UET e vlerëson për kontributin, Spiro Brumbulli: Ndonjëherë ndodh që je i duhuri në vendin e duhur
UET e vlerëson për kontributin, Spiro Brumbulli: Ndonjëherë ndodh që je i duhuri në vendin e duhur
UET vlerëson ekspertin e Ekonomisë, Spiro Brumbullin me certifikatë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm profesional
“Asgjë nuk do të marrim me vete, por ajo që mund të lemë është një emër i mirë, një vepër e mirë, një fjalë e mirë. Dhe vlerësimi i kolegëve është kënaqësia më e madhe.”
Kështu u shpreh eksperti i njohur i Ekonomisë, profesor Spiro Brumbulli, gjatë ceremonisë së marrjes së certifikatës të mirënjohjes nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës.
“E vlerësoj faktin që institucionet përkatëse janë mbledhur, kanë diskutar dhe më kanë përzgjedhur. Është një kënaqësi e madhe. Edhe pse gjatë rrugës dhe karrierës sime më është dashur që shpesh të mbaj qëndrime të ashpra, për shkak të operacionit apo reformave të thella që duheshin bërë, sot më flasin me shumë dashamirësi dhe kjo tregon që nuk kam gabuar”, u shpreh profesor Brumbulli.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Elvin Meka u shpreh se me një miratim unanim të senatit këtë vit certifikata e mirënjohjes i akordohet profesor Brumbullit, i cili aktualisht mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Duke u kthyer pas në kohë, për të kujtuar momentet kur Spiro Brumbulli ishte pedagogu i tij, Presidenti i UET, Selami Xhepa, si një ekspert i fushës e vlerësoi figurën e tij, si atë të një personi të përkushtuar, që punon dhe kontribuon për dijen dhe jo vetëm.
“Profesor Spiro është një person i përkushtuar që punon dhe kontribuon për dijen, por edhe një person i përkushtuar për të kontribuar në sektorët ku ai ka qenë. Profesori ka pasur fatin që në rrugëtimin e jetës të tij të ketë pasur një kombiniom kaq interesant mes botës akademike dhe rrugëtimit praktik, me punën konkrete në industri. Mendoj që ky është kombinimi më fatlum për dikë që aspiron dijen, që është intelektual dhe njeri i veprimit”, u shpreh presidenti Xhepa, i cili gjeti rastin që edhe t’i japë certifikatën e mirënjohjes dhe ta falenderojë për bashkëpunimin me UET.
“Në emër të UET, senatit dhe rektoratit, ju jap ju profesor Spiros këtë certifikatë: Për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm profesional, për sigurimin e dijve bashkëkohore dhe praktikën në fushën e Bankingut dhe Financës, si dhe në ndihmesën për lidhjen e studentëve me industrinë bankare.”
Për Rektorin e UET, Tonin Gjurajn, eksperti Brumbulli përfaqëson një grup individësh të cilët kanë një profil të lartë profesional, etik dhe një zë të fuqishëm, sa i përket Financave apo bankave. E ndërsa thotë se, ajo që e ka tërhequr më së shumti është modestia e profesor Spiro Brumbullit.
“Profesor Spiro ka qenë shumë serioz dhe bashkëpunues me UET-in, parvarësisht angazhimeve që ka pasur”, u shpreh rektori Gjuraj.
Karriera profesionale dhe disa këshilla për studentët
Me një eksperiencë të shkëlqyer, duke filluar në vitet e para të Bankingut tregëtar shqiptar, profesor Brumbulli ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme si drejtor dhe nëndrejtor i Bankës Kombëtare Tregëtare (BKT), e cila sot është banka më e madhe në Shqipëri.
Fillesat e veta i ka pasur, si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, ku jepte lëndën e investimeve. E më pas u ndesh me një mjedis shumë të vështirë, duke trashëguar një sistem pothuajse inekzistent, ku çdo gjë duhej nisur nga e para dhe që për të ishte një sfidë shumë e madhe.
“Jam shumë i nderuar dhe i vleresuar për të qenë në këto ambiente. Më merr malli shumë, pasi karriera ime ka filluar si pedagog në ambientet e Fakulteti Ekonomik shtetëror. Bëra 12 vjet si pedagog atje dhe mbrojta gradën shkencore Doktor (Dr). U tërhoqa në momentin më të keq të historisë së pas-tranzicionit në vitin ‘97, ku nuk kishte asnjë institucion shtetëror në këmbë. Nuk kishte mbetur asgjë. Sektori bankar, dy bankat që mbulonin Shqipërinë ishin prishur dhe djegur, në pjesën më të madhe të tyre. Gjëja e parë që duhet të bënim, ishte të ringrinim dhe të çonim shërbimet e njerëzve dhe këtu nuk po flasim për shërbimet, e sotme, por më të zakonshme; të depozitosh para dhe të tërheqësh para. Njerëzit nuk bënin dot as kaq”, tregoi profesor Spiro.
Ishte i pari shqiptar që ka drejtur një bankë të huaj në Shqipëri, degën e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG Bank) dhe po ashtu ishte banikier i parë shqiptar që drejtoi një degë të Bankës Kombëtare Tregëtare (BKT) në Prishtinë.
Po ashtu ka mbajtur edhe postin e Shefit të Kabinetit të Ministrit të Financave në administratën shtetërore, për të vijuar më tej në 2016-n si Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Si një personalitet i rëndësishëm i Bankingut dhe Financave në Shqipëri, por edhe si një arsimdashës i njohur, profesor Brumbulli ndau me studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit disa këshilla që do t’iu vlejnë në të ardhmen, përtej bangave të auditorit.
“Thelbësore është filozofia me të cilën ndërton karrierën. E rëndësishme është çfarë vendos përpara. Mos kujtoni se do të merrni diplomën dhe do t’i dini të gjitha gjërat. Jam i sigurt që edhe kolegët i pasurojnë përditë teoritë. Ajo që thuhet në teori nuk arrin dot të faktohet, sepse ka një teori tjetër më të madhe që nuk matet dot në formula, është perceptimi njerëzor. Ne kemi të bëjmë me tregun dhe perceptimin se si masa e gjerë e njerëzve të thjeshtë mund të përtypin, të intepretojnë një lajm, teoria nuk e parashikon fare. Nuk ka formulë që e fut brenda dhe e parashikon dhe kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj mos kujtoni se mësoni sot për sot, por që po përgatiteni për të ardhmen”, u shpreh eksperti i Ekonomisë.
Ndërsa sa i përket arritjeve në karrierën e tij, ai tha se “shanset janë atje për secilin nga ne, po jo të gjithë arrijnë të kapin pozicione. Ndonjëherë ndodh që je i duhuri në vendin e duhur. Arrin që të kapësh një ofertë dhe pastaj tregon që mund ta mbash apo jo.”