuar në sallën e shfaqjeve në UET.
E emocionuar nga puna dhe pasioni i dëshmuar, dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Teuta Xhindi, tha se çdo projekt i paraqitur është produkt i punës së përbashkët të studentëve dhe pedagogëve, që vijnë përmes kësaj ekspozite vjetore e cila ndryshon nga viti në vit.
“Nuk e di çfarë ndodh me studentët e Arkitekturës, por kanë të pleksur bashkë elementin profesional, atë artistik dhe elementin njerëzor. Kanë një gjë të veçantë që këta studentë i bën të identifikueshëm e të dallueshëm.” Më tej, Xhindi theksoi se për shkak të teknologjisë, sfidat janë të jashtëzakonshme për të gjithë profesionistët, por edhe për arkitektët ato bëhen më të ndjeshme dhe emergjente.
Zv. rektori për Kërkimin dhe Inovacionin, prof. dr. Kreshnik Bello, përgëzoi për vullnetin dhe përkushtimin studentët dhe pedagogët, të cilët bënë të mundur këtë ekspozitë, e cila mirëfilltës tregon se UET është jo një universitet i zakonshëm shqiptar, por i ngjashëm me homologët e tij në Europë.
“Duke parë punën tuaj sot u ndjeva sikur të isha në auditorët e universiteteve europiane, aty ku shpesh si pedagogë shkojmë dhe japim mësim për studentë të huaj. Nuk shoh asnjë diferencë. UET është një universitet i cili po bën përpjekje të pashtershme që ne të kemi studentë dhe pedagogë të huaj.”
Ekspozita ARK EXPO 2025 erdhi nën kujdesin e përgjegjëses së Departamentit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Otjela Lubonja, dhe të pedagoges Dr. Blegina Bezo.
“Nuk është thjesht një pasion për arkitekturën. Çdo projekt që shihni këtu nuk është vetëm një projekt kursi, por dëshmon punën të studentëve nën udhëheqjen e pedagogëve të tyre”, theksoi në fjalën e saj, prof. Otjela Lubonja. Edhe studentët u shprehën të lumtur për këtë kurorërzim me sukses të të gjitha përpjekjeve të këtij viti akademik, mirënjohës për mbështetjen dhe mentorimin e vazhdueshëm të pedagogëve.
Punimet e prezantuara përfaqësuan një spektër të gjerë tematikash dhe teknikash, të mbështetura mbi njohuritë teorike dhe praktike të fituara nga lëndët kryesore të kurrikulës, si: Vizatim, Studio Arkitekture 1 (banesa një familjare), Studio Arkitekture 2 (banesa kolektive), Teoria dhe Teknikat e Skenografisë, Dizajn i Brendshëm, Studio Arkitekture 3 (objekt polifuksional), Studio Arkitekture 6 (objekt me funksion shkollor) dhe Adaptim Arkitektonik.