Botim i UET Press/ “Kosovo, Sovereignty vs Integrity” i Arben Çejkut, libri i munguar për studiuesit dhe diplomatët e huaj
Një dosje për Ballkanin, e rënë në dorë në vitin 1993, në kohën që punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duket se do të drejtonte karrierën e Arben Çejkut. Edhe pse siç thotë diplomati, Kosova ishte diku në skutat e çështjeve të pazgjidhura të rajonit, dosja do ta shtynte të lexonte pothuajse çdo ditë për zhvillimet atje. Gjatë viteve 2005-2009, do të marrë detyrën e shefit të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Kosovë, duke u bërë dëshmitar i ngjarjeve historike, siç ishte shpallja e pavarësisë.
Çejku tregon se këtë mision e vlerësonte më shumë sesa të shkonte në SHBA, pasi sipas tij në atë kohë fabrika e diplomacisë dhe puna e vërtetë diplomatike bëhej në Kosovë. Pavarësisht se në vitet 2009- 2013 u emërua si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, nuk i shkëputi kurrë marrëdhëniet me Kosovën, duke u bërë një vëzhgues i imtësishëm i ngjarjeve, nën syrin kureshtar e kritik të gazetarit.
Të gjitha i përmblodhi në një libër me titull “Kosova, Sovraniteti vs Integriteti”, botuar në 2020. I nxitur nga mungesat e një literature shkencore në arenën ndërkombëtare për Kosovën, Arben Çejku e botoi librin në gjuhën angleze. Nën logon e UET Press dhe përkthimin e ambasadorit Avni Spahiu, libri “Kosovo, Sovereignty vs Integrity” tashmë ka mbërritur në duart e shumë zyrtarëve e diplomatëve amerikanë e europianë.
Gjatë promovimit të librit në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, Çejku tha se qëllimi pse e botoi librin e tij në anglisht ishte për të dhënë një kontribut për dy institucione: për institucionet akademike dhe ato ndërkombëtare.
“Jam shumë i nderuar, shumë i lumtur që këtë botim e bën Universiteti Europian i Tiranës, një universitet që e meriton emrin europian dhe të cilin e kam ndjekur në vijimësi me kontributin akademik e intelektual që jep. Mund të them sot që bashkë me emrin tim, bashkë me çështjet e Kosovës, edhe emri i UET është i prezantuar tashmë në SHBA”, u shpreh autori.
Çejku tha se “Kosovo, Sovereignty vs Integrity” nuk është një libër me kujtime, por një libër që i ka ngjarjet në njërën anë, personazhet, por edhe dokumentet, edhe faktet në anën tjetër. Siç specifikoi ai, shpesh ne kemi një qasje të drejtë jo me kohën, duke mos tentuar të kalojmë gardhin për të komunikuar me botën e jashtme.
Libri u promovua disa javë më parë në New York tek shoqata “Vatra”, e kjo sipas autorit ishte një shenjë simbolike për të falënderuar diasporën, e cila ka qenë një nga diplomacitë kryesore që ka lobuar për çështjen e Kosovës me të gjitha mjetet. Çejku u shpreh se librin e tij, përveç Gabriel Escobar, e kanë marrë edhe disa personalitete në DASH, si dhe në disa institute e qendra kërkimorë të njohura në SHBA dhe Europë.
“Me këtë libër përpjekja ime është që të balancojmë sa të mundemi propagandën dhe literaturën që bëhet nga ana e Serbisë dhe miqve të saj”, theksoi ish-ambasadori, duke shtuar se pavarësisht se tema është mëse aktuale, ndjen keqardhje që çëshja e Kosovës nuk ka bërë shumë përparime që prej 2020, kur libri i tij u botua për herë të parë.
Ish- ministri Jashtëm, Besnik Mustafaj, njëkohësisht shkrimtar e përkthyes i njohur, i cili ka bërë recencën e librit të Çejkut në shqip, e cilësoi një studim përfshirës, i cili duhet të jetë në bibliotekën e gjithsecilit që interesohet pak më seriozisht se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh me Kosovën, ku rrezikohet dhe ku synohet të shkohet.
Një shërbim të vyer e quajti Mustafaj, që pavarësisht pikëpamjeve të autorit, libri na lë të kuptojmë gjerësinë dhe ndërlikimin që ka çështja e Kosovës.
“Me këtë punim Çejku ka arritur të na japë një rezultat që e bën jo vetëm të përligjur karrierën e tij në diplomaci, por na bën të bindemi se kalimi në diplomaci, dhe në këtë kuptim është një shembull unik deri tani, ka zgjuar të ky personalitet pasionin dhe përgjegjësinë për t’i dhënë përvojës së tij një dobi publike e kombëtare.”
Mustafaj përgëzoi përkthimin në anglisht nga UET Press, duke e quajtur me rëndësi të veçantë për kohën ku gjendet Kosova, por edhe si një domosdoshmëri për literaturë për të huajt.
“Kosova ka hyrë në studimet universitare, qoftë nga ata që studiojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë nga ata që studiojnë problematikat e rajonit tonë, apo ata që studiojnë ndërhyrjet në NATO, sepse Kosova është rast unik”, u shpreh shkrimtari.
Për politologun dhe profesorin e UET, dr. Florian Çullhaj ky libër është një rrëfim historik dhe një udhërrëfyes për përpjekjet e ardhshme diplomatike. Më tej ai e cilësoi një dëshmi të rëndësisë së kontributeve shkencore për lartësimin e çështjes komplekse të gjeopolitikës rajonale.
“Përmes hulumtimeve rigoroze, analizave të thella, autori na ka ofruar një burim të paçmuar që hedh dritë mbi dialogun kompleks dhe shpesh të kontestuar mes Kosovës dhe Serbisë. Libri vjen në një pikë kritike të historisë së Kosovës, ndërsa ajo vazhdon rravgimet e saj sizifike në përpjekje të krijimit të një ekuilibri mes sovranitetit dhe integritetit”, theksoi Çullhaj.
Nga fillimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, ngulmimi i Serbisë për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe fushatën kundër, te roli i Brukselit në këtë proces dialogu që ende nuk ka dhënë rezultate relevante, marrëdhënia mes dy vendeve që shpesh ka arritur kulme tensionesh me taksën 100 përqind ndaj mallrave serbe, vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, e cila u transformua në parimin e reciprocitetit prej kreut aktual të qeverisë Albin Kurti e deri te rreziku i shkëmbimit të territoreve, tensionet në veri, asosacioni i komunave serbe, Marrëveshja e Ohrit, etj., roli i ShBA-së në ofrimin e një zgjidhjeje përmes asaj që në media u cilësua si “Plani Marshall” i Trump, e cila qasjen e kishte te një marrëveshje në thelb ekonomike.
Janë një sërë ngjarjesh që kanë shenjuar rrugëtumin e Kosovës, prapaskenat e të cilave Çejku i sjell për lexuesit, studiuesit e diplomatët në “Kosovo, Sovereignty vs Integrity”.