Vizitë dhe leksion i hapur me studentët/ UET nis bashkëpunimin me Universitety Petre Andrei of Iasi
Universiteti Europian i Tiranës priti një delegacion nga Universitety Petre Andrei of Iasi (UPA), një nga institucionet e larta private më të rëndësishme në Rumani. U diskutua për të gjetur mundësitë e bashkëpunimin mes dy institucioneve, si dhe u zhvillua një leksion i hapur me studentët lidhur me temën “E ardhmja e integrimit europian, perspektivat e reja”.
Shkëmbimi studentor, zhvillimi i seminareve apo projekteve në programet e përbashkëta studimore, publikimi në organet shkencore përkatëse, ishin disa prej çështjeve që u diskutuan mes drejtuesve të lartë të Universitetit Europian të Tiranës dhe homologëve të tyre të Universitetit “Petre Andrei” në Iasi (UPA).
Në tryezë me kolegët nga Rumania, presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, rektorja prof. dr. Drita Kruja dhe administratori i UET, Tildi Çadri folën për historikun e zhvillimit të universitetit, i cili në dy dekada jetë ka arritur të prevalojë mbi institucionet e tjera arsimore në vend, private apo publike, në terma sasiorë dhe cilësorë.
U bë prezantimi i programeve bachelor, master e doktoraturë që ofron UET, si dhe u fol për bashkëpunimet rajonale dhe ndërkombëtare, ku UET regjistron një ndërlidhje të gjerë me universitete në të gjithë botën, duke shkëmbyer kështu eksperiencat e metodologjitë më të fundit në mësimdhënie, kërkime shkencore etj.
UET është gjithashtu universiteti privat me numrin më të lartë të mobiliteteve në Shqipëri, duke u përfshirë si lider dhe partner në projektet kombëtare dhe ato të Bashkimit Europian.
Delegacioni i Universitety Petre Andrei of Iasi i përbërë nga: Rektorja Konf. univ. dr. Teodora Prelipcean; Prorektori Prof. univ. dr. Sorin Bocancea; Prorektorja Lekt. univ. dr. Georgeta Condur; Shef i zyrës së cilësisë në UPA në Iași, Prof. univ. dr. Cristian Bocancea; Muzeografi Prof. univ. dr. Sabin Drăgulin; Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike, Ioana Drăgulin; Histroiani Prof. univ. dr. Daniel Șandru; Kryetar Ekzekutiv i IIÇMER-it, Mioara Anton dhe Prodekani i Fakultetit të Shkencave Politike Lekt. univ. dr. Constantin Ilaș, treguan interes për të bashkëpunuar kryesisht në programet studimore në shkencat sociale dhe ato juridike, të cilat ofrohen nga të dyja universitetet.
Përveç programeve të njëjta studimore, mes dy institucioneve u gjetën pika të tjera të përbashkëta, siç ishte revista shkencore dhe shtëpia botuese. Ashtu si UET edhe UPA, publikon një revistë shkencore të quajtur “Polis” në shkencat humane. Mes dy institucioneve do të firmoset një memorandum për marrëveshje bashkëpunimi, ku përcaktohen qartë fushat dhe termat e bashkëveprimit mes dy institucioneve.
Universitety Petre Andrei of Iasi, i cili mban emrin e politikanit, sociologut dhe filozofit Petre Andrei është themeluar në vitin 1990, si pjesë e Fondacionit Akademik me të njëjtin emër, krijuar në nder të këtij personaliteti të kulturës dhe shoqërisë rumune.
Pas shkëmbimit të dhuratave simbolike, pedagogët dhe lektorët e UPA-s zhvilluan një leksion të hapur me studentët e UET, ku trajtuan çështjet e integrimit europian dhe perspektivat e ardhshme, në kuadër të konjukturave të reja politike e shoqërore.
Rumania u integrua në Bashkimin Europian në vitin 2007 duke kaluar shumë procese që Shqipëria ende po i plotëson si vend kandidat për në unionin europian. Prandaj ka vend për të mësuar prej saj se si i plotësoi direktivat dhe sot gëzon të drejtat dhe detyrimet e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.